HomeKulturaSi u prit Shpallja e Pavarësisë në qytetet e Çamërisë në vitin...

Si u prit Shpallja e Pavarësisë në qytetet e Çamërisë në vitin 1912

-

Nga: Arben Iliazi

Para vitit 1912, klubet patriotike të Çamërisë luajtën një rol vendimtar në zgjimin kombëtar, ruajtjen e identitetit shqiptar dhe përgatitjen e terrenit për Shpalljen e Pavarësisë. Pas Revolucionit të Xhonturqve në vitin 1908, kur u lejua përkohësisht një shkallë e lirisë së organizimit, intelektualët dhe patriotët çamë ngritën me shpejtësi shoqëri dhe klube që u kthyen në vatra të fuqishme të arsimit dhe rezistencës politik.

Detyra parësore e klubeve çame ishte luftimi i analfabetizmit dhe asimilimit përmes shpërndarjes së librave dhe hapjes së shkollave në gjuhën amtare.

Klubi “Vëllazëria” i Filatit, i themeluar nga patriotë si Mehmet Sejko dhe Musa Demi, hapi më 25 gusht 1909 shkollën e parë fillore shqipe në Filat. Meqenëse autoritetet osmane nuk financonin arsimin shqip, shkolla nisi fillimisht në shtëpinë private të Mehmet Sejkos. Musa Demi dhe Rasih Dino mblodhën fonde nga vetë qytetarët për ndërtimin e një godine të posaçme shkollore.

Klubet e Paramithisë dhe Margëlliçit, të organizuara nën drejtimin e Aziz Tahir Ajdonatit (Çami), u bënë qendra të rëndësishme për sigurimin e abetareve dhe teksteve shkollore që silleshin ilegalisht nga Klubi i Selanikut dhe ai i Janinë. Klubet patriotike në Çamëri shërbyen si barriera politike kundër përpjekjeve të qarqeve shoviniste fqinje dhe klerit grek, të cilët tentonin t’i identifikonin shqiptarët e krishterë çamë si grekë dhe shqiptarët myslimanë si turq. Përmes botimeve dhe takimeve publike, klubet theksonin unitetin kombëtar mbi bazën e gjuhës dhe gjakut, duke bashkuar popullsinë pavarësisht besimit fetar.

Klubet e Çamërisë nuk funksiononin të izoluara; ato mbanin lidhje të ngushta me Klubin Shndritja të Janinës, me klubet e trojeve të tjera shqiptare dhe me mërgatën në Stamboll e Bukuresht.

Përmes gazetave të kohës, si gazeta “Shqiptari” e Stambollit, klubet çame lëshonin apele dhe memorandume drejtuar Fuqive të Mëdha për të mbrojtur të drejtat administrative dhe territoriale të Shqipërisë Jugore. Kur situata në Ballkan u tensionua para vitit 1912, ishin pikërisht udhëheqësit e këtyre klubeve ata që organizuan mbrojtjen territoriale dhe zgjodhën delegatët që do të përfaqësonin Çamërinë në Kuvendin Historik të Vlorës. Pa punën paraprake arsimore, kulturore dhe patriotike të këtyre klubeve, rezistenca e organizuar çame në vitet 1912–1913 dhe ngritja e zërit për përfshirjen e kësaj krahine brenda shtetit shqiptar do të kishin qenë të pamundur.

Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë më 28 Nëntor 1912 u prit në qytetet e Çamërisë me një përzierje të skajshme entuziazmi patriotik, por edhe me një ankth të madh ekzistencial. Kjo krahinë ndodhej në vijën e parë të frontit të Luftës së Parë Ballkanike, e rrethuar nga operacionet e ushtrisë greke dhe bandat andarte.

Në qytete si Filati dhe Gumenica, ku klubet patriotike si “Vëllazëria” kishin bërë një punë të madhe paraprake, lajmi për ngritjen e flamurit në Vlorë u prit me manifestime festive të fshehta ose gjysmë-publike.

Popullsia vendase e përqafoi menjëherë vendimin e Kuvendit të Vlorës.

Megjithatë, për shkak se ushtria greke po përparonte me shpejtësi dhe po bombardonte zonat përreth, festimet u ndërprenë shpejt nga nevoja për të rrokur armët. Shumë djem çamë iu bashkuan menjëherë çetave të Muharrem Rushitit për të mbrojtur qytetet e tyre, duke e parë pavarësinë si një thirrje për mbrojtjen e tokës.

Në Paramithi dhe Margëlliç, sapo mbërriti lajmi i përcjellë nga lajmëtarët dhe rrjetet e fshehta të klubeve, krerët e mbetur vendas organizuan mbledhje nëpër xhami dhe shtëpi të mëdha patriotike për t’i bërë me dije popullit se Çamëria zyrtarisht ishte shpallur pjesë e Shqipërisë së lirë.

