HomeDiasporaDiaspora shqiptare në Milano në mbështetje të protestave në Shqipëri: Zëri i...

Diaspora shqiptare në Milano në mbështetje të protestave në Shqipëri: Zëri i mërgatës shkon deri në Parlamentin Evropian

-

Përgatiti: Nasira TERZIU, MILANO

Nga protesta e 24-t në Piazza XXV Aprile te takimi zyrtar me përfaqësuesit e eurodeputetes Chiara Gemma, shqiptarët në Itali po e shndërrojnë solidaritetin me vendlindjen në një angazhim qytetar dhe institucional.

„Mbahu, Nëno, mos kij frikë / Se ke djemtë n’Amerikë“ — vargjet e Nolit të vitit 1917 gjejnë jehonë të fortë edhe sot, në vitin 2026, te ajo që diaspora shqiptare e Milanos po bën në mbështetje të vendlindjes. Më 15 nëntor 2026 u zhvillua protesta paqësore e 24-t në Piazza XXV Aprile, ku shqiptarët e diasporës u mblodhën në solidarizim të plotë me protestat në Shqipëri, në pamundësi për të qenë fizikisht të pranishëm në to. Pjesëmarrja përfshinte, veç shqiptarëve të Milanos, edhe bashkëkombës nga qytete të tjera të Italisë, si Verona, Torino e gjetkë, duke dëshmuar një angazhim të dukshëm ndaj kësaj proteste. Temat e diskutuara gjatë kësaj proteste janë si një bumerang i arsyeve që i bënë këta protestues ta lënë mëmëdheun dhe të trokasin nëpër dyert e Evropës për një jetë dinjitoze, e cila në Shqipëri shpesh duket si privilegj i atyre që bëhen palë me servilizmin, burokracinë dhe nepotizmin. U vunë në dukje kontradiktat e shtetit tonë, si paga minimale prej 500 eurosh përballë qirave rreth 450 eurove, pensionet e pamjaftueshme që nuk u mjaftojnë të moshuarve as për ilaçe apo gjobat e padrejta ndaj qytetarëve të sfiduar nga fati dhe të mposhtur nga shteti. Edhe arrestimet e pabaza zënë vend në diskutim, por njëzëri diaspora bie dakord se qeveria mund të burgosë revolucionarë, por nuk mund të ndalojë revolucionin — një zë mbështetjeje që i kalon kufijtë e Shqipërisë.

Takim zyrtar me përfaqësuesit e eurodeputetes Chiara Gemma

Një tjetër arritje e rëndësishme institucionale ishte takimi zyrtar online më 17 nëntor 2026 mes përfaqësuesve të diasporës dhe ekipit të eurodeputetes Chiara Gemma në Parlamentin Evropian — Angelo Cialfi dhe Vincenzo Maio. Ky ishte diskutimi i parë i këtij niveli mbi protestat me këtë ekip dhe merr peshë të veçantë, duke qenë se eurodeputetja Gemma mban postin e Zëvendëspresidentes së Parë të Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri (SAPC). Përfaqësuesit e diasporës u siguruan t’i vinin ata përpara përgjegjësisë duke dokumentuar me fakte se si fondet publike e të BE-së dhe liritë qytetare shkelen në Shqipëri, ndërkohë që flitet për mbylljen e kapitujve në letër nga Brukseli. Gjatë bisedës u diskutua gjerësisht mbi protestat qytetare të nisura në qershor 2026, hendekun mes reformave “në letër” dhe realitetit në vend, si dhe rolin monitorues të Parlamentit Evropian e të SAPC-së në procesin e integrimit. Ata ngritën shqetësime për krizën në arsim dhe mbylljen e përkohshme të kapitujve 25 dhe 26 përkundrejt largimit të të rinjve, keqpërdorimin e fondeve publike, dhunën ndaj protestuesve dhe projektet si Sazani, Narta e Porti i Durrësit, duke përmendur gjithashtu lëvdatat e Komisioneres Marta Kós ndaj qeverisë së Ramës gjatë protestave masive dhe duke vënë në dyshim dobishmërinë e integrimit në këto kushte. Ata u shprehën se ishin shumë mbështetës ndaj integrimit të Shqipërisë në BE, por jo me qeverinë aktuale, e cila, sipas tyre, fshihet pas flamurit evropian për të qëndruar sa më gjatë në pushtet duke i premtuar popullit dhe PE-së integrimin e afërt të Shqipërisë në BE. Nga ana e tyre, përfaqësuesit e Parlamentit Evropian iu referuan paketës së zgjerimit të Komisioneres Kós të 4 nëntorit, sqaruan ndarjen e kompetencave në BE dhe përmendën mjetet parlamentare si pyetjet me shkrim dhe mbledhjet e SAPC-së. Duke ruajtur qëndrimin super partes, ata ranë dakord për komunikim të vazhdueshëm dhe dërgimin e dokumentacionit nga diaspora, ndërsa në fund u ftuan të merrnin pjesë në protestën kombëtare të 28–29 nëntorit për të parë nga afër kërkesat e qytetarëve.

Diaspora paralajmëron vazhdimin e protestave

Megjithatë, diaspora e Milanos nuk ndalet këtu. Protesta paqësore në sheshet e Milanos, si dhe angazhime të tjera, do të pasojnë këtë takim, ndërkohë që një pjesë e mirë do t’i bashkohet popullit më 28–29 nëntor për të kërkuar me ngulm drejtësinë që i është mohuar popullit tonë. Kështu, vargjet e Nolit vazhdojnë të jenë aktuale edhe pas më shumë se një shekulli. Diaspora shqiptare, larg vendlindjes, dëshmon se lidhja me atdheun nuk matet me kilometra, por me përgjegjësinë, solidaritetin dhe gatishmërinë për të ngritur zërin për të ardhmen e tij. /HALF24.info

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

Si u prit Shpallja e Pavarësisë në qytetet e Çamërisë në...

0
Nga: Arben Iliazi Para vitit 1912, klubet patriotike të Çamërisë luajtën një rol vendimtar në zgjimin kombëtar, ruajtjen e identitetit shqiptar dhe përgatitjen e terrenit...

Ky është një burrë kombi