HomeSportiKOSOVA DHE SHQIPËRIA NË TË NJËJTËN VAZO PËR EURO 2028, RRUGËTIMI DREJT...

KOSOVA DHE SHQIPËRIA NË TË NJËJTËN VAZO PËR EURO 2028, RRUGËTIMI DREJT EVROPIANIT NIS ME SFIDA TË MËDHA!

-

Dardanët dhe kuqezinjtë nuk mund të përballen mes vete në fazën e grupeve – shorti hidhet më 6 dhjetor në Belfast

Kosova dhe Shqipëria do ta nisin njëkohësisht rrugëtimin drejt Kampionatit Evropian 2028 nga e njëjta vazo, ajo e tretë, duke e bërë edhe më interesante pritjen për shortin e kualifikimeve. Dy kombëtaret shqiptare, që përfaqësojnë krenarinë dhe shpresat e miliona shqiptarëve, do të kenë përballë kundërshtarë të ndryshëm, pasi rregullat e shortit nuk lejojnë që ekipet e së njëjtës vazo të përfundojnë në të njëjtin grup. Shorti i kualifikimeve do të hidhet të dielën, më 6 dhjetor, në orën 18:00, në Qendrën Ndërkombëtare të Konventave në Belfast të Irlandës së Veriut. Prej këtij momenti do të marrë formë rruga që mund t’i çojë Dardanët dhe kuqezinjtë drejt skenës më të madhe të futbollit evropian.

KOSOVA E HUMBI VAZON E DYTË NË DUBLIN

Për përfaqësuesen e Kosovës, përfundimi në vazon e tretë erdhi pas një fundi zhgënjyes të fazës së grupeve në Ligën e Kombeve. Dardanëve u mjaftonte një barazim në ndeshjen e fundit të Grupit B3 për ta siguruar vendin e dytë dhe për të ruajtur shanset për të qenë në vazon e dytë, por Irlanda i ndali me rezultat të thellë 3-0 në stadiumin „Aviva“ të Dublinit.

Momenti vendimtar ndodhi rreth minutës së 26-të, kur mbrojtësi Kreshnik Hajrizi ndali me dorë në vijën e portës një goditje me kokë të Troy Parrottit. Pas këtij episodi, Kosova mbeti me një lojtar më pak, ndërsa Irlanda fitoi penallti, të cilën Parrott e realizoi. I njëjti futbollist shënoi edhe nga pika e bardhë në fillim të pjesës së dytë, ndërsa Jack Moylan vulosi fitoren 3-0 në minutën e 75-të.

Kështu, skuadra e drejtuar nga Franco Foda e përfundoi grupin me gjashtë pikë nga gjashtë ndeshje, në pozitën e tretë. Kosova arriti ta ruajë statusin në Ligën B, por humbi mundësinë për të garuar në play-off për ngjitje në Ligën A, si dhe pozitën e favorshme në vazon e dytë për kualifikimet e Evropianit.

SHQIPËRIA ME FITORE DHE NGJITJE NË LIGËN B

Në anën tjetër, Shqipëria e mbylli me sukses aventurën në Ligën e Kombeve. Kuqezinjtë triumfuan 2-0 ndaj Bjellorusisë në Budapest, me golat e Rey Manajt dhe Elseid Hysajt, duke e përfunduar grupin në vendin e parë me 15 pikë, pas pesë fitoreve dhe një humbjeje.

Ky rezultat i mundësoi Shqipërisë ngjitjen në Ligën B dhe sigurimin e një vendi në vazon e tretë për shortin e kualifikimeve të Euro 2028. Një përfundim pozitiv për përfaqësuesen kuqezi, e cila synon të rikthehet në mesin e kombëtareve më të mira të kontinentit.

Në të njëjtën vazo me Kosovën dhe Shqipërinë janë edhe Skocia, Ukraina, Polonia, Izraeli, Rumania, Gjeorgjia, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Islanda dhe Sllovakia.

SI DO TË ZHVILLOHEN KUALIFIKIMET E EURO 2028?

Në garën për pjesëmarrje në Kampionatin Evropian do të marrin pjesë 54 kombëtare, të ndara në 12 grupe. Gjashtë grupe do të kenë nga katër ekipe, ndërsa gjashtë të tjera nga pesë ekipe.

Ndeshjet kualifikuese do të zhvillohen me sistem vajtje-ardhje, nga marsi deri në nëntor të vitit 2027. Fituesit e 12 grupeve dhe tetë përfaqësueset më të mira që përfundojnë në vendin e dytë do të sigurojnë kualifikimin e drejtpërdrejtë. Vendet e tjera për pjesëmarrje do të përcaktohen përmes ndeshjeve të play-off-it, të planifikuara për marsin e vitit 2028.

Në rast se Kosova shortohet në një grup me pesë kombëtare, rrugëtimin do ta nisë në mars 2027 dhe do të zhvillojë gjithsej tetë ndeshje. Nëse përfundon në një grup me katër ekipe, atëherë do të ketë gjashtë përballje, nga shtatori deri në nëntor të vitit 2027.

Një tjetër element me rëndësi është se, sipas kufizimeve të përcaktuara nga UEFA, Kosova nuk mund të përfshihet në grup me Serbinë apo Bosnjë e Hercegovinën.

ËNDRRA EVROPIANE, NJË SYNIM I PËRBASHKËT

Kampionati Evropian 2028 do të organizohet në Angli, Skoci, Uells dhe Republikën e Irlandës. Për Kosovën, synimi është historik: të sigurojë për herë të parë pjesëmarrjen në një Kampionat Evropian, ndërsa Shqipëria kërkon të vazhdojë rrugën e saj në futbollin kontinental dhe të jetë sërish pjesë e kësaj gare prestigjioze.

Përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda, e ka bërë të qartë ambicien e tij gjatë kësaj fushate: „E kam thënë prej kohësh, objektivi është të kualifikohemi në Evropian“.

Tashmë gjithçka është në pritje të shortit të 6 dhjetorit. Kosova dhe Shqipëria nuk do të përballen mes vete në fazën e grupeve, por do të kenë një sfidë të përbashkët: të dëshmojnë se futbolli shqiptar mund të jetë pjesë e elitës evropiane.

Për miliona tifozë shqiptarë, ëndrra është që në verën e vitit 2028 flamujt kuqezi dhe dardanë të valëviten në stadiumet e Evropës. Një ëndërr që tashmë ka një datë fillimi dhe një objektiv të qartë: kualifikimin në Evropian!/BS

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

Si u prit Shpallja e Pavarësisë në qytetet e Çamërisë në...

0
Nga: Arben Iliazi Para vitit 1912, klubet patriotike të Çamërisë luajtën një rol vendimtar në zgjimin kombëtar, ruajtjen e identitetit shqiptar dhe përgatitjen e terrenit...

Ky është një burrë kombi