Pas reshjeve të dendura të borës në Alpe, Zvicra po përgatitet për një përkeqësim të ndjeshëm të motit. Të hënën, kufiri i reshjeve të borës pritet të zbresë deri në 500 metra mbi nivelin e detit, ndërsa autoritetet paralajmërojnë për rrezik të shtuar nga ortekët në disa rajone malore.
Në malet e Zvicrës, ditët e fundit janë karakterizuar nga reshje të konsiderueshme bore, ku në disa zona trashësia e borës së re ka kaluar edhe një metër, transmeton 20min.ch. Ndërkohë, ndryshimi i kushteve atmosferike pritet të sjellë temperatura dukshëm më të ulëta dhe reshje të reja, duke shënuar afrimin e kushteve të mirëfillta dimërore. Sipas parashikimeve të MeteoSwiss, të shtunën temperaturat në shumë pjesë të vendit do të lëvizin nga 8 deri në 10 gradë Celsius, ndërsa kufiri i borës do të jetë rreth 1200 metrave. Megjithatë, situata do të ndryshojë që të dielën. Temperaturat në ultësira pritet të zbresin në 3 deri në 7 gradë Celsius, ndërsa reshjet do të vijnë nga drejtimi jugperëndimor. Fillimisht, kufiri i borës do të jetë në lartësinë 1200 deri në 1500 metra, por gjatë ditës do të zbresë në 600 deri në 900 metra në Zvicrën Lindore. Në rajonet qendrore të vendit, ky ndryshim pritet të ndodhë gjatë natës mes së dielës dhe së hënës.
Të hënën bora mund të zbresë deri në 500 metra
E hëna pritet të jetë edhe më e ftohtë. Gjatë paradites, reshjet do të jenë më të shpeshta përgjatë shpatit verior të Alpeve, ndërsa kufiri i borës parashikohet të zbresë në 500 deri në 900 metra mbi nivelin e detit. Temperatura maksimale në ultësira pritet të jetë rreth 5 gradë Celsius. Gjatë pasdites, reshjet do të dobësohen gradualisht, ndërsa në disa pjesë të vendit moti do të fillojë të kthjellohet.
Alarm për rrezikun nga ortekët në Alpe
Përveç reshjeve të borës dhe temperaturave të ulëta, shqetësim të veçantë paraqet edhe rreziku nga ortekët në zonat malore. Sipas Institutit për Studimin e Borës dhe Ortekëve (SLF), deri të dielën në disa pjesë të Alpeve priten reshje të tjera të konsiderueshme. Veçanërisht në shpatin verior të Alpeve, mbi 1800 metra lartësi, në disa zona mund të bien deri në 50 centimetra borë të re. Në Oberlandin e Bernës parashikohen edhe rreth 30 centimetra reshje shtesë. Situatën e bën edhe më të rrezikshme era e fortë, e cila krijon grumbullime të paqëndrueshme të borës dhe rrit mundësinë e shkëputjes së ortekëve. Në disa rajone të Zvicrës tashmë është shpallur rrezik i konsiderueshëm nga ortekët, në nivelin 3, ndërsa në disa zona të kantonit Valis është ngritur në nivelin 4, që nënkupton rrezik të madh. Paralajmërimet më serioze përfshijnë rajonet përreth Les Diablerets, Martigny, Verbier, Bex dhe Villars. Sipas SLF-së, gjatë katër ditëve të fundit në zonat e larta malore kanë rënë deri në 120 centimetra borë. Erërat e forta perëndimore kanë krijuar shtresa të rrezikshme bore, të cilat mund të shkëputen edhe nga kalimi i një personi të vetëm. Instituti paralajmëron se ortekët mund të shkaktohen nga sportistët që lëvizin jashtë pistave të sigurta, por në raste të caktuara mund të shkëputen edhe në mënyrë spontane.
Rajonet me rrezik të shtuar
Rreziku i madh, në nivelin 4, është evidentuar në disa zona të kantonit Valis, ndërsa niveli 3, që nënkupton rrezik të konsiderueshëm, vlen edhe për pjesën tjetër të Valisit, pjesë të mëdha të Oberlandit të Bernës, Uri, Glarus, St. Gallen, Graubünden dhe Lihtenshtajn. SLF veçon veçanërisht shpatet veriore dhe lindore mbi 2600 metra lartësi, ku ortekët mund të depërtojnë deri në shtresat e vjetra dhe të dobëta të borës, duke rrezikuar edhe rrugët malore. Instituti u bën thirrje të gjithë atyre që planifikojnë aktivitete në natyrë që të tregojnë kujdes të jashtëzakonshëm, pasi kushtet për ekskursione dhe ture malore aktualisht konsiderohen shumë kritike.
Apel për kujdes dhe pajisje të domosdoshme
Autoritetet dhe ekspertët rekomandojnë që qytetarët dhe turistët të qëndrojnë në pistat e shënuara dhe të sigurta, duke shmangur lëvizjen jashtë tyre pa njohuri dhe pajisje profesionale. Për ata që merren me sporte dimërore, pajisjet themelore të sigurisë përfshijnë aparatin për lokalizimin e personave të mbuluar nga orteku (LVS), sondën për borë dhe lopatën speciale. Gjithashtu, rekomandohet përdorimi i çantës së shpinës me sistemin e airbag-ut për ortekë. Ekspertët këshillojnë që para çdo aktiviteti malor të kontrollohet buletini i ortekëve, parashikimi i motit dhe gjendja e pajisjeve. Në rast se dikush përfshihet nga një ortek, reagimi i shpejtë është vendimtar. Rekomandohet përpjekja për të dalë anash masës së borës, ndërsa personat që kanë çantë speciale duhet ta aktivizojnë menjëherë airbag-un. Nëse mbulohen nga bora, krijimi i një hapësire ajri para fytyrës mund të jetë jetik. Me uljen e ndjeshme të temperaturave dhe reshjet e reja, Zvicra po hyn gradualisht në një periudhë me kushte tipike dimërore. Ndërsa bora pritet të zbukurojë edhe zonat më të ulëta të vendit, paralajmërimi kryesor mbetet siguria, veçanërisht për ata që planifikojnë të kalojnë fundjavën në Alpe, transmeton 20min.ch, përcjell HALF24.ch ( Foto nga Xh.Lipaj )









