Lidhja e Bizneseve të Kosovës (LBK), me një delegacion prej 30 përfaqësuesish të bizneseve dhe institucioneve të Kosovës, siç mëson HALF24.ch po merr pjesë në Forumin Ekonomik dhe takimet B2B në Izmir të Turqisë, në kuadër të aktiviteteve “Ditët e Kosovës në Izmir”.

Gjatë këtij forumi, Lidhja e Bizneseve të Kosovës po zhvillon takime me përfaqësues të institucioneve, organizatave ekonomike dhe kompanive turke, me synim krijimin e partneriteteve të reja, zgjerimin e bashkëpunimit tregtar, nxitjen e investimeve dhe hapjen e mundësive të reja për bizneset e të dyja vendeve. Përmes takimeve B2B, kompanitë anëtare të LBK-së kanë mundësinë të prezantojnë kapacitetet, produktet dhe shërbimet e tyre, si dhe të vendosin kontakte të drejtpërdrejta me kompani potenciale partnere nga Turqia.

Një zhvillim i rëndësishëm në këtë drejtim është edhe nënshkrimi i Marrëveshjes së Mirëkuptimit ndërmjet Komunës Metropolitane të Izmirit dhe Lidhjes së Bizneseve të Kosovës, e cila synon të krijojë një platformë të qëndrueshme bashkëpunimi ekonomik dhe institucional. Lidhja e Bizneseve të Kosovës vlerëson se marrëdhëniet ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Turqisë kanë potencial të madh për zhvillim të mëtejshëm. Kosova, me pozitën e saj strategjike në Ballkan, infrastrukturën dhe qasjen në tregjet rajonale, ofron mundësi konkrete për investitorët dhe kompanitë ndërkombëtare. Qëllimi ynë është që këto takime të mos mbeten vetëm në nivel të kontakteve dhe diskutimeve, por të shndërrohen në marrëveshje konkrete, investime, shkëmbime tregtare dhe projekte të përbashkëta në të ardhmen.

Lidhja e Bizneseve të Kosovës do të vazhdojë të jetë një urë lidhëse ndërmjet bizneseve vendore dhe partnerëve ndërkombëtarë, duke përfaqësuar interesat e sektorit privat dhe duke promovuar potencialin ekonomik të Republikës së Kosovës.
Nga bashkëpunimi drejt zhvillimit, investimeve dhe partneriteteve të qëndrueshme!
Lidhja e Bizneseve të Kosovës (LBK), transmeton HALF24.ch











