U shpërndanë fletushka dhe u mbajtën fjalime ku bëhej thirrje për unitet mes të krishterëve dhe myslimanëve çamë nën flamurin e Skënderbeut. Ndjenja e gëzimit u kthye shpejt në një mobilizim ushtarak: paria e qyteteve filloi të mblidhte ndihma, ushqime dhe municione për t’ua dërguar çetave mbrojtëse që po luftonin nëpër qafa malesh për të ndalur andartë

Në Prevezë (e cila kishte rënë në duart e ushtrisë greke që në tetor të vitit 1912) dhe në Janinë (e cila ishte nën një rrethim të egër e të gjatë), lajmi u prit me një gëzim të mbytur dhe në ilegalitet të plotë.

Shqiptarët e Janinës dhe Prevezës e panë aktin e Vlorës si shpresën e fundit diplomatike për shpëtimin e tyre.

Intelektualët e këtyre qyteteve mbanin vesh radio-telegrafët e kohës dhe shpërndanin lajmet e fshehta, por censura dhe prania e forcave ushtarake greke e bënin të pamundur çdo lloj manifestimi të hapur pa rrezikuar jetën. Për qytetet e Çamërisë, 28 Nëntori 1912 nuk ishte thjesht një ditë feste, por një thirrje kushtrimi. Gëzimi i madh për lindjen e shtetit shqiptar u shoqërua menjëherë me vetëdijen se kjo pavarësi duhej mbrojtur me gjak në terren, pasi ushtritë ballkanike kishin mbyllur darën rreth qyteteve të tyre për t’i shkëputur nga Shqipëria.

Raportet e konsujve të huaj, me në krye ata austro-hungarezë, përbëjnë dëshmitë më rrëqethëse, objektive dhe të detajuara dokumentare mbi gjendjen tragjike në Çamëri në fund të vitit 1912. Vjena zyrtare kishte një interes jetik gjeopolitik për krijimin e një shteti shqiptar me kufij etnikë (për të frenuar daljen e sllavëve dhe grekëve në Adriatik), prandaj diplomatët e saj në Janinë (si konsulli Bilinski), Prevezë e Vlorë ndiqnin hap pas hapi çdo zhvillim historik dhe demografik të krahinës.

Nga analizat e këtyre raporteve sekrete të dërguara drejt Vjenës në nëntor dhe dhjetor të vitit 1912, veçohen katër konstatime kryesore:

1. Dokumentimi i Spastrimit Etnik dhe Terrorit mbi Civilët

Konsujt austro-hungarezë përshkruanin me hollësi se si bandat e armatosura greke (andartët) dhe trupat e rregullta, sapo hynin në fshatrat çame, ndiqnin një strategji të hapur terrori për të detyruar popullsinë të ikte.

Në raporte flitet për djegien e qëllimtë të qindra shtëpive, grabitjen e gjësë së gjallë dhe pasurisë së familjeve myslimane shqiptare.

Dokumentet vënë në dukje se ky terror kishte si synim kryesor t’u tregonte Fuqive të Mëdha një rajon “të zbrazur nga shqiptarët”, për të justifikuar aneksimin e mëvonshëm. Konsujt e huaj nuk pasqyronin vetëm vuajtjet, por edhe anën ushtarake në terren. Në telegramet e tyre njoftohej Vjena se popullsia çame nuk po dorëzohej pa luftë.

Raportet e fund-nëntorit 1912 përshkruanin se si çetat vullnetare çame (si ajo e Muharrem Rushitit) po luftonin me një trimëri të jashtëzakonshme nëpër male për të mbrojtur rrugëkalimet drejt veriut.

Diplomatët e huaj vinin në dukje pabarazinë e madhe: shqiptarët po mbroheshin me armë të vjetra dhe pa municione të mjaftueshme, përballë një ushtrie greke të pajisur me artileri moderne. Një nga kontributet më të mëdha të këtyre raporteve ishte përcaktimi i saktë etnografik i zonës. Për të kundërshtuar propagandën e Athinës (e cila pretendonte se i gjithë Vilajeti i Janinës ishte grek), konsulli austro-hungarez në Janinë dërgonte skica dhe statistika të hollësishme.

Në raportet e dhjetorit 1912, Vjena informohej zyrtarisht se qytetet dhe fshatrat e Çamërisë (Filati, Gumenica, Margëlliçi, Paramithia) ishin të banuara nga një shumicë dërrmuese shqiptare.

