Gjatë natës mes të shtunës dhe të dielës përfundon ora verore dhe hyn në fuqi ora dimërore. Akrepat do të kthehen nga ora 03:00 në 02:00, duke bërë që nata të zgjasë një orë më shumë.
Qytetarët do të kalojnë në orën dimërore gjatë natës mes 24 dhe 25 tetorit 2026. Sipas ndryshimit të paraparë, në orën 03:00 pas mesnatës, akrepat e orës do të kthehen 60 minuta prapa, në orën 02:00. Ky ndryshim nënkupton një orë më shumë gjumë gjatë natës, por edhe ditë me më pak dritë në orët e pasdites. Me hyrjen në fuqi të orës dimërore, agimi dhe perëndimi i diellit do të ndodhin më herët sipas orës lokale.
Pajisjet elektronike përshtaten automatikisht
Telefonat celularë, kompjuterët dhe shumica e pajisjeve elektronike të lidhura me internetin do ta bëjnë ndryshimin automatikisht, nëse janë të konfiguruara për përditësimin e orës. Ndërkaq, orët e dorës, orët e murit, si dhe pajisjet e tjera që nuk e ndryshojnë vetë kohën, duhet të rregullohen manualisht nga përdoruesit. Qytetarëve u rekomandohet të kontrollojnë orën në pajisjet e tyre, veçanërisht nëse kanë udhëtime, takime apo obligime të planifikuara në orët e para të mëngjesit të së dielës.
Ora dimërore deri në mars 2027
Ora dimërore do të mbetet në fuqi deri më 28 mars 2027, kur do të rikthehet ora verore dhe akrepat do të lëvizin një orë përpara. Ndryshimi i orës dy herë në vit vazhdon të jetë temë diskutimi në shumë vende, për shkak të ndikimit të mundshëm në shëndetin, gjumin dhe ritmin biologjik të njeriut. Edhe pse kthimi i akrepave në vjeshtë mundëson një orë më shumë gjumë atë natë, përshtatja me orarin e ri mund të ndikojë përkohësisht në rutinën e përditshme të disa personave. Me hyrjen në fuqi të orës dimërore, qytetarët duhet të përgatiten për ditë më të shkurtra dhe errësim më të hershëm, ndërsa rikthimi në orën verore do të ndodhë në fund të marsit të vitit të ardhshëm./ALF










































