Dyshimet për përfshirjen e hakerave të lidhur me Korenë e Veriut, ndërsa Tether dhe Circle ngrijnë rreth 2.4 miliardë dollarë. Binance premton të mbulojë të gjitha humbjet.
Një sulm masiv kibernetik ndaj Binance, bursës më të madhe të kriptomonedhave në botë, ka tronditur industrinë financiare dixhitale, duke vënë në rrezik asete me vlerë rreth 6.3 miliardë dollarë. Sipas deklaratave të kompanisë, rreth gjysma e fondeve të prekura janë ngrirë, ndërsa pjesa tjetër vijon të jetë nën kontrollin e sulmuesve. Binance ka bërë të ditur se do të marrë përsipër mbulimin e të gjitha humbjeve të shkaktuara nga incidenti, ndërsa ka nisur bashkëpunimin me autoritetet për identifikimin e përgjegjësve. Hetimet paraprake sugjerojnë se sulmi mund të ketë nisur pas komprometimit të laptopit të një prej inxhinierëve të kompanisë, duke u mundësuar hakerave të kryenin tërheqje të paautorizuara. Dy kompani të specializuara në analizën e transaksioneve të kriptomonedhave, TRM Labs dhe Chainalysis, kanë ngritur dyshime për përfshirjen e grupit të hakerave “TraderTraitor”, i cili lidhet me Korenë e Veriut. Chainalysis deklaroi se ka besim të lartë në këtë lidhje, ndërsa TRM Labs vuri në dukje ngjashmëritë mes këtij incidenti dhe sulmeve të mëparshme të atribuara grupeve koreano-veriore.
Nëse konfirmohet, ky sulm do të tejkalonte ndjeshëm vjedhjen e vitit 2025 ndaj platformës Bybit, ku u përvetësuan rreth 1.5 miliardë dollarë në asete dixhitale.
Ari Redbord, drejtues global i politikave në TRM Labs, e cilësoi ngjarjen si një moment vendimtar për industrinë e kriptomonedhave. Sipas tij, një pjesë e konsiderueshme e aseteve të vjedhura vijon të jetë në duart e sulmuesve, duke e bërë procesin e gjurmimit dhe rikuperimit të fondeve një sfidë të madhe.
Ndërhyrje për ngrirjen e miliarda dollarëve
Pas publikimit të incidentit, disa prej kompanive më të mëdha të sektorit të kriptomonedhave kanë ndërmarrë masa për të bllokuar fondet e lidhura me sulmin.
Tether dhe Circle kanë njoftuar ngrirjen e përbashkët të rreth 2.4 miliardë dollarëve. Sipas drejtuesve të kompanive, Tether ka bllokuar rreth 1.6 miliardë dollarë, ndërsa Circle më shumë se 800 milionë dollarë.
Tether është emetuesi i USDT, ndërsa Circle administron USDC, dy prej monedhave dixhitale të mbështetura nga dollari amerikan, të cilat përdoren gjerësisht në tregjet e kriptomonedhave.
Në këtë operacion është përfshirë edhe World Liberty Financial, kompani kriptomonedhash e lidhur me presidentin amerikan Donald Trump dhe familjen e tij, e cila deklaroi se ka bashkëpunuar me partnerët për ngrirjen e fondeve të vjedhura.
Nga ana tjetër, Coinbase konfirmoi se platforma e saj nuk është prekur nga sulmi dhe se po monitoron zhvillimet.
Binance pezullon përkohësisht tërheqjet
Bashkëdrejtuesja ekzekutive e Binance, Yi He, falënderoi kompanitë që kontribuuan në ngrirjen e aseteve dhe njoftoi se tërheqjet ishin çaktivizuar përkohësisht, deri në verifikimin e plotë të sigurisë së sistemit.
Kompania theksoi se po bashkëpunon ngushtë me agjencitë e zbatimit të ligjit për të identifikuar autorët dhe për t’i vënë ata përpara drejtësisë.
Incidenti ka rikthyer në vëmendje kërcënimin në rritje nga grupet kibernetike të lidhura me Korenë e Veriut. Agjencitë perëndimore të sigurisë kanë paralajmëruar vazhdimisht se fondet e përfituara nga vjedhjet e kriptomonedhave mund të përdoren për financimin e programeve bërthamore dhe raketore të Phenianit. Megjithatë, autoritetet koreano-veriore i kanë mohuar vazhdimisht akuzat për përfshirje në sulme të tilla.
Tregjet reagojnë me rënie
Lajmi për sulmin shkaktoi reagime të menjëhershme në tregjet e kriptomonedhave. Bitcoin regjistroi një rënie prej më shumë se 4%, ndërsa humbje pësuan edhe monedha të tjera kryesore, përfshirë Ethereum dhe Solana.
Sipas kompanisë, incidenti ka prekur platformën ndërkombëtare Binance.com dhe jo Binance.US, e cila ofron shërbime për përdoruesit amerikanë dhe deklaroi se nuk është ndikuar nga sulmi.
E themeluar në vitin 2017, Binance numëron më shumë se 300 milionë përdorues të regjistruar në mbarë botën. Në vitin 2024, kompania deklaroi se administronte asete me vlerë mbi 160 miliardë dollarë.
Sulmi i fundit përbën një tjetër goditje për besimin në sigurinë e platformave të mëdha të kriptomonedhave. Pavarësisht rritjes së masave mbrojtëse dhe investimeve në sigurinë kibernetike, vlera e lartë e aseteve që këto kompani administrojnë vazhdon t’i bëjë ato objektiva kryesore për grupet e organizuara të hakerave./BW













