Diplomatët theksonin se edhe shqiptarët e krishterë të kësaj krahine flisnin vetëm shqip dhe pavarësisht presionit të klerit ortodoks, ndanin të njëjtat doke e zakone me pjesën tjetër të popullsisë.

Raportet konsullore njoftonin me shqetësim se në zonat e pushtuara (si Preveza), autoritetet e reja greke kishin nisur menjëherë mbylljen e çdo vatre të kulturës shqiptare, ndalimin e përdorimit të gjuhës amtare dhe arrestimin e intelektualëve çamë që kishin udhëhequr klubet patriotike.

Këto dokumente, të cilat sot ruhen në Arkivat e Vjenës (Haus-, Hof- und Staatsarchiv), mbeten prova më e pakontestueshme historike se Çamëria në fund të vitit 1912 u pushtua përmes një lufte të përgjakshme asimetrike, duke thyer me dhunë vullnetin e shprehur të popullit të saj për të qenë pjesë e Shqipërisë së Pavarur.

Raportet e konsujve dhe diplomatëve italianë për të njëjtën periudhë (fundi i vitit 1912) plotësojnë në mënyrë mjaft të saktë dëshmitë austro-hungareze. Ndryshe nga Austro-Hungaria, e cila kishte një qëndrim prerësisht pro-shqiptar për kufijtë jugorë, Italia mbante një pozicion më kompleks dhe të lëkundur, të kushtëzuar nga rivaliteti i saj me Vjenën në Adriatik dhe dëshira për të mos u prishur përfundimisht me Greqinë

Megjithatë, në rrafshin e vëzhgimit objektiv, raportet sekrete të dërguara nga nënkonsujt dhe agjentët italianë nga Janina, Preveza, Korfuzi dhe Vlora drejt Ministrisë së Punëve të Jashtme në Romë (të pasqyruara në seritë e Dokumenteve Diplomatike Italiane) vërtetonin realitetin e hidhur në terren.

Diplomatët italianë, ashtu si kolegët e tyre austro-hungarezë, nuk mund t’i fshihnin përmasat e dhunës andarte.

Raportet italiane të muajve nëntor-dhjetor 1912 vinin në dukje se bandat greke po kryenin reprezalje të ashpra mbi popullsinë civile myslimane në Çamëri.

Flitej për grabitje masive të bagëtive, sekuestrim të pronave dhe djegie të fshatrave me qëllim thyerjen e çdo rezistence. Këto raporte madje detyruan Romën zyrtare që, në mes të dhjetorit 1912, të bënte një demarsh diplomatik në Athinë, duke i kërkuar ministrit të jashtëm grek, Koromilas, që trupat greke të mos kryenin reprezalje mbi popullsinë vendase çame. Në raportet e nënkonsujve italianë pranohej hapur se popullsia e krahinave të Filatit, Margëlliçit e Paramithisë ishte rreptësisht shqiptare dhe po vetëmbrohej.

Ata përshkruanin se si çetat e armatosura të Muharrem Rushitit dhe krerëve të tjerë vendas po bënin një rezistencë të fortë guerile.

Agjentët italianë vërenin se kjo popullsi nuk e dëshironte sundimin grek dhe po organizohej për t’u deklaruar pro qeverisë së sapoformuar të Vlorës nën udhëheqjen e Ismail Qemali.

Një pikë specifike që dominon në raportet e konsujve italianë është shqetësimi gjeopolitik dhe ushtarak mbi Kanalin e Korfuzit.

Për Romën, aneksimi i plotë i Çamërisë dhe sidomos i pikave bregdetare si Preveza, Gumenica dhe Saranda nga ushtria greke, përbënte një rrezik strategjik

Konsujt italianë paralajmëronin qeverinë e tyre se nëse Greqia do të kontrollonte të dyja anët e Kanalit të Korfuzit, ajo do ta kthente atë në një bazë të fuqishme detare ushtarake, gjë që do të kërcënonte epërsinë e Italisë në detin Jon dhe në ngushticën e Otrantos.

Ndonëse raportet e tyre pranonin natyrën etnike shqiptare të Çamërisë dhe dhunën ndaj saj, në nivel strategjik Italia nuk bëri aq sa Austro-Hungaria për ta mbajtur rajonin brenda Shqipërisë. Italia pranoi skenarin e kompromisit: mbështeti lënien e Gjirokastrës dhe Korçës brenda Shqipërisë, por sakrifikoi Çamërinë për të kënaqur pretendimet e Athinës, duke u mjaftuar me garanci sipërfaqësore nga Greqia se popullsia shqiptare e mbetur atje do të respektohe.

