Nga: Prof.Dr. Xhavit LIPAJ
Ka mbrëmje kur buka mezi del për dy
e prapë dikush ia lë tjetrit copën më të madhe.
Vite më vonë, në një tryezë tjetër,
e njëjta gojë që dikur kërkoi bukë
përqesh emrin e atij që e ndau.
Ka njerëz që ngrenë dikë nga pluhuri.
Sapo ai mbahet në këmbë,
u vë duart në kraharor dhe i shtyn.
Edhe teksa bien, ia mbajnë ende mëngën,
sikur, po ta lëshonin, të binte ai.
Ka njerëz që zgjohen me zilen e parë
kur dikush i kërkon në mes të natës.
Kur u duhet edhe atyre një zë,
e lënë telefonin pranë jastëkut,
sikur edhe heshtja, po të presin pak,
të mund të ndërrojë mendje.
A ishte marrëzi ta ndaje bukën?
Atë mbrëmje kush mund ta dinte
ç’fjalë do të thuheshin vite më pas?
Uria ishte aty, në anën tjetër të tryezës.
Dhe nata sapo kishte nisur.
Njeriu mëson të thotë «mjaft».
Pastaj, një ditë, troket një i panjohur.
Me ç’të drejtë t’i kërkohet llogari
për një plagë që la dikush tjetër?
Kështu ndahet buka me sy hapur.
Kur vjen çasti për t’u ulur në tryezë,
ai që gjithë jetën u bëri vend të tjerëve
më në fund ulet edhe vetë.
Vetëm kështu …










































