HomeDiasporaZagreb, një festë e identitetit shqiptar përmes veshjeve tradicionale nga të gjitha...

Zagreb, një festë e identitetit shqiptar përmes veshjeve tradicionale nga të gjitha trevat

-

Shoqata Kulturore Shqiptare „Shkëndija“, nën drejtimin e znj. Gentiana Lleshdedaj, organizoi në Hotel Antunović në Zagreb një sfilatë të veçantë me veshje kombëtare shqiptare, duke sjellë në një skenë të vetme pasurinë e traditës, kulturës dhe identitetit shqiptar nga të gjitha trojet. Zagrebi u bë sonte skenë e një udhëtimi të veçantë në historinë dhe trashëgiminë kulturore shqiptare. Përmes një sfilate me veshje tradicionale, publiku pati mundësinë të përjetojë bukurinë dhe larminë e kostumeve popullore që përfaqësojnë krahinat e ndryshme shqiptare, nga veriu në jug dhe nga lindja në perëndim.Në këtë ngjarje ishte i pranishëm edhe Ambadadori i Kosovës në Kroaci, shkëlqesia e Tij, Prof.Dr. Martin Berishaj dhe veprimtarë të tjerë. Në këtë mbrëmje kulturore u prezantuan veshje tradicionale nga Malësia e Madhe, Ulqini, Kosova, Çamëria, Medvegja, Pollogu dhe shumë treva të tjera shqiptare. Secila veshje përcolli një histori të veçantë, duke dëshmuar jo vetëm mjeshtërinë e punimit dhe të qëndisjes, por edhe kujtesën historike, zakonet dhe identitetin që është ruajtur brez pas brezi.

Një vend të veçantë në këtë prezantim zuri xhubleta e Malësisë së Madhe, një nga simbolet më të lashta dhe më përfaqësuese të trashëgimisë kulturore shqiptare. Me historinë e saj mijëravjeçare dhe veçantinë e jashtëzakonshme artistike, xhubleta përfaqëson një pasuri të çmuar të kulturës sonë, e njohur dhe e mbrojtur edhe nga UNESCO si trashëgimi kulturore jomateriale që kërkon ruajtje urgjente. Kjo sfilatë nuk ishte thjesht një prezantim i veshjeve tradicionale, por një dëshmi e gjallë e vazhdimësisë së identitetit shqiptar. Çdo kostum që parakaloi në skenë solli me vete historinë e një vendi, punën e palodhur të grave shqiptare që i krijuan dhe i ruajtën këto vlera, si dhe dashurinë për traditën që vazhdon të përcillet te brezat e rinj. Meritë e veçantë për organizimin e kësaj mbrëmjeje i takon Shoqatës Kulturore Shqiptare „Shkëndija“ dhe drejtueses së saj, znj. Gentiana Lleshdedaj, për përkushtimin në promovimin, ruajtjen dhe kultivimin e trashëgimisë kulturore shqiptare në Kroaci.

Në një kohë kur ruajtja e identitetit kombëtar merr një rëndësi të veçantë, veprimtari të tilla dëshmojnë se tradita nuk është vetëm kujtim i së kaluarës, por një vlerë e gjallë që na bashkon dhe na përfaqëson kudo që jetojmë. Mbrëmja në Zagreb ishte një mesazh i qartë se shqiptarët, pavarësisht kufijve gjeografikë, mbeten të lidhur përmes gjuhës, kulturës, historisë dhe trashëgimisë së tyre. Sepse veshjet tona tradicionale nuk janë thjesht kostume, por janë histori të veshura, identitet i qëndisur dhe kujtesë që nuk shuhet. Një falënderim i veçantë për organizatorët, pjesëmarrësit dhe të gjithë ata që kontribuuan në realizimin e kësaj mbrëmjeje, e cila i dha Zagrebit ngjyrat, bukurinë dhe shpirtin e traditës shqiptare, transmeton Ambasada e Kosovës në Kroaci, përcjell HALF24.ch.

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

Bota dështon të bashkohet për klimën: COP31 mbyllet pa marrëveshje në...

0
Përplasjet për naftën, gazin dhe qymyrin bllokojnë negociatat klimatike në Antalia. OKB-ja paralajmëron se shkenca nuk pret, ndërsa angazhimet e qeverive mbeten larg urgjencës...