HomeAtdheuMbi 82.9 milionë euro për skemat sociale në Kosovë gjatë tetorit, përfitojnë...

Mbi 82.9 milionë euro për skemat sociale në Kosovë gjatë tetorit, përfitojnë mbi 737 mijë raste

-

Pensionistët, familjet në nevojë, fëmijët, lehonat dhe kategoritë e dala nga lufta vazhdojnë të jenë ndër përfituesit kryesorë të skemave të mirëqenies sociale në Kosovë. Gjatë muajit tetor 2026, për këto skema janë ndarë gjithsej 82,924,004.45 euro.

Skemat e mirëqenies sociale në Kosovë kanë vazhduar të luajnë një rol të rëndësishëm në mbështetjen financiare të qytetarëve, duke përfshirë kategori të ndryshme që varen nga përkrahja institucionale. Sipas të dhënave statistikore të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), gjatë tetorit janë regjistruar gjithsej 737,712 përfitime në kategoritë e paraqitura, ndërsa shuma e përgjithshme e mjeteve të ndara ka arritur në afro 82.9 milionë euro. Pjesën më të madhe të përfitimeve e përbëjnë shtesat për fëmijë, me 375,185 përfitues, për të cilët janë ndarë 13,556,340 euro. Ndërsa pensionet bazike të moshës kanë përfshirë 174,399 përfitues, me një shumë prej 27,781,920 eurosh.

Mbështetje të konsiderueshme financiare kanë marrë edhe pensionistët kontributpagues. Në këtë kategori janë regjistruar 47,654 përfitues, ndërsa pagesat kanë arritur në 11,649,070 euro. Një tjetër kategori e rëndësishme janë veteranët e luftës, me 39,777 përfitues dhe 7,846,468.10 euro të ndara gjatë muajit tetor. Ndërkaq, Skema e Ndihmës Sociale ka përfshirë 14,444 përfitues, për të cilët janë shpenzuar 2,135,692 euro, duke synuar lehtësimin e gjendjes ekonomike të familjeve më të cenueshme.

Në listën e përfituesve janë përfshirë gjithashtu lehonat e punësuara dhe të papunësuara, fëmijët me aftësi të kufizuara, personat me aftësi të kufizuara dhe kategori të tjera të përcaktuara me legjislacionin në fuqi. Duhet theksuar se numri prej 737,712 përfitimesh nuk përfaqëson domosdoshmërisht po aq qytetarë të veçantë, pasi një person mund të jetë përfitues i më shumë se një skeme sociale. Të dhënat e ASK-së dëshmojnë për peshën e konsiderueshme që kanë skemat sociale në mbështetjen ekonomike të qytetarëve të Kosovës. Megjithatë, krahas ndihmës financiare, sfidë mbetet krijimi i mundësive për punësim, përmirësimi i standardit të jetesës dhe ndërtimi i një sistemi të qëndrueshëm të mbrojtjes sociale, transmeton rtk.

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

Mbi një miliard njerëz në botë jetojnë me obezitet, OBSH dhe...

0
Obeziteti po shndërrohet në një nga sfidat më serioze të shëndetit publik në nivel global. Për herë të parë, në vitin 2025, numri i...