E ardhmja e kontingjentit amerikan në KFOR mbetet e paqartë, ndërsa Uashingtoni po rishikon praninë e tij ushtarake në Evropë. Një burim i Radios Evropa e Lirë pretendon se ekziston një plan për reduktim të ndjeshëm të trupave amerikane në Kosovë, por ky informacion ende nuk është konfirmuar zyrtarisht.
PRISHTINË – Prania ushtarake amerikane në Kosovë mund të pësojë ndryshime të rëndësishme në vitet e ardhshme, në kuadër të rishikimit të angazhimit ushtarak të Shteteve të Bashkuara në Evropë. E ardhmja e kontingjentit amerikan në kuadër të misionit paqeruajtës të NATO-s, KFOR, mbetet ende e paqartë, ndërsa aleatët po zhvillojnë konsultime për riorganizimin e forcave. Sipas një raportimi të Radios Evropa e Lirë (REL), një burim që ka kërkuar të mbetet anonim pretendon se ekziston një plan për reduktimin e ndjeshëm të numrit të ushtarëve amerikanë në Kosovë. Sipas këtij burimi, nga rreth 650 ushtarë sa vlerësohet të jenë aktualisht, numri mund të zbresë në afërsisht 50 deri në shkurt të vitit 2028. Megjithatë, ky informacion nuk është konfirmuar në mënyrë të pavarur nga REL dhe as autoritetet amerikane apo NATO-ja nuk kanë bërë publik ndonjë plan të tillë.
Gjermania konfirmon koordinimin me SHBA-në
Në lidhje me të ardhmen e KFOR-it, Ministria gjermane e Mbrojtjes ka konfirmuar se Berlini është në koordinim të vazhdueshëm me NATO-n dhe aleatët, përfshirë Shtetet e Bashkuara. Një zëdhënës i kësaj ministrie ka theksuar se forcat amerikane kanë një rol të rëndësishëm në misionin paqeruajtës në Kosovë, por nuk ka dhënë përgjigje të drejtpërdrejtë nëse është diskutuar mundësia e reduktimit të kontingjentit amerikan. Sipas tij, hollësitë e planifikimit të misionit nuk mund të bëhen publike për arsye sigurie. Këto deklarata vijnë pas konsultimeve të mbajtura më 17 nëntor në Bruksel, ku përfaqësuesit e NATO-s diskutuan me zyrtarin e lartë të Pentagonit, Elbridge Colby, për të ardhmen e pranisë ushtarake amerikane në Evropë. Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, kishte paralajmëruar më herët se priten ndryshime në numrin e trupave amerikane, por pa dhënë detaje për përmasat e tyre. Ndërkohë, Colby ka shprehur shpresën që rishikimi i pranisë ushtarake amerikane në Evropë të përfundojë deri më 1 dhjetor. Ai ka theksuar se Uashingtoni duhet t’i shpërndajë forcat e tij në përputhje me interesat dhe nevojat globale të sigurisë, përfshirë rajonin e Indo-Paqësorit.
SHBA-ja ka paralajmëruar përshtatjen e kontributit në KFOR
Në muajin qershor, Komanda Evropiane e Shteteve të Bashkuara kishte konfirmuar se kontributi amerikan në KFOR do të përshtatet gradualisht, në përputhje me planet e NATO-s dhe vlerësimet e situatës së sigurisë. Megjithatë, në atë kohë nuk ishte bërë e ditur se sa ushtarë mund të preken nga këto ndryshime. Sipas raportimit të REL-së, burimi anonim pretendon se synimi është që brenda dy vjetësh SHBA-ja të ketë një rol dukshëm më të kufizuar ushtarak në Kosovë. Disa pozita amerikane mund të vazhdojnë të mbahen në shtabin e KFOR-it, në kampin Film City në Prishtinë.
NATO-ja paralajmëron ndryshime graduale
Edhe NATO-ja kishte njoftuar në qershor se do të përshtatë gradualisht praninë e saj ushtarake në Kosovë, me synimin që numri i trupave të kthehet brenda një viti në nivelet e para vitit 2023. Ky vendim është arsyetuar me përmirësimin e situatës së sigurisë, pas përforcimeve të dërguara në Kosovë në vitin 2023, kur tensionet në veri u përshkallëzuan, përfshirë sulmet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it dhe sulmin e armatosur në Banjskë. Sipas një zyrtari të NATO-s, në tetor misioni kishte rreth 4.600 ushtarë nga vendet anëtare dhe partnere. Ndryshimet do të realizohen gradualisht dhe do të varen nga vlerësimet e sigurisë në terren. Aleanca ka bërë të qartë se çdo reduktim mund të pezullohet ose të kthehet mbrapsht nëse rrethanat e sigurisë e kërkojnë këtë. Po ashtu, NATO-ja ka theksuar se është e gatshme ta përforcojë KFOR-in në rast të rrezikimit të sigurisë së Kosovës apo stabilitetit rajonal.
A do ta shtojë Gjermania numrin e ushtarëve në Kosovë?
Një tjetër çështje që shtrohet në këtë situatë është mundësia e rritjes së pranisë ushtarake gjermane në Kosovë, në rast të reduktimit të kontingjentit amerikan. Ministria gjermane e Mbrojtjes nuk ka dhënë përgjigje konkrete për këtë mundësi, por ka rikujtuar se Bundestagu gjerman në qershor e zgjati edhe për një vit mandatin e pjesëmarrjes së forcave gjermane në KFOR, duke autorizuar dislokimin e deri në 400 ushtarëve. Shtetet e Bashkuara udhëheqin Komandën Rajonale Lindje të KFOR-it, me seli në kampin Bondsteel, afër Ferizajt. Prania amerikane në Kosovë daton që nga viti 1999, kur NATO-ja vendosi misionin paqeruajtës pas përfundimit të luftës.
KFOR-i vazhdon të veprojë në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Pavarësisht diskutimeve për riorganizimin e forcave, NATO-ja ka siguruar se mandati i KFOR-it dhe angazhimi i saj për ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë mbeten të pandryshuara. Për Kosovën, çdo ndryshim në praninë ushtarake amerikane është çështje me rëndësi të veçantë strategjike, duke pasur parasysh rolin historik dhe kontributin e SHBA-së në çlirimin, sigurinë dhe shtetndërtimin e vendit./REL/TCH









