Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 25-vjetorit të themelimit, sot, në Universitetin e Evropës Juglindore, u mbajt ceremonia solemne e promovimit të doktorëve të shkencave të gjeneratës 2026 dhe ndarjes së mirënjohjeve për anëtarët e stafit që kanë mbushur 20 vjet punë në Universitet. Në fjalën e tij, Rektori i UEJL-së, Prof. Dr. Sadudin Ibraimi, theksoi se 25-vjetori është një moment i veçantë për të vlerësuar njerëzit që kanë kontribuar në ndërtimin dhe zhvillimin e Universitetit, duke shprehur mirënjohje për përkushtimin e stafit akademik, administrativ dhe teknik.

“Një universitet ndërtohet ndër vite, por rritet çdo ditë. Ai rritet në çdo ligjëratë, në çdo hulumtim, në çdo bisedë me studentët dhe në punën e përditshme të atyre që sigurojnë funksionimin e tij”, u shpreh Rektori Ibraimi.
Në këtë frymë mirënjohjeje, Universiteti nderoi anëtarët e stafit që shënojnë 20 vjet shërbim në UEJL, duke vlerësuar kontributin dhe përkushtimin e tyre shumëvjeçar në zhvillimin e institucionit.
Një pjesë e rëndësishme e ceremonisë iu kushtua promovimit të doktorëve të shkencave të gjeneratës 2026. Me këtë rast, Rektori Ibraimi theksoi se arritja e titullit të doktorit të shkencave përfaqëson përfundimin e një rrugëtimi të gjatë akademik, por edhe fillimin e një përgjegjësie të re për avancimin e dijes dhe kontributin në shoqëri.

Ndërkaq, Kryetari i Bordit të UEJL-së, Prof. Dr. Klaus Tochtermann, në fjalën e tij kushtuar 25-vjetorit, vlerësoi rrugëtimin e Universitetit si një histori të ambicies, punës së palodhur dhe guximit.
“Njëzet e pesë vjet përfaqësojnë 25 vjet ambicie, pune të palodhur dhe guxim”, u shpreh Tochtermann, duke vënë në pah edhe rolin e UEJL-së në ndërtimin e urave ndërmjet komuniteteve, promovimin e diversitetit dhe krijimin e mundësive për bashkëpunim e zhvillim të përbashkët.

Aktivitetet për shënimin e 25-vjetorit të UEJL-së vazhdojnë nesër, më 20 nëntor 2026, me ceremoninë qendrore solemne, e cila do të shënojë kulmin e festimeve, transmeton UEJL, përcjell half24.info.









