HomeAtdheuKOSOVA NDËR PESË VENDET MË TË SIGURTA NË EVROPË, GALLUP-I E VLERËSON...

KOSOVA NDËR PESË VENDET MË TË SIGURTA NË EVROPË, GALLUP-I E VLERËSON ME 90 PIKË

-

Kosova po shënon një rezultat të rëndësishëm në nivel evropian sa i përket sigurisë dhe besimit të qytetarëve në rendin dhe ligjin. Sipas raportit ndërkombëtar “The Global Safety Report 2026”, të publikuar nga instituti prestigjioz Gallup, Kosova renditet ndër pesë vendet me rezultatin më të lartë në Evropë, me 90 pikë nga 100 të mundshme.

Në renditjen evropiane, Kosova ndan vendin e pestë me Danimarkën dhe Finlandën, duke lënë pas një numër të konsiderueshëm shtetesh evropiane. Në krye të listës qëndron Islanda me 93 pikë, ndërsa Zvicra, Lituania dhe Norvegjia renditen me nga 91 pikë. Menjëherë pas tyre vijnë Kosova, Danimarka dhe Finlanda, me nga 90 pikë secila.

Ky rezultat e vendos Kosovën në një pozitë të rëndësishme në hartën evropiane të sigurisë, duke dëshmuar një nivel të lartë të perceptimit të sigurisë dhe besimit të qytetarëve në institucionet e rendit.

Indeksi i Ligjit dhe Rendit i Gallup-it bazohet në katër tregues kryesorë: ndjenjën e sigurisë gjatë ecjes vetëm natën në vendbanim, besimin në policinë lokale, përvojat me vjedhjen e pronës gjatë vitit të fundit, si dhe përvojat me sulmet apo grabitjet.

Përmes këtyre treguesve matet mënyra se si qytetarët e përjetojnë sigurinë në jetën e përditshme dhe sa besim kanë në institucionet përgjegjëse për mbrojtjen e tyre.

Raporti i vitit 2026 mbështetet në anketa të realizuara gjatë vitit 2025, me 143.620 persona të moshës 15 vjeç e lart, në 140 shtete dhe territore.

Në nivel global, mesatarja e Indeksit të Ligjit dhe Rendit është 80 pikë, ndërsa Kosova me 90 pikë qëndron dhjetë pikë mbi këtë mesatare.

Renditja e publikuar nga Gallup përbën një tregues pozitiv për imazhin e Kosovës në nivel ndërkombëtar.

Megjithatë, duhet theksuar se ky indeks pasqyron perceptimet dhe përvojat e qytetarëve lidhur me sigurinë, besimin në polici dhe kriminalitetin, e jo një matje të drejtpërdrejtë të të gjitha formave të kriminalitetit. Me këtë rezultat, Kosova dëshmon se është ndër vendet me perceptimin më të lartë të sigurisë në Evropë, një element me rëndësi për besimin e qytetarëve, stabilitetin shoqëror dhe imazhin ndërkombëtar të shtetit, transmeton rtk.

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

MOS HARRONI, PO AFROHET 28 NËNTORI! ANSAMBLI “TROJET” JU PRET NË...

0
Bashkatdhetarë të dashur, mos harroni! Rezervojeni datën 28 nëntor 2026 dhe bëhuni pjesë e familjes së Ansamblit “Trojet” në Winterthur. Ju premtojmë një mbrëmje...