MEDVEGJË – ZVICËR – Shoqata Humanitare Medvegja në Zvicër fton të gjithë bashkatdhetarët, veçanërisht medvegjasit dhe miqtë e tyre, që më 5 dhjetor të bashkohen në një festë të veçantë kushtuar 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit dhe krenarisë kombëtare shqiptare. Përmes kësaj veprimtarie festive, Shoqata synon të ruajë dhe të promovojë historinë, traditën dhe vlerat kombëtare, duke bashkuar shqiptarët rreth simbolit tonë më të shenjtë – flamurit kuqezi.
Organizatorët bëjnë thirrje që kjo ditë të shërbejë edhe si një mundësi për të mbështetur Medvegjën dhe veprimtarinë e Shoqatës Humanitare Medvegja, e cila ndër vite ka dhënë një kontribut të çmuar në shërbim të komunitetit dhe çështjes kombëtare.
“Mos ta harrojmë Medvegjën! Ta përkrahim dhe të festojmë së bashku me medvegjasit, njerëz që kanë dhënë shumë dhe vazhdojnë të japin për kombin tonë”, është mesazhi që përcillet me këtë rast.

Programi do të zhvillohet në një atmosferë festive, me muzikë, këngë dhe program artistik, duke krijuar një mundësi të bukur për takime, bashkim dhe ruajtjen e lidhjeve me vendlindjen. Shoqata Humanitare Medvegja fton të gjithë shqiptarët që t’i përgjigjen kësaj thirrjeje, sepse mbështetja për Medvegjën është më shumë se pjesëmarrje në një festë – është dëshmi e solidaritetit, respektit dhe dashurisë për rrënjët tona.
Mirë se vini të gjithë! Gëzuar 28 Nëntorin!
Me respekt,
Shoqata Humanitare Medvegja – Zvicër









