HomeEKSKLUZIVELexojmë më shumë apo vetëm botojmë më shumë?

Lexojmë më shumë apo vetëm botojmë më shumë?

-

Screenshot

Nga: Dashnim HEBIBI, Zürich

A lexohet ende libri me shpirt, me përkushtim dhe me dëshirë për të kuptuar, apo është kthyer në një dekor simbolik në raftet e shtëpive? A është bërë botimi i librit privilegj i atyre që kanë mundësi financiare, apo një mënyrë për ta pasuruar biografinë me tituj që, shpesh, mbeten të lexuar vetëm nga autori? Këto nuk janë më pyetje të parëndësishme. Janë pyetje për kulturën, për arsimin, për kujtesën dhe, mbi të gjitha, për të ardhmen tonë. Në një kohë kur gjithçka matet me shpejtësi, pamje, klikime dhe pëlqime, libri duket se është shtyrë në një cep. Sot mund të botohet një libër relativisht lehtë, nëse ke mundësi financiare. Por të botohet një libër nuk do të thotë domosdoshmërisht se ke krijuar një vepër që meriton të lexohet.

Këtu qëndron një nga problemet më të mëdha të kohës sonë: nuk mjafton të lexojmë. Duhet të dimë edhe çfarë të lexojmë.

Sepse jo çdo libër sot për sot është i mirë vetëm pse ka kopertinë, ISBN dhe emrin e autorit. Jo çdo faqe e shtypur është dije. Jo çdo botim është vlerë. Dhe jo çdo autor që boton duhet domosdoshmërisht të quhet shkrimtar. Ka libra që na hapin mendjen, na pasurojnë gjuhën, na mësojnë historinë, na bëjnë të mendojmë dhe na ndryshojnë mënyrën se si e shohim botën. Por ka edhe botime që janë krijuar vetëm për t’u vendosur në raft, për t’u fotografuar, për t’u përmendur në një biografi ose për të shtuar një titull në CV. Kjo nuk është vetëm padrejtësi ndaj librit. Është padrejtësi edhe ndaj lexuesit. Sepse koha e njeriut është e çmuar. Nëse kemi vetëm një orë në ditë për të lexuar, duhet të pyesim veten: 

Cilit libër ia vlen t’ia kushtojmë atë orë?

Prandaj, krahas thirrjes për të lexuar, duhet të bëjmë edhe një thirrje tjetër: të mësojmë të zgjedhim. Të zgjedhim libra që kanë përmbajtje, gjuhë, mendim dhe përgjegjësi. Të zgjedhim autorë që kanë diçka për të thënë, jo vetëm dëshirë për t’u dukur. Të zgjedhim vepra që na lënë një mendim edhe pasi kemi mbyllur faqen e fundit. Gjatë një bisede me dijetarin dhe studiuesin e njohur, Prof. Dr. Xhavit Lipaj, njohës i thellë i demencës, i cili jeton dhe vepron në Zvicër, ai më tha një fjali që më ka mbetur në mendje:

“Duhet të lexojmë çdo ditë. Leximi na mbron nga demenca, sepse ushqen trurin dhe ruan kujtesën.”

Është një porosi që meriton të merret seriozisht. Por menjëherë lind pyetja tjetër: çfarë të lexojmë? A kemi ende kritere? A kemi redaktim serioz? A kemi lektorë të mirëfilltë? A kemi kritikë letrare që guxojnë të thonë se një libër nuk është i mirë, edhe kur autori është i njohur apo kur pas tij qëndron një rreth i madh miqsh? Apo kemi hyrë në një epokë ku mjafton të paguash botimin dhe më pas të presësh duartrokitjet? Libri ka nevojë për autorin, por autori ka nevojë edhe për redaktorin, lektorin, kritikun dhe lexuesin. Pa këta, rrezikojmë të prodhojmë shumë libra dhe të krijojmë pak letërsi. Më shumë libra nuk do të thotë domosdoshmërisht më shumë kulturë. Ndonjëherë një libër i mirë vlen më shumë se dhjetë botime të dobëta.

Mark Twain ka thënë: “Miq të mirë, libra të mirë dhe një ndërgjegje të qetë: kjo është jeta ideale.”

Por sot, libri ka një konkurrencë të jashtëzakonshme. Rrjetet sociale na kanë mësuar të kalojmë nga një informacion te tjetri brenda pak sekondash. Shikojmë, rrëshqasim, pëlqejmë, harrojmë. Informacioni është i bollshëm, por përqendrimi është bërë i rrallë. Kemi më shumë të dhëna se kurrë më parë, por jo domosdoshmërisht më shumë dije. Libri kërkon diçka tjetër: kohë. Kërkon qetësi. Kërkon përqendrim. Kërkon durim. Dhe pikërisht këto tri gjëra po bëhen gjithnjë e më të rralla. Në mërgatë, problemi bëhet edhe më i dukshëm. Mungesa e bibliotekave shqiptare, largësia nga libraritë e vendlindjes, ritmi i shpejtë i jetës dhe angazhimet e përditshme e vështirësojnë afrimin me librin. Shpesh marrim libra nga atdheu dhe i sjellim me vete, me premtimin se do t’i lexojmë “kur të kemi kohë”. Pastaj vitet kalojnë dhe libri mbetet në raft. Por edhe kur e hapim librin, duhet të kemi një kriter.

