Ushtruesja e detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka konfirmuar se është arritur një marrëveshje politike për votimin e Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
E pyetur nga gazetarët nëse partitë politike kanë arritur dakordim për këtë çështje, Çitaku është përgjigjur shkurt dhe qartë:
“Ka marrëveshje”.
Deklarata e saj u bë gjatë hyrjes në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës, ku ndër pikat e rendit të ditës është edhe shqyrtimi i këtij projektligji. Projektligji në fjalë ishte kthyer në Kuvend nga presidentja e vendit, ndërsa çështja e votimit të tij ka qenë pjesë e diskutimeve ndërmjet përfaqësuesve të subjekteve politike. Konfirmimi i Çitakut sinjalizon arritjen e një dakordimi politik për një çështje që lidhet drejtpërdrejt me funksionimin e institucioneve të drejtësisë në Kosovë dhe me Dhomat e Specializuara. Tashmë, vëmendja është përqendruar te zhvillimet në Kuvend dhe te procesi i votimit, i cili pritet të qartësojë qëndrimin e deputetëve ndaj ndryshimeve të propozuara ligjore./BS









