HomeDiasporaHoti takohet me ministrin kroat Tomo Medved

Hoti takohet me ministrin kroat Tomo Medved

-

Bashkëpunimi në ruajtjen e trashëgimisë historike, memorializimi i luftës çlirimtare dhe çështja e personave të zhdukur ishin ndër temat kryesore të takimit. Hoti vlerësoi kontributin e shqiptarëve në çlirimin e Kroacisë, duke kujtuar edhe dëshmorët Xhelal Hajdën – Tonin dhe Selajdin Mullabazin – Micin.

Ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare i Republikës së Kosovës, Andin Hoti, ka zhvilluar një takim me zëvendëskryeministrin dhe ministrin kroat të Veteranëve, Tomo Medved, me të cilin ka diskutuar për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë, veçanërisht në fushën e ruajtjes së vlerave të luftës dhe mbrojtjes së trashëgimisë historike. Gjatë këtij takimi u trajtuan një sërë çështjesh me rëndësi për të dy shtetet, përfshirë promovimin e vlerave të luftës çlirimtare, mbrojtjen e të drejtave të kategorive të luftës dhe shkëmbimin e përvojave institucionale në këtë drejtim. Një vëmendje e veçantë iu kushtua përvojës së Kroacisë në memorializimin e luftës, me theks të veçantë te Qendra Memoriale e Vukovarit, e cila u vlerësua si një model i rëndësishëm që mund t’i shërbejë edhe Kosovës në dokumentimin, ruajtjen dhe promovimin e historisë së luftës çlirimtare.

Ministri Hoti theksoi rëndësinë e kontributit të shqiptarëve në luftën për çlirimin e Kroacisë, duke e cilësuar këtë angazhim si një pjesë të rëndësishme të historisë së përbashkët dhe të lidhjeve të miqësisë ndërmjet dy popujve.

Në këtë kontekst, ai kujtoi me krenari dy dëshmorët nga Rahoveci, Xhelal Hajdën – Tonin dhe Selajdin Mullabazin – Micin, të cilët fillimisht kontribuuan në luftën për lirinë e Kroacisë dhe më pas ranë dëshmorë për lirinë e Kosovës.

Hoti shprehu mirënjohje për respektin dhe nderimin që shteti kroat vazhdon të tregojë ndaj këtyre figurave dhe familjeve të tyre, duke theksuar se sakrifica e tyre mbetet një dëshmi e lidhjes së veçantë historike ndërmjet shqiptarëve dhe kroatëve.

Një tjetër çështje e rëndësishme e diskutimit ishte ajo e personave të zhdukur gjatë luftës. Në këtë drejtim, të dy përfaqësuesit u dakorduan për konkretizimin e bashkëpunimit përmes një marrëveshjeje ndërmjet ministrive përkatëse të të dy shteteve, me synim avancimin e bashkëpunimit institucional në këtë fushë të ndjeshme. Gjatë takimit u shkëmbyen gjithashtu pikëpamje për çështje të tjera me interes të përbashkët strategjik. Në përfundim, ministri Hoti falënderoi homologun kroat për mikpritjen dhe mbështetjen e vazhdueshme të Kroacisë ndaj Kosovës, ndërsa e ftoi atë për një vizitë zyrtare në vendin tonë. Ky takim përbën një tjetër dëshmi të marrëdhënieve miqësore ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë, të ndërtuara mbi historinë, solidaritetin, sakrificën e përbashkët dhe përkushtimin për të ardhmen./BS

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

Brukseli mbledh liderët e BE-së dhe Ballkanit Perëndimor më 25 nëntor

0
Antonio Costa dhe Ursula von der Leyen do të përfaqësojnë Bashkimin Evropian në samitin me liderët e Ballkanit Perëndimor. Në fokus do të jenë...