Në kuadër të angazhimit të vazhdueshëm për mbështetjen dhe avancimin e mësimit plotësues të gjuhës shqipe në Baden-Württemberg, më 14 dhe 15 nëntor 2026, në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Shtutgart, u mbajt seminari dyditor me temën “Mësimdhënia e gjuhës shqipe në klasat heterogjene: Kurrikula, metodologjia dhe shkëmbimi i përvojave”. Nën udhëheqjen e trajnerëve nga Kosova, z. Shemsedin Beqiri dhe z. Lavdim Klinaku, gjatë seminarit u trajtuan tema që lidhen me kurrikulën, planifikimin dhe metodologjitë e mësimdhënies, me theks të veçantë në punën me nxënës të grupmoshave dhe niveleve të ndryshme të njohjes së gjuhës shqipe.

Përmes punës praktike, diskutimeve dhe shkëmbimit të përvojave, mësimdhënësit ndanë praktikat e tyre, duke diskutuar mundësi konkrete për përmirësimin e procesit mësimor dhe forcimin e rolit të shkollës shqipe në ruajtjen e gjuhës dhe identitetit kombëtar në diasporë.
Ky seminar, i pari i këtij formati i organizuar nga Konsullata e Përgjithshme në Shtutgart, përbën një hap të rëndësishëm në mbështetjen profesionale të mësimdhënësve dhe zhvillimin e mëtejshëm të mësimit plotësues të gjuhës shqipe.

Falënderojmë të gjithë mësimdhënësit pjesëmarrës për angazhimin gjatë seminarit, por mbi të gjitha, për punën e palodhshme dhe përkushtimin e vazhdueshëm në ruajtjen dhe përcjelljen e gjuhës shqipe te brezat e rinj që jetojnë dhe rriten larg atdheut.
Gjithashtu, falënderojmë Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës dhe Departamentin për Diasporë në kuadër të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), për mbështetjen në organizimin e këtij seminari.

Së bashku për ruajtjen dhe kultivimin e gjuhës shqipe te brezat e rinj në diasporë!, transmeton Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Stuttgart, përcjell HALF24.ch.












































