Prishtinë – Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe ish-zëdhënësi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Jakup Krasniqi, është lejuar të rikthehet për të dytën ditë radhazi në shtëpinë e tij në Prishtinë, për të vizituar bashkëshorten e cila ndodhet në gjendje të rënduar shëndetësore. Krasniqi ka mbërritur në shtëpinë familjare gjatë orëve të paradites, nën shoqërimin e automjeteve të EULEX-it dhe me masa të shtuara sigurie. Në vendngjarje kanë qenë të pranishëm edhe pjesëtarë të Policisë së Kosovës, të cilët kanë siguruar mbarëvajtjen e lëvizjes së tij.
Kjo është dita e dytë e qëndrimit të Jakup Krasniqit në Kosovë, pas lejes së dhënë nga Gjykata Speciale në Hagë për arsye të forta humanitare, për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore të bashkëshortes së tij.
Gjatë gjithë udhëtimit nga objekti i EULEX-it në Fushë Kosovë drejt banesës familjare në lagjen Velania të Prishtinës, Krasniqi është shoqëruar nga forcat përkatëse të sigurisë, në përputhje me kushtet e përcaktuara për këtë vizitë.
Vizita e tij në Kosovë vjen në një rrethanë të ndjeshme familjare, ndërsa gjendja shëndetësore e bashkëshortes ka bërë që autoritetet gjyqësore të lejojnë këtë qëndrim të përkohshëm për arsye humanitare.
Jakup Krasniqi po përballet me procesin gjyqësor në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, në kuadër të çështjes ndaj ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ish-kryeparlamentari dhe zëdhënësi i UÇK-së është dënuar me 25 vjet burgim nga Gjykata Speciale, pasi trupi gjykues e ka shpallur përgjegjës për kontributin e tij në strukturat dhe organet e UÇK-së, si dhe për dijeninë që, sipas vlerësimit të gjykatës, kishte lidhur me ndalimet, keqtrajtimet dhe vrasjet e paligjshme.
Rikthimi i tij i përkohshëm në Prishtinë, për të qëndruar pranë bashkëshortes në këto momente të vështira shëndetësore, e vendos në plan të parë dimensionin njerëzor dhe familjar të kësaj ngjarjeje, përtej zhvillimeve të procesit gjyqësor në Hagë, transmeton rtsh.













































