Zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës mori pjesë në konferencën shkencore ndërkombëtare në Shkup, kushtuar gjendjes së teksteve shkollore në Maqedoninë e Veriut. Në fokus të diskutimeve ishin shkolla shqipe në mërgatë, letërsia shqipe në tekstet shkollore dhe ruajtja e identitetit gjuhësor e kulturor.
Zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës, Driton Sulejmani, ka marrë pjesë në ditën e tretë të konferencës shkencore ndërkombëtare me temë “Gjendja e teksteve shkollore në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, ku ka vënë në pah rëndësinë e mbrojtjes dhe zhvillimit të gjuhës shqipe, përmirësimit të vazhdueshëm të teksteve shkollore dhe mbështetjes institucionale për arsimin shqip në mërgatë.
Konferenca është organizuar nga Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, në kuadër të manifestimit kulturor-shkencor “Ditët e Alfabetit 2026”.
Në qendër të diskutimeve të kësaj dite ishin dy tema me rëndësi të veçantë për arsimin dhe kulturën shqiptare: “Shkolla shqipe në mërgatë” dhe “Letërsia shqipe në tekstet shkollore”. Të dyja temat trajtojnë çështje thelbësore për ruajtjen e gjuhës amtare, përcjelljen e trashëgimisë kulturore te brezat e rinj dhe ngritjen e cilësisë së arsimit në gjuhën shqipe.
Gjatë fjalës së tij përshëndetëse, Sulejmani theksoi se mbështetja e mësimit të gjuhës shqipe në mërgatë duhet të jetë një prioritet i vazhdueshëm, ndërsa tekstet shkollore duhet të përmirësohen në përmbajtje dhe cilësi. Ai gjithashtu bëri thirrje për bashkëpunim më të ngushtë ndërmjet institucioneve arsimore, studiuesve dhe komunitetit akademik.
“Kongresi i Manastirit na dha një alfabet të përbashkët, ndërsa përgjegjësia jonë sot është që këtë trashëgimi ta ruajmë dhe ta zhvillojmë përmes arsimit cilësor, shkencës dhe edukimit të brezave të rinj”, deklaroi Sulejmani.
Vëmendje e veçantë arsimit shqip në mërgatë
Një prej mesazheve kryesore të zëvendësministrit ishte rëndësia e shkollave shqipe jashtë atdheut dhe kontributi i njerëzve që ndër vite kanë punuar për ruajtjen e gjuhës amtare.
Sulejmani vlerësoi angazhimin e studiuesve, mësimdhënësve dhe veprimtarëve të arsimit shqip në mërgatë, të cilët kanë luajtur një rol të rëndësishëm në edukimin e brezave të rinj dhe në përcjelljen e gjuhës e kulturës shqiptare te fëmijët që jetojnë larg vendlindjes.
Ai theksoi se ruajtja e gjuhës shqipe nuk është vetëm çështje e institucioneve arsimore në vendlindje, por edhe një përgjegjësi e përbashkët që kërkon përkushtim, bashkëpunim dhe mbështetje konkrete për shkollat shqipe në mërgatë.
Në përfundim, zëvendësministri shprehu mirënjohje për organizatorët e konferencës dhe të gjithë pjesëmarrësit që kontribuojnë në trajtimin shkencor të sfidave dhe perspektivave të arsimit shqip.
Me rastin e Ditës së Alfabetit të Gjuhës Shqipe, ai përcolli edhe një urim simbolik, duke e përmbledhur mesazhin e tij me fjalët:
“Gjuha është identiteti ynë, arsimi është e ardhmja jonë! Gëzuar Ditën e Alfabetit!”
Konferenca në Shkup edhe një herë riktheu në vëmendje rëndësinë e bashkëpunimit institucional dhe shkencor për zhvillimin e arsimit shqip, me theks të veçantë te shkollat në mërgatë, të cilat mbeten një hallkë e rëndësishme në ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe identitetit kombëtar shqiptar, transmeton opentv.









