Tri esetë më të mira do të shpërblehen me pajisje të teknologjisë informative, ndërsa afati i fundit për dorëzim është 25 nëntori 2026.
Misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Shkup ka shpallur konkurs për shkrimin e eseve, i dedikuar studentëve të studimeve bachelor dhe master në Universitetin e Evropës Juglindore (UEJL).
Konkursi zhvillohet nën temën „E ardhmja e korrupsionit 2036: Integriteti, qeverisja e mirë dhe llogaridhënia“, duke synuar të nxisë mendimin kritik, analizën akademike dhe angazhimin e studentëve për një shoqëri më transparente dhe me institucione më të përgjegjshme.
Pyetja qendrore që shtrohet për pjesëmarrësit është se si mund të evoluojë korrupsioni gjatë dekadës së ardhshme dhe çfarë hapash duhet të ndërmarrin shoqëritë që sot, për të ndërtuar një kulturë më të fuqishme të integritetit, qeverisjes së mirë dhe llogaridhënies.
Përmes kësaj nisme, studentët ftohen të trajtojnë një nga sfidat më të rëndësishme të demokracisë dhe zhvillimit institucional, duke sjellë perspektiva të reja mbi parandalimin e korrupsionit, forcimin e institucioneve dhe rolin e qytetarëve në ndërtimin e një shoqërie me standarde të larta etike.
Sipas kushteve të konkursit, esetë duhet të shkruhen në gjuhën angleze dhe të kenë një gjatësi prej 1.400 deri në 1.600 fjalë. Punimet duhet të dorëzohen në formatin PDF, përmes adresës elektronike: arben.ajrulai@osce.org.
Afati i fundit për dorëzimin e eseve është 25 nëntor 2026, ndërsa tri punimet më të mira do të vlerësohen me çmime në formën e pajisjeve të teknologjisë informative (IT).
Kjo thirrje përbën një mundësi të mirë për studentët e UEJL-së që, përmes argumentimit shkencor dhe ideve inovative, të kontribuojnë në debatin mbi të ardhmen e institucioneve, transparencën dhe luftën kundër korrupsionit.
Thirrja e plotë dhe informatat shtesë për konkursin mund të gjenden në faqen zyrtare të OSBE-së në Shkup:
https://skopje.osce.org/sq/news/mission-skopje/669582, transmeton UEJL, përcjell HALF24.ch









