HomeEKSKLUZIVEZVICËR | Patatet zvicerane në krizë: 130 mijë tonë mungesë këtë vit

ZVICËR | Patatet zvicerane në krizë: 130 mijë tonë mungesë këtë vit

-

Zvicër – Prodhimi i patateve në Zvicër këtë vit është goditur rëndë nga temperaturat e larta dhe thatësira. Sipas Swisspatat, në vend janë korrur rreth 333 mijë tonë patate, pothuajse 20 për qind më pak se mesatarja e gjashtë viteve të fundit. Për hektar, rendimenti është rreth 22 për qind nën normalen, transmeton 20min.ch. Presidenti i Swisspatat, Urs Reinhard, e cilëson këtë si një nga verat më të vështira që ka përjetuar ndonjëherë bujqësia zvicerane e patates. “Ky ka qenë vera më e vështirë për kultivuesit e patateve që kam përjetuar ndonjëherë”, është shprehur Reinhard.

Nxehtësia dëmtoi edhe fushat e ujitura

Rreth gjysma e sipërfaqeve të mbjella me patate në Zvicër janë ujitur. Megjithatë, ujitja nuk ka qenë e mjaftueshme për të kompensuar temperaturat ekstreme. “Me ujitje mund të parandalosh tharjen, por nuk mund ta ulësh temperaturën”, shpjegon Reinhard. Situata ka qenë aq e rëndë në disa zona, sa disa fermerë kanë vendosur të mos i nxjerrin fare patatet nga toka. Arsyeja është e thjeshtë: zhardhokët janë aq të vegjël, sa korrja nuk ia vlen ekonomikisht.

Mungesë prej rreth 130 mijë tonësh

Swisspatat llogarit një mungesë prej rreth 130 mijë tonësh patate këtë vit. Për të plotësuar kërkesën, Zvicra do të duhet të rrisë importet nga jashtë. Për konsumatorët, kjo mund të nënkuptojë më pak patate të prodhuara në Zvicër në raftet e supermarketeve.

A do të shtrenjtohen patatet?

Industria ka vendosur një shtesë prej 4,5 centimesh për kilogram në nivelin e prodhuesve. Megjithatë, ende nuk dihet nëse kjo rritje do të reflektohet plotësisht në çmimin që paguan konsumatori. Tregtarët mund ta përballojnë vetë këtë kosto ose ta kalojnë pjesërisht te konsumatorët.

Pomfrit ( Patatet e skuqura) më të shkurtër dhe patatina më të vogla

Problemet nuk ndalen te sasia. Për shkak se patatet janë më të vogla se zakonisht, edhe përpunuesit kanë pranuar madhësi më të vogla. Kjo mund të sjellë pomfrit më të shkurtër dhe patatina më të vogla gjatë këtij viti.

Raftet nuk do të mbeten bosh

Pavarësisht situatës së vështirë, Swisspatat nuk pret një krizë furnizimi. Konsumatorët nuk duhet të shqetësohen se do të mbeten pa patate. Sipas Reinhard, raftet e dyqaneve do të vazhdojnë të jenë të furnizuara dhe patatet do të jenë të disponueshme, por një pjesë e mungesës do të mbulohet përmes importeve.

Bujqësia duhet të përshtatet me klimën

Për vitet e ardhshme, sfida pritet të jetë edhe më e madhe. Temperaturat e larta dhe periudhat e thata mund të bëhen më të shpeshta. Industria zvicerane e patates kërkon më shumë investime në sistemet e ujitjes dhe përdorimin e varieteteve më rezistente ndaj nxehtësisë, thatësirës dhe sëmundjeve. Sipas Reinhard, Zvicra duhet gjithashtu të krijojë kushte më të përshtatshme për përdorimin e teknologjive të reja të përzgjedhjes dhe përmirësimit të varieteteve, në mënyrë që fermerët të jenë më të përgatitur për kushtet ekstreme të motit. Pavarësisht një prej viteve më të vështira për prodhimin e patateve, Reinhard mbetet optimist se bujqësia zvicerane mund të përshtatet dhe të vazhdojë të prodhojë patate edhe në kushtet e ndryshimit të klimës, transmeton 20min.ch, përcjell half24.ch

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh