HomeAtdheuNga Tirana mesazh për sigurinë rajonale: Kosova duhet të jetë pjesë e...

Nga Tirana mesazh për sigurinë rajonale: Kosova duhet të jetë pjesë e iniciativave euroatlantike

-

Shqipëria organizoi Konferencën e 14-të të Iniciativës për Bashkëpunim në Mbrojtje (DECI), ku në fokus ishte forcimi i bashkëpunimit ushtarak dhe politik mes vendeve anëtare. Presidenti Bajram Begaj kërkoi një bashkëpunim më gjithëpërfshirës rajonal, duke theksuar se edhe Kosova duhet të ketë vendin dhe kontributin e saj në këto iniciativa.

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, mori pjesë në Konferencën e 14-të të Shefave të Shtabit të Përgjithshëm të vendeve pjesëmarrëse në Iniciativën për Bashkëpunim në Mbrojtje (DECI – Defence Cooperation Initiative), një forum i rëndësishëm për koordinimin dhe forcimin e bashkëpunimit në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes në Evropën Juglindore.

Këtë vit, Shqipëria ishte vendi organizator dhe bashkëdrejtues i iniciativës, së bashku me Italinë. Në këtë konferencë morën pjesë përfaqësues nga Italia, Austria, Kroacia, Hungaria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Rumania dhe Sllovenia, si dhe përfaqësues të Komandës së Bashkuar të NATO-s në Napoli, misionit të KFOR-it dhe EUFOR-it në Bosnjë dhe Hercegovinë.

Në fjalën e tij, Presidenti Begaj vuri në dukje se zhvillimet e fundit ndërkombëtare kanë ndryshuar ndjeshëm konceptin e sigurisë, pasi krahas kërcënimeve tradicionale, shtetet po përballen gjithnjë e më shumë me sulme kibernetike, ndërhyrje hibride, dezinformim dhe cenim të infrastrukturës kritike.

Ai theksoi se asnjë shtet, pavarësisht madhësisë apo kapaciteteve ushtarake, nuk mund ta garantojë i vetëm sigurinë e tij, duke nënvizuar domosdoshmërinë e bashkëpunimit dhe koordinimit ndërmjet vendeve partnere.

“Siguria jonë varet gjithnjë e më tepër nga aftësia për të bashkëpunuar, për të parandaluar kërcënimet dhe, kur është e nevojshme, për t’iu përgjigjur atyre së bashku”, u shpreh Begaj.

Duke iu referuar luftës në Ukrainë dhe zhvillimeve në Lindjen e Mesme, Kreu i Shtetit paralajmëroi se paqja dhe stabiliteti ndërkombëtar mbeten të brishta, ndërsa sovraniteti dhe integriteti territorial i shteteve vazhdojnë të përballen me sfida serioze.

Presidenti shqiptar vlerësoi progresin e arritur gjatë 14 viteve të funksionimit të iniciativës DECI, duke kërkuar që bashkëpunimi të zgjerohet në fusha konkrete, si shkëmbimi i teknologjisë dhe ekspertizës, mbrojtja kibernetike, modernizimi i kapaciteteve ushtarake, siguria detare dhe zhvillimi i infrastrukturës strategjike.

Ai riafirmoi gjithashtu angazhimin e Shqipërisë për forcimin e NATO-s, modernizimin e Forcave të Armatosura dhe rritjen e investimeve në mbrojtje. Sipas tij, partneriteti strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, bashkëpunimi me Bashkimin Evropian dhe siguria rajonale mbeten shtylla të rëndësishme të politikës së jashtme dhe të mbrojtjes së Shqipërisë.

Kosova në arkitekturën e sigurisë rajonale

Një ndër çështjet më të rëndësishme të trajtuara nga Presidenti Begaj ishte situata e sigurisë në Ballkanin Perëndimor dhe nevoja për përfshirje më të gjerë të vendeve të rajonit në mekanizmat e bashkëpunimit.

Ai vlerësoi se, megjithëse janë shënuar hapa përpara në drejtim të paqes dhe stabilitetit, siguria në Ballkanin Perëndimor nuk mund të konsiderohet ende plotësisht e konsoliduar.

Në këtë kontekst, Begaj theksoi rëndësinë që Kosova të jetë pjesë aktive e përpjekjeve dhe iniciativave rajonale për siguri, duke e konsideruar përfshirjen e saj një element të rëndësishëm për stabilitetin afatgjatë të rajonit.

“Dhe pse jo, një ditë të jetë anëtare e këtyre iniciativave, por edhe anëtare e Aleancës”, u shpreh Presidenti Begaj.

Ai vlerësoi njëkohësisht rolin e KFOR-it dhe të strukturave të tjera ndërkombëtare në garantimin e paqes dhe sigurisë në Kosovë dhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Në përfundim, Presidenti Begaj theksoi se DECI duhet të shndërrohet në një platformë konkrete veprimi, ku përmes projekteve të përbashkëta, koordinimit institucional dhe rritjes së kapaciteteve mbrojtëse, vendet pjesëmarrëse të kontribuojnë në një rajon më të sigurt dhe më të qëndrueshëm.

Mesazhi i përcjellë nga Tirana ishte i qartë: sfidat e reja të sigurisë kërkojnë përgjegjësi të përbashkëta, ndërsa stabiliteti i Ballkanit Perëndimor nuk mund të ndërtohet pa bashkëpunimin dhe përfshirjen e të gjithë aktorëve të rajonit, transmeton euronewsal.

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

Mbi një miliard njerëz në botë jetojnë me obezitet, OBSH dhe...

0
Obeziteti po shndërrohet në një nga sfidat më serioze të shëndetit publik në nivel global. Për herë të parë, në vitin 2025, numri i...