HomeAtdheuÇfarë ndryshon me ligjin e ri për Dhomat e Specializuara të Kosovës?

Çfarë ndryshon me ligjin e ri për Dhomat e Specializuara të Kosovës?

-

Kuvendi miratoi ndryshimet në lexim të dytë. Nisma e PDK-së ngushton juridiksionin, ndryshon periudhën kohore, kufizon dënimin maksimal në 15 vjet dhe parashikon transferimin e disa rasteve në sistemin gjyqësor të Kosovës

PRISHTINË – Kuvendi i Kosovës miratoi më 6 tetor ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës, duke përmbyllur procedurën parlamentare për një nismë që synon të ndryshojë disa nga elementet kryesore të funksionimit të Dhomave të Specializuara me seli në Hagë. Projektligji, i iniciuar nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), ishte miratuar në lexim të parë më 5 tetor, ndërsa një ditë më vonë mori edhe votën në lexim të dytë. Ndryshimet nuk e shfuqizojnë Gjykatën Speciale, siç njihet gjerësisht në publik, por prekin juridiksionin e saj, periudhën kohore që mbulon, mënyrën e ekzekutimit të dënimeve, vendin e vuajtjes së tyre dhe fatin e rasteve që nuk do të përfshiheshin më në kompetencën e Dhomave. Nisma e PDK-së u paraqit vetëm disa ditë pas aktgjykimit të 16 shtatorit ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Juridiksioni i Speciales ngushtohet

Një nga ndryshimet më të rëndësishme lidhet me juridiksionin e Dhomave të Specializuara. Sipas ligjit të miratuar, juridiksioni synohet të lidhet më ngushtë me pretendimet e paraqitura në raportin e vitit 2011 të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Në këtë kuadër, Dhomat do të trajtonin vepra që lidhen drejtpërdrejt me pretendimet për nxjerrjen, heqjen dhe trafikimin e paligjshëm të organeve, indeve ose qelizave njerëzore. Në juridiksion do të përfshiheshin gjithashtu vrasjet, tortura dhe trajtimi mizor apo çnjerëzor në vende të caktuara të ndalimit, kur këto vepra kanë lidhje të drejtpërdrejtë me operacionet e pretenduara të marrjes së organeve. Kjo do të nënkuptonte që krimet e tjera të luftës, krimet kundër njerëzimit apo format e tjera të dhunës politike që nuk lidhen drejtpërdrejt me këtë kategori do të mbeteshin jashtë juridiksionit të Dhomave.

Periudha kohore shkurtohet

Ndryshimi prek edhe periudhën kohore për të cilën Dhomat e Specializuara kanë juridiksion. Ligji aktual parashikon juridiksion për krimet e pretenduara të kryera nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000. Me ndryshimet e miratuara, periudha do të fillonte më 1 korrik 1999 dhe do të përfundonte më 31 dhjetor 2000. Në praktikë, kjo do të hiqte nga juridiksioni periudhën para 1 korrikut 1999. Ndryshim propozohet edhe në aspektin territorial, pasi juridiksioni do të kufizohej në veprat e pretenduara të kryera brenda territorit të Kosovës.

Dënimi maksimal: 15 vjet

Një tjetër element i rëndësishëm i ndryshimeve lidhet me masën e dënimit. Ligji i ri parashikon që dënimi maksimal i shqiptuar nga Dhomat e Specializuara të jetë 15 vjet burgim. Në arsyetimin e nismës përmendet edhe parimi juridik lex mitior, sipas të cilit, në rrethana të caktuara, zbatohet ligji penal më i favorshëm për personin e dënuar. Çështja merr rëndësi të veçantë pas aktgjykimit të 16 shtatorit, ku tre nga katër të akuzuarit – Thaçi, Krasniqi dhe Veseli – morën dënime më të larta se 15 vjet.

Thaçi dhe Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Veseli me 18 vjet, ndërsa Selimi me 13 vjet. Të katër u shpallën të pafajshëm për akuzat për krime kundër njerëzimit. Pretendimet për trafikim organesh nuk ishin pjesë e aktakuzës ndaj tyre. Aktgjykimi nuk është i formës së prerë dhe mbrojtja ka paralajmëruar ankesë.