Këto dokumente dëshmojnë se ashtu si Austria, edhe Italia ishte plotësisht në dijeni të spastrimit etnik dhe të faktit që Çamëria po shkëputej me dhunë ushtarake nga trungu shqiptar, por interesat e saj të ftohta gjeopolitike peshuan më shumë se e drejta etnike e popullit çam.

Reagimi i Ismail Qemalit ndaj raporteve konsullore dhe masakrave në jug (përfshirë Çamërinë) ishte i menjëhershëm, i ashpër dhe i përqendruar plotësisht në diplomacinë ndërkombëtare. Kryeministri i parë shqiptar ishte i vetëdijshëm se qeveria e tij e sapolindur në Vlorë nuk kishte kapacitete ushtarake për të mbrojtur jugun përballë ushtrisë greke, ndaj ai e ktheu informacionin e marrë nga konsujt në një armë të fuqishme diplomatike.

Sapo merrte konfirmimet nga rrjetet e fshehta të informacionit dhe nga zyrat konsullore austro-hungareze e italiane në Vlorë për djegiet e fshatrave dhe masakrat ndaj civilëve çamë, Ismail Qemali u dërgonte nota zyrtare proteste gjashtë Fuqive të Mëdha (Londrës, Parisit, Berlinit, Vjenës, Romës dhe Shën Petersburgut).

Në këto telegrame, ai denoncoi me emra specifikë fshatrat e djegura në rrethinat e Filatit, Paramithisë dhe Margëlliçit.

Ai akuzoi hapur Greqinë për “luftë shfarosëse” ndaj popullsisë autoktone shqiptare, duke argumentuar se këto krime po kryheshin me qëllim që të tjetërsohej dhunshëm realiteti demografik i krahinës përpara se Fuqitë e Mëdha të vendosnin për kufijtë.

Ismail Qemali kërkoi me këmbëngulje nga Konferenca e Londrës që të mos bazohej në deklaratat propagandistike të Athinës, por të dërgonte një komision të pavarur ndërkombëtar në terren për të verifikuar masakrat.

Ai u bëri thirrje Fuqive të Mëdha të ndërhynin ushtarakisht për të ndaluar gjakderdhjen, duke theksuar se “gjendja e popullsisë civile në Çamëri dhe rrethinat e Janinës ishte e padurueshme dhe po shkonte drejt një katastrofe njerëzore”.

Ky presion i vazhdueshëm diplomatik ndikoi pjesërisht që Fuqitë e Mëdha të krijonin më vonë Komisionin Ndërkombëtar të Kufijve, i cili verifikoi karakterin shqiptar të zonave ku arriti të kalonte.

Ismail Qemali i shfrytëzoi raportet e vetë konsujve të huaj (sidomos atyre austro-hungarezë) për t’ua kthyer si pasqyrë diplomatike vetë shteteve europiane. Gjatë udhëtimit të tij diplomatik në Romë, Vjenë, Paris dhe Londër në pranverën e vitit 1913, ai u deklaroi ministrave të jashtëm europianë:

“Ju vetë e dini përmes konsujve tuaj se kush jeton në ato toka dhe çfarë po ndodh atje. Lënia e këtyre trevave shqiptare në duart e atyre që po ushtrojnë terror mbi to, do të jetë një njollë për vetë Europën dhe një burim i përhershëm destabiliteti në Ballkan.”

Përveç betejës me penë dhe diplomaci, Ismail Qemali u përball me pasojat e drejtpërdrejta të masakrave: fluksin e mijëra refugjatëve të shpërngulur nga jugu.

Ai urdhëroi administratën e varfër të qeverisë së Vlorës që të bashkëpunonte me familjet e mëdha qytetare për të siguruar strehim, bukë dhe ndihmë mjekësore për familjet çame që kishin ikur vetëm me rrobat e trupit.

Ai përdori praninë e këtyre refugjatëve në Vlorë si një dëshmi të gjallë përpara gazetarëve të huaj dhe konsujve, të cilët i vizitonin këto kampe improvizuese për të parë me sytë e tyre pasojat e dhunës andarte.

Pavarësisht zërit të fuqishëm të Ismail Qemalit dhe fakteve të pakundërshtueshme që rridhnin nga raportet e konsujve, interesat e ftohta gjeopolitike të Fuqive të Mëdha në Konferencën e Londrës bënë që thirrjet e tij të injoroheshin, duke vulosur fatin tragjik të mbetjes së Çamërisë jashtë kufijve të Shqipërisë./GD

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

Ky është një burrë kombi

0
Nga: Aleksandër Çipa Ky nuk është thjesht portreti i plakur i Jakup Krasniqit, me honin e dhimbjes për mosnjohjen e kontributit për lirinë dhe të...