Përgatiti: Dashnim HEBIBI
Pronar i Spitalit të Gjinekologjisë “Lindja” në Prishtinë, ai përfaqëson një emër të njohur në mjekësi, humanizëm dhe veprimtari atdhetare
Lidhja e Bizneseve të Kosovës (LBK), me një delegacion prej 30 përfaqësuesish të bizneseve dhe institucioneve të Kosovës, po merr pjesë në Forumin Ekonomik dhe takimet B2B në Izmir të Turqisë, në kuadër të aktiviteteve “Ditët e Kosovës në Izmir”. Ky forum synon forcimin e marrëdhënieve ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Turqisë, krijimin e partneriteteve të reja, zgjerimin e bashkëpunimit tregtar, nxitjen e investimeve dhe hapjen e mundësive të reja për bizneset e të dyja vendeve. Në mesin e delegacionit kosovar është edhe një personalitet i njohur, jo vetëm në fushën e mjekësisë, por edhe për veprimtarinë e tij humanitare dhe përkushtimin atdhetar. Bëhet fjalë për Dr. Dërgut Aliun, pronarin e Spitalit të Gjinekologjisë “Lindja” në Prishtinë, një institucion shëndetësor me emër të njohur në Kosovë dhe më gjerë në rajon. Përmes këtij institucioni, ndër vite kanë ardhur në jetë mijëra fëmijë, duke e bërë “Lindjen” një emër të rëndësishëm në kujdesin shëndetësor për nënat dhe fëmijët. Para pak muajsh, Dr. Aliu shënoi edhe 30-vjetorin e themelimit të spitalit, në një ceremoni të veçantë në Prishtinë, ku morën pjesë personalitete të shumta nga fusha të ndryshme.

Në një prononcim enkas për HALF24.ch nga Izmiri, Dr. Dërgut Aliu bëri të ditur se në këtë vizitë shoqërohet edhe nga dy personalitete të njohura, Hashim Deshishku dhe Besart Dreshaj.
Një ndër takimet e rëndësishme të tij në kuadër të kësaj vizite ishte edhe bashkëbisedimi me kryetarin e Komunës së Izmirit, z. Cemil Tugay. Gjatë këtij takimi miqësor u diskutua për zhvillimet në mjekësinë bashkëkohore, avancimin e teknologjisë mjekësore në Turqi, si dhe mundësitë e bashkëpunimit në këtë sektor. Dr. Aliu e njoftoi kryetarin Tugay për veprimtarinë e Spitalit të Gjinekologjisë “Lindja”, për përvojën e krijuar gjatë tri dekadave të punës dhe për planet zhvillimore në të ardhmen. Duke folur për rëndësinë e këtyre takimeve, Dr. Dërgut Aliu theksoi se aktivitetet e tilla janë në shërbim të interesit të përgjithshëm të Kosovës, pasi krijojnë mundësi për njohje të reja, shkëmbim përvojash dhe vendosje të kontakteve me biznesmenë të njohur turq.
“Takimet e tilla janë shumë të rëndësishme për të mirën e Kosovës. Kemi pasur mundësi të takohemi me shumë biznesmenë të njohur turq dhe të shkëmbejmë ide e përvoja që mund të shërbejnë për bashkëpunime të ardhshme”, u shpreh Dr. Aliu.
Izmiri, qytet me traditë të zhvilluar ekonomike dhe me një prani të konsiderueshme të komunitetit shqiptar, paraqet një mundësi të rëndësishme për thellimin e lidhjeve ndërmjet dy vendeve. Pjesëmarrja e afaristëve kosovarë në këtë forum dëshmon se diplomacia ekonomike, bashkëpunimi institucional dhe lidhjet ndërmjet njerëzve të biznesit janë ura të rëndësishme për zhvillimin e Kosovës dhe forcimin e raporteve me Turqinë./HALF24.ch









