Nga: Dashnim HEBIBI
Poezi për fytyrat që ndryshojnë, për shpirtrat që shtiren dhe për njerëzit pa karakter
Flasin për ty kur ti nuk je aty,
hedhin baltë mbi emrin tënd,
të gjykojnë, të shajnë në heshtje,
por kur të shohin, të zgjasin dorën
dhe të buzëqeshin sikur të ishin engjëj!
Sa fytyra paska kjo botë,
sa maska mbajnë njerëzit në jetë!
Me një gojë të thonë: «Të dua»,
me tjetrën të varrosin në fjalë,
e në sy të shikojnë pa pikë turpi!
O njerëz me dy fytyra,
çfarë vlere ka buzëqeshja juaj,
kur pas saj fshihet helmi?
Çfarë vlere ka fjala juaj,
kur zemra juaj nuk njeh as besë, as nder?
Nuk më dhemb fjala që thoni pas shpine,
as thashethemi që shpikni për mua.
Më vjen keq për shpirtin tuaj,
që kaq shumë është varfëruar,
sa sinqeritetin e ka kthyer në armik
dhe hipokrizinë në mënyrë jetese!
Ju uleni pranë meje,
më shtrëngoni dorën, më pyesni si jam,
por unë e di se çfarë fshihet pas buzëve tuaja.
Nuk është respekt, nuk është dashuri,
është vetëm një teatër i dobët
ku ju luani rolin e njerëzve të mirë!
Por dëgjojeni mirë një gjë:
Unë nuk kam lindur për t’ju pëlqyer,
as për t’ju dhënë llogari për jetën time.
Nuk do ta ndot shpirtin me urrejtjen tuaj,
as nuk do ta ul veten në nivelin tuaj.
Sepse unë mund të humbas një mik,
por nuk dua ta humbas karakterin.
Mund të më tradhtojë një njeri,
por nuk do ta tradhtoj ndërgjegjen time.
Mund të më godasin pas shpine,
por nuk do të më shohin kurrë të gjunjëzuar!
Dhe mbajeni mend,
nuk është i fortë ai që flet pas shpine,
as ai që buzëqesh me dy fytyra.
I fortë është ai që të thotë të vërtetën në sy,
që nuk shet miqësinë për interes,
që nuk e ndërron fytyrën sipas rrethanave
dhe që edhe kur hesht, mbetet njeri!
maskat mund t’i mashtroni njerëzit,
por ndërgjegjen nuk mund ta mashtroni përgjithmonë.
Koha i zbulon të gjithë:
të pastërtit në shpirt dhe të kalburit në karakter!












































