Ministri Hajrulla Çeku ka zhvilluar një bashkëbisedim me studentët e rajonit të Gjilanit, në kuadër të procesit të konsultimeve për hartimin e Strategjisë së Arsimit 2035+, një dokument që synon të përcaktojë drejtimet kryesore të zhvillimit dhe reformimit të sistemit arsimor në Kosovë. Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Çeku ka bërë të ditur se hartimi i strategjisë po zhvillohet përmes një procesi gjithëpërfshirës, ku kontributi, kërkesat dhe sugjerimet e studentëve zënë një vend të rëndësishëm.
Ai ka theksuar se reformat në arsim nuk do të përqendrohen vetëm në fuqizimin e arsimit parauniversitar, por do të përfshijnë edhe arsimin e lartë, me synimin për të ndërtuar një sistem më cilësor dhe më të përshtatur me nevojat e shoqërisë dhe të tregut të punës.
Sipas ministrit Çeku, Kosovës i nevojiten universitete që përgatisin kuadro profesionale, të afta për t’iu përgjigjur kërkesave të tregut të punës, por edhe institucione akademike që zhvillojnë shkencën dhe prodhojnë njohuri në funksion të përparimit social dhe ekonomik të vendit.
Ministri ka vlerësuar se përfshirja e drejtpërdrejtë e studentëve në këtë proces është thelbësore, pasi pikërisht ata janë ndër përfituesit kryesorë të politikave arsimore dhe njohës të drejtpërdrejtë të sfidave me të cilat përballen institucionet e arsimit të lartë.
Strategjia e Arsimit 2035+ synon të krijojë një vizion afatgjatë për arsimin në Kosovë, duke përfshirë përmirësimin e cilësisë, modernizimin e institucioneve dhe lidhjen më të fortë ndërmjet arsimit, kërkimit shkencor dhe zhvillimit ekonomik./BS










































