Një lehtësi e re për mërgatën shqiptare: më shumë kohë dhe fleksibilitet për të kryer shërbimet konsullore
Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Cyrih ka marrë një vendim të ri në funksion të përmirësimit të shërbimeve konsullore dhe lehtësimit të qasjes së qytetarëve në shërbimet institucionale. Sipas njoftimit zyrtar të Konsullatës, nga data 20 nëntor 2026, orari i shërbimit me qytetarë gjatë ditëve të premte do të zgjatet deri në orën 17:00, për dallim nga orari i deritanishëm, i cili përfundonte në orën 12:00. Ky ndryshim përbën një lehtësi të rëndësishme për bashkatdhetarët që jetojnë dhe veprojnë në Zvicër, veçanërisht për ata që, për shkak të angazhimeve të përditshme profesionale dhe familjare, e kanë më të vështirë të shfrytëzojnë shërbimet konsullore gjatë orarit të zakonshëm të punës.
Ndërkohë, orari i shërbimit gjatë ditëve të tjera të javës mbetet i pandryshuar.
Zgjatja e orarit të së premtes dëshmon rëndësinë e përshtatjes së shërbimeve institucionale me nevojat konkrete të mërgatës, e cila ndër vite ka luajtur një rol të rëndësishëm në jetën shoqërore, ekonomike dhe kombëtare të Kosovës.
Mërgata meriton shërbime efikase, qasje më të lehtë institucionale dhe komunikim të vazhdueshëm me përfaqësitë diplomatike e konsullore.
Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Cyrih, përmes këtij njoftimi, përcjell mesazhin:
“Në shërbim të mërgatës, gjithmonë!”
HALF24.ch













































