Ambasada amerikane në Tiranë e cilëson një hap të rëndësishëm për sigurinë energjetike të rajonit, diversifikimin e burimeve të furnizimit dhe krijimin e mundësive të reja ekonomike për të dy vendet.
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë ka përshëndetur përfshirjen e Shqipërisë në nismën “Trump Peace Pipelines Framework”, e cila synon forcimin e sigurisë energjetike dhe diversifikimin e burimeve të furnizimit me energji në rajon.
Përmes një mesazhi të publikuar në faqen zyrtare në Facebook, Ambasada amerikane bëri të ditur se ambasadori i SHBA-së në Shqipëri, Wendt, ka nënshkruar Memorandumin e Mirëkuptimit në kuadër të Ministerialit të Partneritetit Transatlantik për Bashkëpunimin Energjetik (P-TEC).
Në reagimin e saj, Ambasada e cilësoi këtë zhvillim si një dëshmi të rritjes së angazhimit rajonal për sigurinë dhe diversifikimin energjetik.
“Krenari të shohësh Shqipërinë t’i bashkohet nismës ‘Trump Peace Pipelines Framework’, ndërsa Ambasadori Wendt nënshkroi Memorandumin e Mirëkuptimit në Ministerialin e Partneritetit Transatlantik për Bashkëpunimin Energjetik (P-TEC), duke dëshmuar për rritjen e angazhimit rajonal për sigurinë dhe diversifikimin energjetik”, thuhet në mesazhin e Ambasadës.
Sipas përfaqësisë diplomatike amerikane, kjo nismë përbën një hap të rëndësishëm drejt zvogëlimit të cenueshmërisë së rajonit ndaj ndërprerjeve të furnizimit me energji, duke kontribuar në krijimin e një infrastrukture më të qëndrueshme dhe më të diversifikuar energjetike.
Një tjetër aspekt i rëndësishëm i kësaj marrëveshjeje është edhe dimensioni ekonomik, pasi ajo synon të krijojë mundësi të reja bashkëpunimi për kompanitë dhe punonjësit amerikanë e shqiptarë.
Përfshirja e Shqipërisë në këtë kuadër bashkëpunimi shihet si një zhvillim me rëndësi për forcimin e partneritetit strategjik shqiptaro-amerikan, si dhe për pozicionimin e vendit në projektet rajonale të energjisë.
Në një kohë kur siguria energjetike mbetet një nga sfidat kryesore të Evropës dhe Ballkanit Perëndimor, diversifikimi i burimeve dhe forcimi i bashkëpunimit ndërkombëtar marrin një rëndësi të veçantë, transmeton euronewsal.












