Jo gjithçka që është shkruar duhet lexuar. Dhe jo gjithçka që është botuar duhet rekomanduar.

Kjo nuk është përçmim ndaj autorëve. Përkundrazi. Është respekt ndaj autorit të mirë dhe ndaj lexuesit. Një shoqëri e shëndoshë kulturore duhet të dijë të dallojë mes një libri që është shkruar nga nevoja për të dëshmuar diçka dhe një libri që është shkruar vetëm nga dëshira për t’u shfaqur. Duhet të mbështeten autorët që shkruajnë me përkushtim, me përgjegjësi dhe me ndjeshmëri. Ata që hulumtojnë. Ata që dokumentojnë. Ata që ruajnë kujtesën. Ata që u lënë gjeneratave diçka më shumë se një emër në kopertinë. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për mërgatën shqiptare. Historia e shqiptarëve në diasporë është e mbushur me njerëz që kanë punuar, sakrifikuar, ndihmuar komunitetin, ruajtur gjuhën dhe kulturën dhe kanë qenë ura mes vendlindjes dhe vendeve ku kanë jetuar. Shumë prej tyre rrezikojnë të harrohen nëse nuk dokumentohen. Për këtë arsye kam shkruar edhe disa libra me portrete të veprimtarëve shqiptarë, pa e harruar as gruan shqiptare në diasporë. Por kjo është vetëm një pikë uji në det. Na mbetet shumë punë. Dhe kjo punë kërkon jo vetëm vullnet, por edhe përkrahje financiare, institucionale dhe kulturore. Sepse shumë ide të mira mbeten në sirtar jo pse mungojnë autorët, por pse mungojnë mundësitë.

Nëse nuk e dokumentojmë sot historinë e njerëzve tanë, nesër mund të mos kemi më kë të pyesim.

Edhe kjo ditë na gjen në një kohë të turbullt — një kohë ku informacioni vjen menjëherë, por kuptimi shpesh vonon. Libri nuk është vetëm objekt kulturor. Është kujtesë, dëshmi, edukim dhe trashëgimi.

Lexoni, por zgjidhni çfarë lexoni.

Lexoni libra që ju bëjnë të mendoni. Lexoni libra që ju mësojnë diçka. Lexoni histori që ruajnë kujtesën. Lexoni autorë që kanë punuar dhe hulumtuar. Lexoni edhe libra që nuk ju japin përgjigje të gatshme, por ju detyrojnë të bëni pyetje. Dhe, mbi të gjitha, mësoni t’i ndani librat që kanë vlerë nga ata që janë vetëm produkt i një kohe ku edhe kultura po matet me dukshmëri. Libri nuk është një send. Është një udhëtim. Është një mik që nuk të tradhton. Është një dritare drejt botës, por edhe një pasqyrë drejt vetes. Kur humbet fjala, humbet një pjesë e njeriut. Kur humbet libri, humbet një pjesë e kujtesës. Dhe kur një shoqëri nuk di më të dallojë librin e mirë nga libri i dobët, rrezikon të humbasë edhe busullën e saj kulturore. Prandaj, le të mos botojmë vetëm për të thënë se kemi botuar. Le të mos lexojmë vetëm për të thënë se kemi lexuar.

Të shkruajmë atë që ia vlen të mbetet. Të lexojmë atë që ia vlen të na ndryshojë.

Mërgata shqiptare ka shumë histori që presin të shkruhen, shumë njerëz që meritojnë të kujtohen dhe shumë dëshmi që nuk duhet të humbin. Sepse koha ecën shpejt. Njerëzit ikin. Kujtesa zbehet. Por ajo që shkruhet mirë, dokumentohet me përgjegjësi dhe lexohet me ndërgjegje, mund të jetojë përtej nesh. Një gjë është e sigurt: ajo që shkruhet me të vërtetë, mund të mbijetojë. Dhe ajo që lexohet me mendje e shpirt, nuk humbet kurrë.

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

Biden dhe “Promise Me, America”: Një memoir pa refleksion dhe pa...

0
NGA: BEQIR SINA - NEW YORK Ish-presidenti mbron trashëgiminë e tij, por kritikat e rënda dhe heshtja ndaj aleatëve të vjetër në Ballkan flasin më shumë...