Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës ka regjistruar një rekord historik, me 300 mijë pasagjerë në 10 ditët e para të nëntorit, ndërsa vetëm më 1 nëntor janë realizuar 226 fluturime me 38 670 pasagjerë në nisje dhe mbërritje.
Për të përballuar fluksin në rritje, TIA njofton se po investohen 40 milionë euro në transformimin e aeroportit, me punimet që zhvillohen gjatë natës për të mos ndërprerë fluturimet ditore.
Nga 9 deri më 27 nëntor, ndërhyrjet janë organizuar në 12 net, me angazhimin e 380 punonjësve dhe dhjetëra mjeteve të rënda. “Ditën udhëtojmë. Natën punojmë! 300 mijë pasagjerë në 10 ditët e para të nëntorit. Vetëm më 1 nëntor, 38 670 pasagjerë u nisën ose mbërritën në Tiranë me 226 fluturime. Rekord historik për TIA-n! Për të përballuar këto flukse dhe për të pritur edhe më shumë udhëtarë në të ardhmen, po investojmë 40 milionë euro në transformimin e aeroportit. Nga 9 deri më 27 nëntor, punimet i kemi organizuar në vetëm 12 net, që fluturimet të vijojnë gjatë ditës. Në kantier punojnë 380 profesionistë, mes tyre 50 inxhinierë. Në dispozicion të tyre janë 130 kamionë, 12 ekskavatorë, 30 betoniere dhe impiante moderne asfalti. Faleminderit skuadrave që punojnë ditën dhe natën dhe të gjithëve ju që fluturoni me ne. Gati për rekorde të reja”, tha ai, transmeton abcnews.










































