Në vigjilje të Ditës së Alfabetit, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, mori pjesë në Forumin Rinor Mbarëkombëtar, ku 160 të rinj nga trevat shqiptare diskutuan për rëndësinë e ruajtjes, zhvillimit dhe promovimit të gjuhës shqipe.
Në prag të 22 Nëntorit, Ditës së Alfabetit të Gjuhës Shqipe, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha, iu bashkua Forumit Rinor Mbarëkombëtar, të organizuar nga Agjencia Kombëtare e Rinisë në kuadër të projektit “Foli Shqip”. Ky aktivitet u shndërrua në një hapësirë bashkëbisedimi për rëndësinë e gjuhës shqipe si themel i identitetit kombëtar dhe si një nga urat më të fuqishme që lidh shqiptarët kudo që jetojnë. Në forum morën pjesë Zëvendëskryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Evis Kushi, Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, si dhe 160 të rinj nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Lugina e Preshevës. Pjesëmarrja e të rinjve nga të gjitha këto treva i dha aktivitetit një karakter të veçantë mbarëkombëtar, duke vënë në qendër përgjegjësinë e brezit të ri për ruajtjen dhe përcjelljen e gjuhës amtare. Gjatë fjalës së tij, ministri Ferit Hoxha theksoi se ruajtja dhe zhvillimi i gjuhës shqipe nuk është vetëm një detyrë institucionale, por një përgjegjësi e përbashkët kombëtare, e cila duhet të përcillet nga një brez te tjetri përmes arsimit, librit dhe teknologjisë.
“Është detyra dhe përgjegjësia jonë ta ruajmë, ta zhvillojmë e ta pasurojmë shqipen, duke ua përcjellë atë brezave të ardhshëm përmes shkollës, librit dhe teknologjisë”, u shpreh Hoxha.
Ai nënvizoi gjithashtu rëndësinë e mbështetjes së vazhdueshme për mësuesit e gjuhës shqipe, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në rajon dhe në diasporën shqiptare, përmes teksteve cilësore mësimore, trajnimeve profesionale dhe platformave digjitale. Duke e cilësuar gjuhën shqipe si një element të pazëvendësueshëm të identitetit kombëtar, Hoxha solli në vëmendje edhe rëndësinë historike të Kongresit të Manastirit, ku 118 vjet më parë u njësua alfabeti i gjuhës shqipe, duke krijuar një bazë të përbashkët për zhvillimin e kulturës, arsimit dhe komunikimit kombëtar.
“Shqipja është ADN-ja e identitetit tonë: rrënja që na mban dhe ura që na bashkon, kudo ku jetojnë shqiptarët. 118 vite më parë, në Manastir, u njësua alfabeti i gjuhës shqipe, duke i dhënë një zë të përbashkët kombit tonë. Sot, kjo gjuhë mbetet një nga lidhjet tona më të forta, nga Shqipëria e Kosova te shqiptarët në çdo cep të botës”, theksoi ministri. Në përfundim, Ferit Hoxha rikujtoi amanetin e brezave të mëparshëm për ruajtjen dhe trashëgiminë e gjuhës shqipe, duke e lidhur këtë përgjegjësi historike edhe me perspektivën evropiane të Shqipërisë. Sipas tij, synimi është që shqipja të mos mbetet vetëm një gjuhë e trashëguar dhe e folur nga shqiptarët, por të fitojë edhe vendin që meriton në institucionet evropiane.
“Amaneti i të parëve ishte ta ruajmë gjuhën e ta trashëgojmë. Angazhimi ynë sot shkon më tej: me anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, shqipja të kumbojë në Bruksel, përkrah gjuhëve të tjera zyrtare të Evropës”, përfundoi Hoxha. Forumi Rinor Mbarëkombëtar përcolli një mesazh të qartë: gjuha shqipe nuk është vetëm trashëgimi e së kaluarës, por edhe përgjegjësi për të ardhmen. Ruajtja e saj kërkon angazhim të përbashkët të institucioneve, mësuesve, familjeve dhe veçanërisht të rinisë shqiptare, në mënyrë që shqipja të mbetet e gjallë, e zhvilluar dhe e pranishme në çdo hapësirë ku jetojnë shqiptarët, trasmeton gtema.












































