Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka bërë të ditur se Kosova i ka adresuar Departamentit Amerikan të Luftës kërkesën për blerjen e helikopterëve ushtarakë. Ekspertët e sigurisë e konsiderojnë këtë një hap të rëndësishëm për avancimin e kapaciteteve të FSK-së, por theksojnë se vendi ka nevojë edhe për sisteme të tjera mbrojtëse. Ndërkohë, Qendra për Studime Universitare e FSK-së ka fituar riakreditimin pesëvjeçar.
Kosova po synon të zgjerojë kapacitetet e saj ushtarake përmes blerjes së helikopterëve amerikanë, në kuadër të përpjekjeve për forcimin dhe modernizimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK). Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka njoftuar se kërkesa për blerjen e mjeteve ajrore i është adresuar Departamentit Amerikan të Luftës. Sipas tij, procesi pritet të zhvillohet përmes programit amerikan FMS (Foreign Military Sales), i cili mundëson blerjen e pajisjeve ushtarake nga shtetet partnere përmes Qeverisë së Shteteve të Bashkuara. Në kuadër të këtij mekanizmi, institucionet amerikane përfshihen në procedurat e prokurimit, negocimit dhe hapat e tjerë që lidhen me realizimin e marrëveshjeve për pajisje ushtarake. Nisma vjen në një kohë kur Kosova po synon të rrisë aftësitë operacionale të FSK-së dhe të avancojë procesin e transformimit të saj në një forcë moderne, të pajisur për t’iu përgjigjur sfidave të sigurisë.
Ekspertët: Helikopterët janë të rëndësishëm, por nuk mjaftojnë
Ekspertët e sigurisë e vlerësojnë pozitivisht synimin për blerjen e helikopterëve ushtarakë, duke e konsideruar atë një zhvillim me rëndësi për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të vendit. Megjithatë, ata nënvizojnë se modernizimi i FSK-së kërkon një qasje më të gjerë, e cila përfshin edhe sisteme të tjera armatimi dhe mbrojtjeje.
Eksperti i sigurisë Hysen Gecaj thekson se nevojat e Kosovës në fushën e mbrojtjes janë të shumta dhe nuk kufizohen vetëm te pajisjet ajrore.
“ Kosova ka nevojë për shumëçka dhe për shumë sisteme të mbrojtjes, jo vetëm helikopterë. Ka nevojë edhe për mbrojtje kundërajrore, për mjete që përdoren në luftën kundër mjeteve të blinduara, për dronë e të tjera. Pra, është një gamë e gjerë e armatimeve që i duhen Kosovës. Sigurisht që secila blerje që paralajmërohet është në interes të shtetit”, u shpreh Gecaj.
Sipas tij, forcimi i mbrojtjes kërkon investime të vazhdueshme në disa fusha, në mënyrë që kapacitetet e ushtrisë të zhvillohen në mënyrë të balancuar.
Dashevci: Viti 2026, me marrëveshje të reja për FSK-në
Edhe eksperti i sigurisë Arben Dashevci e konsideron të rëndësishëm paralajmërimin për pajisjen e Kosovës me helikopterë ushtarakë, duke e lidhur këtë nismë me avancimin e përgjithshëm të kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
“Viti 2026 do të jetë vit i nënshkrimit të shumë marrëveshjeve për plotësimin e kapaciteteve mbrojtëse të ushtrisë së Kosovës, në këtë rast FSK-së. Andaj, porositja ose edhe vetëm bisedat për pajisje ajrore, konkretisht helikopterë, si dhe për disa pajisje të tjera, janë lajm shumë i mirë për Republikën e Kosovës”, deklaroi Dashevci.
Vlerësimet e ekspertëve vënë në pah rëndësinë e investimeve në pajisje moderne, por edhe nevojën për të zhvilluar një kapacitet mbrojtës që përfshin mjete ajrore, sisteme kundërajrore, pajisje kundër mjeteve të blinduara dhe teknologji pa pilot.
Qendra për Studime Universitare e FSK-së fiton riakreditimin pesëvjeçar
Përveç zhvillimeve që lidhen me pajisjet ushtarake, Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka njoftuar edhe për një arritje në fushën e edukimit dhe përgatitjes profesionale brenda FSK-së.
Qendra për Studime Universitare e Forcës së Sigurisë së Kosovës ka fituar për herë të parë riakreditimin për një periudhë pesëvjeçare, duke kaluar nga akreditimi trevjeçar në atë pesëvjeçar.
Ky zhvillim përbën një hap të rëndësishëm për institucionin arsimor të FSK-së, i cili kontribuon në përgatitjen akademike dhe profesionale të kuadrove të ardhshme të forcës.
Kështu, krahas synimit për të siguruar pajisje të reja ushtarake dhe për të zgjeruar kapacitetet operacionale, Kosova po shënon zhvillime edhe në fushën e arsimimit dhe formimit të personelit. Blerja e mundshme e helikopterëve amerikanë, e shoqëruar me investime të tjera në mbrojtje dhe me avancimin e institucioneve arsimore të FSK-së, pasqyron përpjekjet e Kosovës për të ndërtuar një forcë më moderne dhe më të përgatitur për nevojat e sigurisë së vendit, transmeton rtk.













































