Sanksionet pas ndeshjes Kosovë–Izrael në Prishtinë lidhen me sjelljet e tifozëve, incidentet në tribuna dhe mesazhin e transmetuar gjatë takimit.
Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) është ndëshkuar nga Konfederata Evropiane e Futbollit (UEFA), pas incidenteve të regjistruara gjatë ndeshjes ndërmjet Kosovës dhe Izraelit, e zhvilluar më 14 nëntor në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Takimi, i vlefshëm për xhiron e pestë të Ligës B të Kombeve, kishte përfunduar me rezultat të barabartë 0:0.
Organi i Kontrollit, Etikës dhe Disiplinës i UEFA-s (CEDB) ka shqiptuar një gjobë të përgjithshme prej 42.250 eurosh ndaj FFK-së, duke konstatuar disa shkelje të rregullave disiplinore gjatë kësaj ndeshjeje.
Sipas vendimit zyrtar të UEFA-s, sanksionet lidhen me sjelljet raciste dhe/ose diskriminuese, hedhjen e gjësendeve në fushën e lojës, shqetësimet e shkaktuara gjatë intonimit të himneve kombëtare, si dhe transmetimin e një mesazhi të konsideruar të papërshtatshëm për një ngjarje sportive.
Nga shuma e përgjithshme, FFK-ja është gjobitur me 10.000 euro për sjellje raciste dhe/ose diskriminuese. Për këtë shkelje, UEFA ka vendosur edhe mbylljen e pjesshme të stadiumit “Fadil Vokrri”, konkretisht të sektorit L2 ose të një sektori me madhësi të barabartë, në ndeshjen e ardhshme evropiane ku Kosova do të jetë vendase.
Megjithatë, ky sanksion është pezulluar për një periudhë prove prej dy vjetësh. Kjo nënkupton se mbyllja e sektorit nuk do të zbatohet menjëherë, por mund të hyjë në fuqi në rast se gjatë kësaj periudhe përsëritet një shkelje e ngjashme disiplinore.
Ndërkohë, për hedhjen e gjësendeve në fushën e lojës, federata është dënuar me 2.250 euro, ndërsa për shqetësimet gjatë intonimit të himneve kombëtare është shqiptuar një gjobë prej 10.000 eurosh.
Sanksioni më i lartë individual, prej 20.000 eurosh, është vendosur për transmetimin e një mesazhi që UEFA e ka vlerësuar si të papërshtatshëm për një ngjarje sportive.
Në vendimin e saj, UEFA rikujton se masat disiplinore të pezulluara nuk hyjnë në fuqi menjëherë, por mund të aktivizohen nëse gjatë periudhës së provës kryhet një shkelje tjetër e natyrës së ngjashme, në përputhje me nenin 26, paragrafi 3, të Rregullores Disiplinore.
Ky vendim përbën një goditje financiare për Federatën e Futbollit të Kosovës dhe një paralajmërim të qartë për përgjegjësinë e organizatorëve në garantimin e sjelljes sportive, respektimin e rregullave të UEFA-s dhe ruajtjen e standardeve të organizimit të ndeshjeve ndërkombëtare./K.Goca/BS









