Berlin, 19 nëntor 2026 – Prof. dr. Skender Asani dhe prof. dr. Sevdail Demiri, të shoqëruar nga Elsa Vejseli dhe Samet Ismaili, siç mëson HALF24.ch realizuan dje një vizitë zyrtare në Akademinë Evropiane në Berlin (Europäische Akademie Berlin). Delegacioni u prit në një takim të veçantë nga drejtori i këtij institucioni, Dr. Christian Johann. Gjatë takimit u diskutua mbi mundësitë e bashkëpunimit të ndërsjellë, shkëmbimin e përvojave akademike dhe zhvillimin e projekteve të përbashkëta në fushën e arsimit, kulturës dhe integrimeve evropiane. Drejtori, dr. Christian Johann, u njoh nga afër me angazhimet dhe punën e delegacionit, duke shprehur gatishmërinë e tij dhe të Akademisë Evropiane të Berlinit për të mbështetur dhe avancuar nisma të reja bashkëpunimi në të ardhmen.

Ndërkohë, vizita e punës e profesorëve dhe anëtarëve të delegacionit në Gjermani po vazhdon edhe gjatë ditës së sotme. Sipas burimeve tona, pjesëmarrësit janë shprehur shumë të kënaqur me mikpritjen e treguar nga institucionet dhe përfaqësuesit gjermanë, si dhe me takimet dhe hulumtimet që janë duke zhvilluar në kuadër të kësaj vizite.

Kjo vizitë përbën një mundësi të rëndësishme për thellimin e kontakteve institucionale, njohjen me përvojat evropiane dhe krijimin e urave të reja të bashkëpunimit në fushën akademike, kulturore dhe shkencore, transmeton HALF24.ch.












































