Presidenti i SH.K.A. “Dardania”, me qendër në Winterthur të Zvicrës, z.Shefqet Cakolli u drejtohet bashkatdhetarëve përmes rrjeteve sociale me një mesazh të qartë: Festa e Flamurit nuk është çështje biznesi, pompoziteti apo përfitimi financiar, por një ditë e shenjtë e identitetit, historisë dhe krenarisë kombëtare. Me afrimin e festave të nëntorit, kur shqiptarët në të gjitha anët e botës përgatiten të shënojnë 28 Nëntorin, Shoqëria Kulturore Artistike (SH.K.A.) “Dardania”, me qendër në Winterthur të Zvicrës, vjen me një mesazh të veçantë për bashkatdhetarët: të festojnë shqip, me përmbajtje, dinjitet dhe respekt për historinë kombëtare.

Në një thirrje publike, presidenti i SH.K.A. “Dardania” thekson se festimet e nëntorit organizohen në forma të ndryshme, por jo të gjitha, sipas tij, e ruajnë kuptimin e vërtetë të kësaj date historike. Ai nënvizon se për shoqërinë që drejton, 28 Nëntori nuk është mundësi për përfitime financiare, për reklamë personale apo për pompozitet, por një angazhim që buron nga vullneti, dashuria për atdheun dhe mbështetja e bashkatdhetarëve.
“Ne festojmë vetëm shqip dhe pa asnjë interes financiar, por vetëm me vullnetin e të gjithë atyre që po na mbështesin”, është mesazhi i presidentit të kësaj shoqërie kulturore artistike. Ai bën të ditur se SH.K.A. “Dardania” synon të ofrojë një atmosferë ndryshe nga festimet e zakonshme, duke i dhënë përparësi përmbajtjes kulturore, artistike dhe kombëtare. Sipas tij, qëllimi është që secili pjesëmarrës të përjetojë një mbrëmje të vërtetë shqiptare, larg komercializimit, zhurmës dhe elementeve që, sipas organizatorëve, nuk i përgjigjen frymës së festës. Një veçanti e manifestimit të sivjetmë është edhe tema qendrore, e cila do t’i kushtohet Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Me këtë përkushtim, SH.K.A. “Dardania” dëshiron që festa e 28 Nëntorit të shërbejë edhe si moment reflektimi dhe nderimi për sakrificën, qëndresën dhe kontributin e atyre që u angazhuan për lirinë e Kosovës. Presidenti i shoqërisë z.Cakolli thekson se çdo vit përpiqen të sjellin befasi dhe momente të veçanta për publikun, duke ruajtur karakterin autentik të festës dhe duke e vendosur në qendër flamurin, historinë, kulturën dhe identitetin shqiptar. Në fund, ai u drejton një ftesë të gjithë bashkatdhetarëve që dëshirojnë ta përjetojnë 28 Nëntorin në një atmosferë të mirëfilltë kombëtare, duke i mirëpritur në Winterthur, në mesin e familjes së madhe të SH.K.A. “Dardania”.
“Nëse keni nevojë të ndiheni së paku një mbrëmje shqiptarë, adresën e keni te SH.K.A. ‘Dardania’ në Winterthur. Ju mirëpresim si gjithnjë!”, përfundon mesazhi i presidentit të shoqërisë.
Për SH.K.A. “Dardania”, 28 Nëntori nuk është vetëm një datë në kalendar. Është kujtesë, identitet dhe përgjegjësi për ta përcjellë dashurinë për kombin edhe te brezat e rinj shqiptarë që po rriten larg vendlindjes./HALF24.ch









