HomeSportiDuka zbulon prapaskenat e tentativave për Brajan Grudën

Duka zbulon prapaskenat e tentativave për Brajan Grudën

-

Presidenti i FSHF-së konfirmon se Shqipëria ka bërë disa përpjekje për të afruar sulmuesin me origjinë shqiptare në Kombëtare. Megjithatë, dëshira e futbollistit ka qenë të përfaqësojë Gjermaninë, duke e mbyllur përfundimisht këtë kapitull me kuqezinjtë. Brajan Gruda ishte një prej emrave që Federata Shqiptare e Futbollit kishte në fokus për ta afruar në përfaqësuesen kuqezi. Sulmuesi me origjinë shqiptare, i lindur në Gjermani, ka spikatur prej vitesh me ekipet kombëtare të moshave të këtij vendi, duke tërhequr vëmendjen edhe të drejtuesve të futbollit shqiptar. Përpjekjet e FSHF-së për ta bindur që të zgjidhte Shqipërinë janë konfirmuar nga vetë presidenti i Federatës, Armand Duka. Në një intervistë për gazetarin Endi Tufa në Top Channel, kreu i futbollit shqiptar ka zbuluar se dëshira për ta pasur Grudën në radhët e Kombëtares ka qenë e madhe dhe se kontaktet me të nuk kanë qenë thjesht një iniciativë e kohëve të fundit.

Duka vlerësoi cilësitë e sulmuesit, duke theksuar se pavarësisht origjinës shqiptare dhe dëshirës së Federatës, vendimi përfundimtar i futbollistit ka qenë për të përfaqësuar Gjermaninë.

“Padyshim që duke qenë shqiptar me prindër shqiptarë, pavarësisht se i lindur në Gjermani, kemi pasur shumë dëshirë ta kemi në skuadër, kemi provuar, por zgjedhja e tij ka qenë Gjermania dhe tashmë ky është një kapitull i mbyllur. Ai është paraqitur me Gjermaninë dhe s’mbetet gjë tjetër veçse t’i urojmë suksese në karrierën e tij sportive”, u shpreh Armand Duka.

I pyetur nëse FSHF-ja kishte tentuar ta kontaktonte Grudën edhe më herët, përpara se emri i tij të merrte më shumë vëmendje, presidenti konfirmoi se interesimi ka qenë i vazhdueshëm.

“Po, po, në çdo kohë i kemi ofruar, po vendimi i tij ka qenë që të përfaqësojë Gjermaninë”, deklaroi Duka.

Kështu, pavarësisht dëshirës së madhe të Federatës Shqiptare të Futbollit për ta veshur me fanellën kuqezi, Brajan Gruda ka zgjedhur të vazhdojë rrugëtimin e tij ndërkombëtar me Gjermaninë. Një tjetër talent me rrënjë shqiptare që nuk do të jetë pjesë e Kombëtares shqiptare, ndërsa FSHF-së nuk i mbetet gjë tjetër veçse t’i urojë suksese në karrierën e tij./TCH

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

SHQETËSIM NË MUNIH PËR JAMAL MUSIALËN

0
Ylli i Bayern Munichut është rikthyer në stërvitje, por gjendja e tij shëndetësore mbetet nën vëzhgimin e stafit mjekësor. Në klub ka pasiguri për...