Prishtinë – Komandanti i misionit të Forcës së Kosovës (KFOR), të udhëhequr nga NATO, gjeneralmajor Özkan Ulutaş, ka pritur në selinë e KFOR-it në Camp Film City, në Prishtinë, znj. Eva Palatova, shefe ad interim e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë.
Takimi u fokusua në situatën e sigurisë në të gjithë Kosovën, si dhe në rëndësinë e forcimit të koordinimit dhe bashkëpunimit ndërmjet institucioneve ndërkombëtare të sigurisë.
Gjatë takimit, komandanti i KFOR-it shprehu vlerësimin për bashkëpunimin e vazhdueshëm ndërmjet KFOR-it dhe Zyrës së BE-së në Kosovë, duke theksuar rëndësinë e koordinimit të ngushtë për ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe të qëndrueshëm.
KFOR-i vijon të zbatojë mandatin e tij, të bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999, me qëllim që të kontribuojë në një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë dhe të garantojë lirinë e lëvizjes.
Në përmbushje të mandatit të tij, KFOR-i punon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në përputhje me rolet dhe përgjegjësitë përkatëse të tyre si reagues të sigurisë.
Takime të tilla konsiderohen të rëndësishme për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet aktorëve ndërkombëtarë dhe institucioneve vendore, në funksion të ruajtjes së sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë, transmeton KF.













































