Barcelona ka regjistruar një tjetër fitore bindëse në La Liga, duke mposhtur Elchen me rezultatin e thellë 5-0 në “Estadio Manuel Martínez Valero”.
Raphinha ishte protagonist kryesor i takimit, duke shënuar dy gola, ndërsa Karim Adeyemi dhe Fermín López plotësuan triumfin e katalanasve.
Elche e nisi më mirë ndeshjen dhe krijoi disa mundësi për të shënuar, por Barcelona kaloi në epërsi në minutën e 14-të. Raphinha fitoi një penallti dhe e ekzekutoi saktë për 1-0.
Vendasit patën mundësi të barazonin, por nuk arritën të konkretizonin rastet e krijuara. Barcelona e shfrytëzoi këtë dhe në fund të pjesës së parë dyfishoi avantazhin. Raphinha asistoi për Karim Adeyemin, i cili realizoi për 2-0.
Në pjesën e dytë, Barcelona mori kontrollin e plotë të ndeshjes. Në minutën e 69-të, Raphinha shënoi golin e dytë personal pas një aksioni të nisur nga Anthony Gordon, duke çuar rezultatin në 3-0.
Vetëm katër minuta më vonë, Gordon asistoi për Fermín López, i cili shënoi golin e katërt. Spanjolli ishte sërish protagonist më vonë, duke realizuar edhe golin e pestë dhe duke vulosur fitoren e thellë.
Me këtë rezultat, Barcelona regjistroi fitoren e 13-të radhazi ndaj Elches në të gjitha garat dhe vazhdon formën e shkëlqyer në La Liga. Për Elchen, kjo ishte humbja e parë në shtëpi pas tetë ndeshjesh. Katalanasit, të drejtuar nga Hansi Flick, vazhdojnë kështu serinë e tyre mbresëlënëse dhe marrin një tjetër trepikësh të rëndësishëm në kampionat, transmeton rtk.











































