HomeKulturaTroja Bicurri triumfon në “Akordet e Kosovës 2026” me këngën e saj...

Troja Bicurri triumfon në “Akordet e Kosovës 2026” me këngën e saj “Mali dhe Hana”

-

Këngëtarja 15-vjeçare rrëmben çmimin e parë në edicionin e katërt të festivalit të RTK-së. Një natë e mbushur me emocione, talent të ri, rikthime nostalgjike dhe homazhe për historinë e muzikës shqiptare.

Troja Bicurri është fituesja e edicionit të katërt të Festivalit të Këngës në RTK, “Akordet e Kosovës 2026”, duke rrëmbyer çmimin kryesor me këngën “Mali dhe Hana”. Artistja 15-vjeçare u dallua me një krijim tërësisht të sajin, pasi ka shkruar tekstin dhe ka kompozuar muzikën, ndërsa orkestrimi është realizuar nga Valon Gashi. Kënga sjell një histori dashurie mes një vajze nga fshati dhe një djali nga qyteti, duke ndërthurur ndjeshmërinë dhe kreativitetin e artistes së re. Çmimin e parë Troja e mori nga ministrja e Kulturës, Saranda Bogujevci, e cila shpalli edhe emrin e fitueses në ceremoninë përmbyllëse. Pas marrjes së çmimit, Bicurri nuk e fshehu emocionin dhe krenarinë për këtë sukses, duke falënderuar RTK-në, festivalin dhe të gjithë ata që e mbështetën gjatë rrugëtimit të saj.

“Jam shumë krenare që ky çmim i ‘Akordeve të Kosovës’ po shkon për herë të dytë te familja jonë”, u shpreh ajo, duke vënë në pah edhe lidhjen e veçantë të familjes së saj me këtë festival.

Përveç trofeut kryesor, këngëtarja e re u shpërblye edhe me një dhuratë speciale: një medaljon të punuar në ar dhe diamante, të dhuruar nga Flori Diamonds.

Fatbardha Nikçi dhe grupi “Hawolf” plotësojnë podiumin

Çmimi i dytë i takoi Fatbardha Nikçit me këngën “Hajde mor i bukur”, ndërsa vendin e tretë e zuri grupi “Hawolf”, me këngën “Ti si unë”. Çmimet u ndanë nga drejtoresha e përgjithshme e RTK-së, Zana Spahiu.

Fatbardha Nikçi u vlerësua gjithashtu me çmimin e orkestrës, ndërsa çmimi për tekstin më të mirë shkoi për këngën “Amanet”, të interpretuar nga Olimpia, kushtuar heroinës Shote Galica.

Në fjalën e tij pas marrjes së çmimit të tretë, lideri i grupit “Hawolf” ia dedikoi këtë vlerësim kompozitorëve, muzikantëve dhe artistëve që kanë kontribuuar ndër vite në zhvillimin e skenës muzikore dhe në ruajtjen e traditës së “Akordeve të Kosovës”.

Një finale me 17 këngë dhe emra të rinj të muzikës shqiptare

Nata finale nisi me një pikë artistike baleti, të shoqëruar me një mesazh kushtuar sakrificës së atyre që ndër vite kontribuuan në ruajtjen e arsimit, kulturës, artit dhe identitetit kombëtar.

Vepra muzikore u kompozua nga drejtori artistik i festivalit, Florent Boshnjaku, ndërsa koreografia u realizua nga trupa e baletit “Behia’s Dance”, me kontribut edhe të violinistit Festim Fanaj.

Gjatë mbrëmjes, publiku pati mundësinë të dëgjojë sërish të 17 këngët konkurruese, të interpretuara nga artistë të zhanreve dhe stileve të ndryshme muzikore.

Në mesin e konkurrentëve ishin Fatbardha Nikçi, Herva Novaku, Urim Salihu, Olimpia, Algert Sala dhe Jeti, Sidorela Kelmendi, Troja Bicurri, Rei Bezhani dhe Martina Serreqi, Arbër Krasniqi, Miranda Lipovica, Sajana Kodheli, Rinea Vitija, “Hawolf”, Dea Pasha, Shpend Lleshi, Verona Kastrati dhe Besmir Shishko.

