Bashkëpunimi rajonal në fushën e mbrojtjes, siguria euroatlantike dhe përballimi i kërcënimeve të reja ndërkombëtare në fokus të konferencës së zhvilluar në Tiranë.
Shqipëria ka mikpritur Konferencën e 14-të të Shefave të Shtabit të Përgjithshëm të vendeve anëtare të Nismës Rajonale për Bashkëpunimin në Mbrojtje (DECI – Defence Cooperation Initiative), një takim i rëndësishëm që synon thellimin e bashkëpunimit ushtarak dhe forcimin e sigurisë në rajon. Konferenca u organizua nën kujdesin e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, ndërsa në ceremoninë hapëse fjalën përshëndetëse e mbajti ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi. Në adresimin e tij, ministri Nufi vuri në pah rëndësinë e koordinimit dhe bashkëpunimit ndërmjet vendeve anëtare, veçanërisht në një kohë kur siguria ndërkombëtare po përballet me sfida gjithnjë e më komplekse. Ai përmendi zhvillimet e fundit në Evropë, luftën në Ukrainë, kërcënimet hibride dhe cenueshmërinë kibernetike, duke theksuar se këto sfida kërkojnë përgjigje të përbashkëta dhe angazhim të koordinuar.
„Siguria nuk mund të trajtohet më vetëm përmes përpjekjeve kombëtare. Qëndrueshmëria jonë kolektive varet nga aftësia për të bashkëpunuar, koordinuar dhe vepruar së bashku. Kjo është pikërisht vlera strategjike e Nismës për Bashkëpunimin në Mbrojtje“, deklaroi Nufi. Ai theksoi se bashkëpunimi rajonal duhet të kalojë nga dialogu politik dhe institucional në veprime konkrete, duke përfshirë ndërveprueshmërinë më të madhe të forcave të armatosura, planifikimin e koordinuar, stërvitjet e përbashkëta dhe avancimin e edukimit ushtarak. Ministri i Mbrojtjes u ndal edhe te kontributi i Shqipërisë në misionet e drejtuara nga NATO-ja dhe në operacionet shumëkombëshe, përfshirë KFOR-in në Kosovë. Sipas tij, angazhimi shqiptar në këto misione dëshmon bindjen se stabiliteti i Ballkanit Perëndimor është i lidhur ngushtë me sigurinë e përgjithshme euroatlantike.
„Ballkani Perëndimor nuk ndodhet në periferi të sigurisë evropiane. Ai është pjesë përbërëse e saj! Për këtë arsye, ruajtja e stabilitetit, forcimi i besimit rajonal dhe avancimi i integrimit euroatlantik duhet të mbeten përparësi strategjike të përbashkëta“, theksoi Nufi. Ai rikonfirmoi gjithashtu përkushtimin e Shqipërisë për të kontribuar në mënyrë aktive në DECI, duke nënvizuar se kjo nismë duhet të plotësojë dhe përforcojë përpjekjet e NATO-s dhe Bashkimit Evropian, pa krijuar struktura paralele.
DECI, një platformë për bashkëpunim dhe siguri rajonale
Nisma për Bashkëpunimin në Mbrojtje (DECI) u themelua në vitin 2013, me iniciativën e Italisë. Anëtarët themelues ishin Shqipëria, Italia, Austria, Kroacia, Sllovenia dhe Hungaria. Më pas, kësaj nisme iu bashkuan Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut, ndërsa Rumania pritet të jetë anëtarja më e re e saj.
Qëllimi kryesor i DECI-së është krijimi i linjave të përbashkëta të veprimit dhe zhvillimi i projekteve bashkëpunuese në fushën e mbrojtjes, me synim rritjen e stabilitetit rajonal dhe forcimin e kapaciteteve të vendeve pjesëmarrëse.
Bashkëpunimi përfshin pjesëmarrjen në operacione ndërkombëtare, projekte të zhvillimit tekniko-ushtarak, si dhe aktivitete të përbashkëta në fushën e trajnimit dhe edukimit ushtarak.
Në konferencën e zhvilluar në Shqipëri morën pjesë Presidenti i Republikës dhe Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, Bajram Begaj; ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi; Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Shqipërisë, gjenerallejtënant Arben Kingji; zëvendësshefi i Shtabit të Mbrojtjes së Italisë, gjenerallejtënant Luigi Del Bene, si dhe shefat e shtabeve të përgjithshme dhe përfaqësues të lartë ushtarakë nga vendet pjesëmarrëse. Konferenca e 14-të e DECI-së riafirmoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet vendeve të rajonit dhe më gjerë, në funksion të një mjedisi më të qëndrueshëm të sigurisë, forcimit të besimit të ndërsjellë dhe avancimit të angazhimeve të përbashkëta euroatlantike, transmeton rtsh.









