Pas vlerësimit të arritur në Itali, poezia e Dashnim Hebibit po shënon një tjetër sukses ndërkombëtar. Krijimet e tij letrare kanë gjetur jehonë në mediat koreane, ndërsa përkthimi i tyre në gjuhën koreane është realizuar nga Prof. Dr. Kang Byeong-Cheol, kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve Koreanë.
PhD. Dashnim Hebibi, doktor i shkencave politike, gazetar, autor dhe president i Institutit Shkencor Helvetik të Evropës Juglindore me qendër në Zvicër, vazhdon të shënojë suksese në arenën ndërkombëtare, duke e bërë gjithnjë e më të pranishme krijimtarinë e tij poetike në hapësira të ndryshme kulturore dhe mediatike. Pas suksesit të arritur ditë më parë në Itali, emri dhe krijimtaria e tij kanë tërhequr vëmendjen edhe të mediave italiane, ku është pasqyruar rrugëtimi i tij letrar dhe jehona ndërkombëtare e poezisë së tij.

Në një shkrim brilant të publikuar nga Angela Kosta, e cila ka luajtur një rol të rëndësishëm në promovimin dhe ndërmjetësimin e këtyre bashkëpunimeve kulturore, Dashnim Hebibi e cilëson këtë zhvillim si një sukses të madh ndërkombëtar. Një element veçanërisht domethënës i këtij rrugëtimi është përkthimi i poezive të tij nga anglishtja në gjuhën koreane nga vetë Prof. Dr. Kang Byeong-Cheol, kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve Koreanë. Ky bashkëpunim përbën një urë të rëndësishme komunikimi ndërmjet kulturës shqiptare dhe asaj koreane, duke i dhënë krijimtarisë së autorit një dimension të ri ndërkombëtar.
Dashnim Hebibi: Poezia mund të ndërtojë ura mes popujve
Duke shprehur mirënjohjen për këtë vlerësim, Hebibi thekson se për të kjo arritje është shumë më tepër sesa një sukses individual letrar. Sipas tij, fjala e shkruar nuk njeh kufij, ndërsa poezia ka fuqinë të ndërtojë ura mes popujve, kulturave dhe njerëzve, pavarësisht largësive gjeografike apo dallimeve gjuhësore. Ai ka shprehur falënderime të veçanta për Angela Kostën, të cilën e cilëson si një mbështetëse të çmuar të rrugëtimit të tij krijues, si dhe për Prof. Dr. Kang Byeong-Cheol dhe stafin e tij për kontributin në përkthimin dhe promovimin e poezive të tij në gjuhën koreane.
Nga Italia drejt hapësirës kulturore koreane
Ky zhvillim dëshmon se krijimtaria letrare e autorëve shqiptarë të mërgatës mund të gjejë hapësirë edhe përtej kufijve kombëtarë, kur shoqërohet me bashkëpunime serioze, përkushtim dhe miqësi ndërkulturore. Për Dashnim Hebibin, i cili prej vitesh është i angazhuar në gazetari, letërsi, botime dhe veprimtari kulturore, këto vlerësime përbëjnë një kapitull të rëndësishëm në rrugëtimin e tij krijues. Jehona në mediat italiane dhe koreane është një tjetër mundësi për ta prezantuar fjalën shqipe në hapësira të reja kulturore dhe për të dëshmuar se krijimtaria shqiptare ka potencial të komunikojë me lexuesin ndërkombëtar.
Mesazhi i tij mbetet i qartë dhe domethënës:
“Fjala e lirë nuk njeh kufij. Poezia nuk njeh largësi. Ajo udhëton atje ku zemrat janë të gatshme ta dëgjojnë!”