Performancat sollën një larmi muzikore, nga baladat dhe tingujt alternativë deri te rock-u dhe heavy metal-i, duke dëshmuar potencialin krijues të artistëve pjesëmarrës.

Bojken Lako vlerëson nivelin e festivalit

Një prej mysafirëve të veçantë të natës finale ishte këngëtari dhe producenti Bojken Lako, njëherësh kryetar i jurisë së festivalit. Ai u prezantua para publikut me dy këngë të njohura nga repertori i tij, “Shtëpia e sëmurë” dhe “Nuk ka asgjë të largët”.

Lako shprehu vlerësim për publikun kosovar dhe ngrohtësinë që ka përjetuar ndër vite, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit dhe afrimit mes shqiptarëve të Kosovës, Shqipërisë dhe viseve të tjera shqiptare.

Ai vlerësoi lart edhe nivelin artistik dhe produksionin televiziv të festivalit, duke theksuar se suksesi i tij është rezultat i një tradite të trashëguar nga brezat e muzikantëve dhe pionierëve të skenës muzikore në Kosovë.

Rikthime emocionuese dhe nostalgji në skenën e “Akordeve”

Përveç garës, nata finale u shndërrua në një udhëtim muzikor nëpër kohë, me rikthimin e artistëve që kanë lënë gjurmë në historinë e muzikës shqiptare.

Një nga momentet më emocionuese ishte rikthimi i këngëtares Denisa Begolli në skenën e “Akordeve të Kosovës”, pas një periudhe të gjatë larg këtij festivali. Ajo interpretoi këngën “Dëshirat”, me të cilën ishte paraqitur në edicionin e vitit 1989.

Begolli kujtoi me emocion fillimet e saj muzikore, bashkëpunimet me emra të njohur të skenës dhe pasionin e gjeneratës së saj për krijimtarinë muzikore.

Një tjetër moment nostalgjik ishte paraqitja e Sejat Jakupit, i cili solli disa prej këngëve të tij më të njohura, përfshirë “Ndoshta një ditë”, “Vetëm për Ty”, “Më merr, më ndihmo” dhe “Ta gjen mami një sheik”, duke rikthyer kujtime për publikun e disa brezave.

Atmosferën e mbrëmjes e pasuruan edhe performancat e Besnik Qakës, i cili interpretoi këngët “Ashtu sikur dje” dhe “Mos u ndal”, si dhe prezantueses Flaka Latifi, e cila befasoi publikun me interpretimin e “Autumn Leaves” në shqip dhe anglisht.

“Akordet e Kosovës”, një traditë që po rikthehet

Rikthimi i festivalit me emrin historik “Akordet e Kosovës”, pas një ndërprerjeje shumëvjeçare, përbën një ngjarje të rëndësishme për kulturën dhe muzikën shqiptare.

Edicioni i katërt dëshmoi se festivali vazhdon të jetë një hapësirë e rëndësishme për promovimin e talenteve të reja, por edhe për ruajtjen e kujtesës muzikore dhe lidhjen mes brezave të artistëve.

Me triumfin e Troja Bicurrit dhe suksesin e artistëve të tjerë pjesëmarrës, “Akordet e Kosovës 2026” u përmbyllën si një festë e muzikës, krijimtarisë dhe trashëgimisë kulturore.

Ndërkohë, festa muzikore në RTK do të vazhdojë edhe të dielën, nga ora 21:00, me edicionin e parë të Festivalit të Këngës për Fëmijë, duke i dhënë hapësirë një brezi të ri interpretuesish, transmeton rtk.

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

Mbi 82.9 milionë euro për skemat sociale në Kosovë gjatë tetorit,...

0
Pensionistët, familjet në nevojë, fëmijët, lehonat dhe kategoritë e dala nga lufta vazhdojnë të jenë ndër përfituesit kryesorë të skemave të mirëqenies sociale në...