Xhudisti i ri kosovar shkëlqen në Selanik të Greqisë, duke siguruar vendin e tretë në kategorinë deri në 66 kilogramë, pas një serie paraqitjesh të suksesshme.
Xhudisti kosovar Milot Gashi ka shënuar një sukses të rëndësishëm në arenën ndërkombëtare, duke fituar medaljen e bronztë në Kupën Evropiane për Kadetë, që po zhvillohet në Selanik të Greqisë.
Garuesi kosovar u ngjit në podium në kategorinë deri në 66 kilogramë, pas një gare me disa përballje të forta dhe një paraqitjeje të shkëlqyer, kulmi i së cilës ishte fitorja ndaj kundërshtarit nga Serbia në duelin për medaljen e bronztë.
Gashi e nisi garën në mënyrën më të mirë të mundshme, duke regjistruar tri fitore radhazi. Në përballjen e parë, ai mposhti me Ippon garuesin grek Nikolaos Tosounidis, ndërsa më pas triumfoi ndaj italianit Francesco Robert Di Benedetto. Fitoren e tretë e siguroi sërish me Ippon, kësaj radhe kundër Ariel Yehuda Cohenit.
Në çerekfinale, xhudisti kosovar u ndal nga moldavi Vladislav Moga, por nuk u dorëzua dhe vazhdoi garën përmes repasazhit. Aty, Gashi tregoi edhe një herë cilësitë e tij, duke e mposhtur me Ippon grekun Anastasios Kiourtzidis dhe duke siguruar kualifikimin në duelin për medaljen e bronztë.
Në përballjen vendimtare, Milot Gashi u përball me serbin Luka Dangubić, të cilin e mposhti me Yuko, duke siguruar kështu medaljen e bronztë dhe një vend në podiumin e Kupës Evropiane për Kadetë.
Në këtë garë, talenti kosovar u udhëhoq nga trajnerët Majlinda Kelmendi dhe Kushtrim Gashi.
Medalja e fituar në Selanik përbën një tjetër rezultat të rëndësishëm për xhudon kosovare dhe dëshmon potencialin e gjeneratës së re të sportistëve, të cilët po vazhdojnë të përfaqësojnë me sukses Kosovën në garat ndërkombëtare, transmeton euronewsal.









