Marta Kos dhe Charles Michel mes personaliteteve të nivelit të lartë që do të marrin pjesë në edicionin e dytë të konferencës. Në fokus, tërheqja e investimeve, zhvillimi ekonomik dhe integrimi evropian i rajonit.
Tirana do të jetë më 25 dhe 26 nëntor nikoqire e edicionit të dytë të Konferencës së Investimeve BE–Ballkani Perëndimor, një prej aktiviteteve të rëndësishme ekonomike dhe institucionale që synon të forcojë bashkëpunimin ndërmjet Bashkimit Evropian dhe vendeve të rajonit. Në këtë forum pritet të marrin pjesë përfaqësues të nivelit të lartë të institucioneve evropiane dhe ndërkombëtare, drejtues të institucioneve financiare, investitorë, sipërmarrës dhe përfaqësues të sektorit të biznesit nga Ballkani Perëndimor dhe më gjerë. Ndër personalitetet e konfirmuara për këtë aktivitet janë Komisionerja Evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, si dhe ish-presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel. Pjesëmarrja e tyre i jep konferencës një dimension të rëndësishëm politik dhe ekonomik, veçanërisht në një periudhë kur integrimi evropian dhe zhvillimi ekonomik i Ballkanit Perëndimor mbeten në qendër të agjendës evropiane. Në konferencë do të jenë të pranishëm edhe përfaqësues të institucioneve të rëndësishme financiare ndërkombëtare, përfshirë Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe Bankën Botërore, krahas përfaqësuesve të fondeve të investimit, startup-eve dhe investitorëve ndërkombëtarë.
Ballkani Perëndimor, një hapësirë e re për investimet evropiane
Nën moton “Ballkani Perëndimor, kufiri i ri i investimeve evropiane”, konferenca synon të promovojë potencialet ekonomike të vendeve të rajonit dhe të krijojë ura të reja bashkëpunimi për tërheqjen e kapitalit të huaj. Gjatë dy ditëve të punimeve janë paraparë shtatë sesione tematike, të cilat do të fokusohen në identifikimin e mundësive konkrete për investime, zhvillimin e projekteve strategjike dhe shndërrimin e potencialit ekonomik të rajonit në rezultate të qëndrueshme dhe afatgjata. Një rëndësi e veçantë do t’i kushtohet integrimit më të thellë ekonomik të vendeve të Ballkanit Perëndimor në tregun e Bashkimit Evropian dhe atë global, duke synuar njëkohësisht përshpejtimin e proceseve të integrimit evropian.
Shqipëria me rekorde në investimet e huaja direkte
Shqipëria e pret këtë konferencë në një periudhë kur shifrat e investimeve të huaja direkte kanë shënuar nivele rekord. Gjatë vitit 2025, ekonomia shqiptare tërhoqi 1.64 miliardë euro investime të huaja direkte, ndërsa të dhënat e Bankës së Shqipërisë sugjerojnë se gjatë vitit 2026 kjo vlerë mund të kalojë për herë të parë kufirin prej 2 miliardë eurosh. Këto rezultate përbëjnë një element të rëndësishëm në prezantimin e Shqipërisë si një destinacion me potencial për investitorët ndërkombëtarë, ndërsa konferenca shihet si mundësi për të zgjeruar partneritetet ekonomike dhe për të tërhequr projekte të reja në sektorë të ndryshëm.
Organizimi i këtij forumi merr rëndësi të veçantë edhe për faktin se Shqipëria synon që deri në vitin 2027 të përmbyllë negociatat për të gjithë kapitujt e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Në këtë kontekst, zhvillimi ekonomik, rritja e investimeve dhe përafrimi me standardet evropiane janë pjesë e rëndësishme e rrugëtimit të vendit drejt integrimit.
Edicioni i dytë i konferencës vjen pas suksesit të takimit të parë, të organizuar në Tiranë në vitin 2025, ku u prezantuan marrëveshje dhe projekte me potencial investimi prej më shumë se 4 miliardë eurosh. Pikërisht gjatë atij edicioni u shpreh edhe angazhimi që kjo konferencë të shndërrohej në një traditë të përvitshme.
Me edicionin e 25 dhe 26 nëntorit, Tirana synon të forcojë më tej pozitën e saj si një pikë takimi për investitorët dhe institucionet ndërkombëtare, ndërsa Ballkani Perëndimor kërkon të dëshmojë se përveç perspektivës politike të integrimit evropian, përfaqëson edhe një hapësirë me mundësi konkrete për zhvillim ekonomik dhe investime afatgjata, transmeton euronewsal.









