HomeAtdheuINVESTITORËT JAPONEZË NË KOSOVË

INVESTITORËT JAPONEZË NË KOSOVË

-

Kosova po synon të zgjerojë partneritetet ekonomike me Japoninë, duke vënë në pah potencialin e saj industrial, teknologjik dhe energjetik. Në kuadër të Forumit të Brezovicës, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ka zhvilluar një takim me 19 përfaqësues të bizneseve dhe investitorëve japonezë.

Delegacioni japonez u udhëhoq nga i ngarkuari me punë në Ambasadën e Japonisë në Kosovë, Hiroyasu Tanigaki, dhe ambasadori i Kosovës në Japoni, Sabri Kiçmari. Kjo vizitë konsiderohet një hap i rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve ekonomike ndërmjet dy vendeve, veçanërisht pasi përfaqësuesit e bizneseve dhe investitorëve japonezë po vizitojnë Kosovën për herë të dytë, pas vizitës së realizuar vitin e kaluar. Gjatë takimit, ministrja Kusari-Lila prezantoi mundësitë që ofron ekonomia e Kosovës, reformat strategjike në funksion të zhvillimit industrial dhe rritjes së konkurrueshmërisë, si dhe objektivat e përcaktuara në Strategjinë Industriale 2030.

Në fokus të diskutimeve ishin disa sektorë me rëndësi strategjike për zhvillimin ekonomik të vendit. Ndër ta u veçuan modernizimi i infrastrukturës hekurudhore, investimet në kapacitete të reja për prodhimin e energjisë së pastër, avancimi i logjistikës dhe përmirësimi i sistemit të transportit të mallrave.

Interes i veçantë iu kushtua edhe sektorit të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit, me theks te zhvillimi i sistemeve softuerike. Në këtë drejtim, Kusari-Lila vlerësoi potencialin e të rinjve dhe profesionistëve kosovarë, të cilët po dëshmojnë gjithnjë e më shumë aftësi dhe po tërheqin vëmendjen e tregjeve ndërkombëtare.

Ministrja shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Japonisë ndaj Kosovës, duke theksuar rëndësinë e kontakteve të drejtpërdrejta me kompanitë japoneze dhe krijimit të kushteve për projekte konkrete investuese.

Takimi në Brezovicë dëshmon interesimin për zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik Kosovë–Japoni dhe krijon një mundësi të re për afrimin e bizneseve, shkëmbimin e përvojave dhe identifikimin e projekteve me interes të përbashkët.

Për Kosovën, afrimi me investitorët japonezë përfaqëson një mundësi për të tërhequr kapital, teknologji dhe ekspertizë ndërkombëtare, duke kontribuar në zhvillimin e qëndrueshëm dhe forcimin e ekonomisë vendore, transmeton rtk.

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

YJET SHQIPTARE NË CTV PRANË ALBA LIFE, NEW YORK

0
Nga: Keze Kozeta Zylo NDERSA HËNA NDRIÇONTE QIELLIN, YJET SHQIPTARE NDEZNIN ATMOSFERËN NË STUDION E TV STATEN ISLAND! Sonte, në Staten Island, nën një hënë të...