Sot, më 27 nëntor 2026, përfundon afati i caktuar nga Gjykata e Apelit në Hagë për dorëzimin e njoftimeve për apel ndaj aktgjykimit të shkallës së parë për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi. Ekipet mbrojtëse kanë paralajmëruar se do ta kundërshtojnë aktgjykimin, duke i konsideruar dënimet të padrejta dhe duke pretenduar se gjatë procesit gjyqësor janë evidentuar parregullsi. Edhe Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka paralajmëruar mundësinë e apelimit të vendimit, por qëndrimi i saj përfundimtar nuk është bërë ende publik.
Afati i 27 nëntorit është caktuar nga Paneli i Apelit pas kërkesës së mbrojtjes për më shumë kohë në përgatitjen e njoftimeve. Fillimisht, afati ishte caktuar për 16 tetor, ndërsa pas shqyrtimit të kërkesës, gjykata vendosi ta shtyjë deri më 27 nëntor 2026. Por, 27 nëntori nuk është afati për dorëzimin e ankesave të plota. Pas njoftimit për apelim, palët kanë edhe 60 ditë kohë për të paraqitur parashtresat e plota, ku do të argumentojnë në detaje arsyet dhe bazat juridike të kundërshtimit të aktgjykimit. Ndërkohë, Gjykata e Apelit do të shqyrtojë pretendimet e palëve dhe ligjshmërinë e vendimit të shkallës së parë. Procedura në këtë fazë zhvillohet kryesisht përmes shqyrtimit të shkresave dhe argumenteve juridike, pa e përsëritur tërësisht procesin gjyqësor.
Aktgjykimi ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së u shpall më 16 shtator 2026. Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Kadri Veseli me 18 vjet, ndërsa Rexhep Selimi me 13 vjet burgim. Vendimi ende nuk është përfundimtar dhe pritet që procesi të vazhdojë në shkallën e dytë të gjykimit. Sipas vlerësimeve të avokatëve të dhëna më herët, nëse respektohen afatet procedurale dhe nuk ka zgjatje të tyre, vendimi i Apelit mund të merret në pranverën e vitit 2027, transmeton rtk.









