HomeDiasporaNë Konsullatën e Kosovës në Cyrih promovohet libri autobiografik “Për Kosovën Republikë”...

Në Konsullatën e Kosovës në Cyrih promovohet libri autobiografik “Për Kosovën Republikë” i Enver Dugollit

-

Dëshmi për sakrificën, qëndresën dhe rrugëtimin historik drejt lirisë së Kosovës

Më 15 nëntor 2026, në kuadër të aktiviteteve kushtuar Nëntorit të Flamurit, në ambientet e Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Cyrih, siç mëson half24.ch u mbajt promovimi i librit autobiografik “Për Kosovën Republikë”, të autorit Enver Dugolli, veprimtar i çështjes kombëtare dhe ish-i burgosur politik. Në këtë veprimtari morën pjesë përfaqësues diplomatikë, ish-të burgosur politikë, veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), veprimtarë të çështjes kombëtare, shkrimtarë, historianë, studentë dhe bashkatdhetarë nga mërgata shqiptare në Zvicër. Veprimtarinë e hapi Konsulli i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës në Cyrih, z. Vigan Berisha, i cili theksoi rëndësinë e dokumentimit të sakrificave, ruajtjes së kujtesës historike dhe përcjelljes së saj te brezat e rinj.

Të pranishmit i përshëndetën edhe zëvendësambasadorja e Republikës së Kosovës në Bernë, znj. Shukrije Ramadani, si dhe z. Shemsi Syla, ish-i burgosur politik, ish-zëvendëskomandant i Zonës Operative të Karadakut të UÇK-së dhe ish-zëvendësministër i Mbrojtjes.

Në pjesën kushtuar vlerësimit të librit, z. Muharrem Blakaj paraqiti një vështrim kritik mbi veprën, ndërsa shkrimtari dhe veprimtari i çështjes kombëtare, z. Xun Çetta, u ndal te rëndësia e dëshmive historike dhe vlera e tyre në dokumentimin e së kaluarës. Ndërkaq, z. Bujar Salihu, përmes vështrimit me titull “Nga kujtesa individuale te dëshmia kolektive”, trajtoi vlerat letrare, dokumentare dhe historike të kësaj vepre, duke vënë në pah rëndësinë e saj në ruajtjen e kujtesës për periudhat e vështira të historisë së Kosovës. Një moment i veçantë i veprimtarisë ishte fjala e autorit Enver Dugolli, i cili ndau me të pranishmit kujtime dhe përvoja nga periudha e burgosjes politike. Përmes rrëfimeve të tij, ai solli dëshmi mbi sakrificat, qëndresën dhe përpjekjet e vazhdueshme për lirinë e Kosovës.

Në vijim u zhvillua një bashkëbisedim me pjesëmarrësit, ku kontribuuan edhe veprimtarët Fatmir Salihu, Ibish Neziri dhe Gjokë Paloka, si dhe gazetarë, studentë e historianë. Diskutimet i dhanë veprimtarisë një dimension të veçantë, duke nxitur shkëmbimin e kujtimeve, përvojave dhe vlerësimeve për rëndësinë e dëshmive të tilla në historinë kombëtare.

Ky promovim ishte pjesë e veprimtarive të organizuara nga Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Cyrih me rastin e Nëntorit të Flamurit, pas përurimit të monografisë kushtuar Nuhi Berishës dhe manifestimit përkujtimor në nderim të heronjve Fahri Fazliu dhe Afrim Zhitia.

Veprimtaria u përmbyll me nënshkrimin e librave nga autori Enver Dugolli dhe bashkëbisedime ndërmjet të pranishmëve.

Promovimi i librit “Për Kosovën Republikë” përbënte një tjetër moment të rëndësishëm të kujtesës historike në mërgatën shqiptare në Zvicër, duke ritheksuar domosdoshmërinë e dokumentimit të sakrificave, ruajtjes së dëshmive historike dhe përcjelljes së tyre te brezat e ardhshëm, transmeton Konsullata e Përgjitshme e Kosovës në Cyrih, përcjell half24.ch

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

Mbrëmje e hidhur për Shaqirin dhe Baselin, Luzerni triumfon në “shtëpinë”...

0
Baseli zhgënjen tifozët e vet dhe pëson humbje 0:2. Kapiteni Xherdan Shaqiri luajti vetëm 45 minuta, ndërsa Luzerni arkëtoi tri pikë të rëndësishme. Baseli dhe...