Rastet që dalin nga juridiksioni mund të kalojnë në Kosovë

Ndryshimet parashikojnë një mekanizëm të ri për rastet që, pas ndryshimit të juridiksionit, nuk do të përfshiheshin më në kompetencën e Dhomave të Specializuara. Këto raste do të mund të transferoheshin në sistemin e rregullt gjyqësor të Kosovës, së bashku me dosjet, provat dhe materialet përkatëse. Trupat gjykues do të duhej të rishqyrtonin juridiksionin për secilin rast brenda 30 ditësh nga hyrja në fuqi e ligjit. Në rastet ku një aktakuzë përmban akuza që hyjnë në juridiksionin e ri dhe të tjera që nuk përfshihen më në të, procedurat do të mund të ndaheshin. Pjesa që nuk do të ishte më në kompetencën e Dhomave do të transferohej në Kosovë. Për personat e ndaluar në rastet e transferuara, ligji parashikon kthimin e tyre në Kosovë dhe paraqitjen para një gjyqtari brenda 48 orësh për përcaktimin e masës së sigurisë sipas legjislacionit vendor. Për çështjet që lidhen me juridiksionin parashihet edhe mundësia e ankesës në Gjykatën Supreme të Kosovës. Një tjetër ndryshim lidhet me vendin ku do të ekzekutoheshin dënimet. Sipas ndryshimeve, personat e dënuar me vendim të formës së prerë nga Dhomat e Specializuara do të mund të vuajnë dënimin në institucionet korrektuese të Kosovës. Ligji parashikon gjithashtu mundësinë që personat e dënuar të jenë subjekt i faljes presidenciale. Megjithatë, kjo dispozitë mund të hapë çështje të tjera juridike, pasi legjislacioni aktual për faljen vendos kufizime për persona të dënuar për vepra të caktuara kundër së drejtës ndërkombëtare, ndërsa Kodi Penal i Kosovës i përfshin krimet e luftës në këtë kategori.

Çfarë ndodh me rastet që janë aktualisht në proces?

Sipas shpjegimeve të PDK-së, procedurat aktuale të apelit do të vazhdonin në strukturën ekzistuese të Dhomave të Specializuara. Nëse një trup gjykues i Apelit do të urdhëronte rigjykim, atëherë do të zbatohej juridiksioni i ri. Në rast se një çështje nuk do të përmbushte kriteret e juridiksionit të ndryshuar, ajo do të mund të transferohej në sistemin gjyqësor të Kosovës. Kjo do të thotë se miratimi i ligjit nuk sjell automatikisht anulimin e aktgjykimeve ekzistuese apo lirimin e personave të dënuar. Efektet konkrete do të vareshin nga mënyra se si dispozitat do të zbatoheshin dhe nga procedurat e mëtejshme gjyqësore.

A mjafton votimi i Kuvendit?

Kjo mbetet një nga çështjet kryesore juridike. Dhomat e Specializuara u krijuan mbi bazën e një ndryshimi kushtetues, një ligji të veçantë dhe zotimeve ndërkombëtare të Kosovës. Për këtë arsye, ndryshimet që prekin mandatin dhe funksionimin e tyre mund të ngrenë çështje kushtetuese dhe pyetje lidhur me detyrimet ndërkombëtare të Kosovës. Edhe vetë Dhomat e Specializuara kanë deklaruar për Radion Evropa e Lirë se nuk janë konsultuar për këtë nismë ligjore.

Një debat i ri për të ardhmen e Speciales

Miratimi i ndryshimeve nga Kuvendi hap një kapitull të ri në debatin politik dhe juridik rreth Dhomave të Specializuara. Nga njëra anë, mbështetësit e nismës argumentojnë se ndryshimet synojnë të qartësojnë dhe kufizojnë mandatin e institucionit, ndërsa nga ana tjetër janë ngritur shqetësime për përputhshmërinë e tyre me bazën kushtetuese dhe detyrimet ndërkombëtare të Kosovës. Në këtë fazë, mbetet për t’u parë se si do të interpretohen dhe zbatohen dispozitat e reja dhe nëse ato do të përballen me procedura të tjera kushtetuese apo juridike. Një gjë është e qartë: votimi i 6 tetorit nuk e shfuqizon Gjykatën Speciale, por synon të ndryshojë në mënyrë të rëndësishme kufijtë dhe mënyrën e funksionimit të saj./BW

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

Diplomacia e padukshme për Kosovën në fokus të promovimit të librit...

0
Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 25-vjetorit të themelimit të Universitetit të Evropës Juglindore, sot u mbajt promovimi i librit “Kosova – Lufta...