Katalanasit rikthehen nga disavantazhi prej dy golash, shënojnë tri herë dhe forcojnë pozitën e parë në La Liga.
Barcelona ka regjistruar një fitore dramatike dhe spektakolare ndaj Villarrealit, duke triumfuar me rezultat 3:2 në kuadër të javës së 13-të të kampionatit spanjoll. Skuadra katalanase tregoi karakter të madh, pasi arriti të përmbyste disavantazhin prej dy golash dhe të siguronte tri pikë të rëndësishme para tifozëve të saj në “Camp Nou”. Takimi nisi në mënyrën më të mirë për mysafirët, të cilët kaluan në epërsi që në minutën e pestë. Tajon Buchanan përfitoi nga një gabim i Fermin Lopezit, mori topin në hyrje të zonës dhe me një goditje të fuqishme mposhti portierin vendas për 0:1. Villarreali nuk u ndal me kaq. Vetëm dy minuta më vonë, Alberto Moleiro asistoi për Tanitoluwa Oluwaseyin, i cili depërtoi në zonë dhe realizoi me saktësi për 0:2, duke tronditur Barcelonën.
Skuadra vendase pati mundësinë të rikthehej më shpejt në lojë, por në minutën e 23-të Lamine Yamal nuk arriti të shënonte nga pika e bardhë, pasi goditja e tij përfundoi në shtyllën e djathtë.
Megjithatë, Barcelona nuk u dorëzua. Në pjesën e dytë, katalanasit u rikthyen me një tjetër fytyrë, duke ushtruar presion të vazhdueshëm dhe duke e vënë në vështirësi mbrojtjen e Villarrealit. Në minutën e 57-të, Gerard Martín ngushtoi epërsinë në 1:2, pas një krosimi të shkëlqyer nga Pedri. Vetëm katër minuta më vonë, Fermin Lopez u përkujdes për barazimin, duke finalizuar me mjeshtëri asistimin e Lamine Yamalit për 2:2. Entuziazmi në “Camp Nou” arriti kulmin në minutën e 67-të, kur Barcelona përmbysi plotësisht rezultatin. Pas një aksioni ofensiv të katalanasve, Pau Navarro i Villarrealit devijoi topin në portën e tij, duke realizuar autogol për rezultatin 3:2. Deri në fund, Barcelona arriti ta menaxhonte epërsinë dhe të siguronte një fitore me vlerë të madhe në garën për titullin kampion. Me këtë triumf, Barcelona vazhdon të kryesojë La Ligën me 36 pikë, tri më shumë se rivali i përjetshëm, Real Madridi, që renditet në vendin e dytë. Në anën tjetër, Villarreali mbetet në pozitën e nëntë me 15 pikë. Një përmbysje që dëshmon edhe një herë se Barcelona nuk dorëzohet lehtë dhe se gara për titullin në Spanjë pritet të jetë e fortë deri në fund të sezonit./K.Goca/BS










































