Ismail Qemali zgjodhi shqiponjën dykrenare heraldike për të lidhur shtetin e ri shqiptar me epokën e lavdishme të Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Përzgjedhja e këtij simboli mbart një kuptim të thellë historik, politik dhe diplomatik. Shqiponja heraldike, e zezë në fushë të kuqe, ishte stema e derës princërore të Kastriotëve. Duke zgjedhur këtë simbol, I. Qemali donte të tregonte se Shqipëria nuk po lindte si një krijesë artificiale, por po ringrihej pas 445 vitesh pushtimi Osman, si vazhdimësi direkte e shtetit të Skënderbeut.
Në vitin 1912, Shqipëria rrezikonte copëtimin dhe populli ishte i ndarë në krahina e besime të ndryshme. Figura e Skënderbeut dhe flamuri i tij ishin të vetmet simbole që i bashkonin të gjithë shqiptarët (gegë, toskë, myslimanë e të krishterë) rreth një identiteti të përbashkët. Në gjuhën e diplomacisë evropiane të kohës, heraldika dhe simbolet mesjetare kishin peshë të madhe. Duke përdorur një stemë të njohur historikisht në Evropë, Ismail Qemali kërkonte njohjen ndërkombëtare, duke dëshmuar se shqiptarët ishin një komb i vjetër evropian me traditë shtetformues.
Shqiponja dykrenare, si simbol heraldik, rridhte nga Perandoria Bizantine. Përdorimi i saj nga principatat arbërore mesjetare (si Kastriotët) dëshmonte rrënjët e thella dhe pjesëmarrjen e shqiptarëve në historinë e madhe të rajonit.
Në fjalimin e tij të Pavarësisë, vetë Ismail Qemali iu referua me krenari këtij simboli duke e quajtur “Flamuri i Skënderbeut”, duke e kthyer shqiponjën heraldike në simbolin e përjetshëm të lirisë shqiptare. Kësaj shqiponje iu falën Ismail Qemali e Isa Boletini, këtë nuk e ndryshoi dot as Princ Vidi, as Fuqitë e Mëdha, këtë e pati në flamur edhe Ahmet Zogu, këtë shqiponjë e kishin edhe partizanët edhe nacionalistët, madje këta të fundit e mbanin edhe në ballë; këtë shqiponjë pati edhe regjimi komunist, e pranoi edhe Kosova edhe tërë shqiptarët në botë, këtë na e njeh bota, si një traditë, tashmë të vijimësuar, historike e heraldike.
Kush e zbuloi heraldikën e flamurit tonë që gati ishte harruar? Dihet kush: Faik Konica, i cili pasazhin e shkruar nga Barleti: “Vexilla nigris et bicipitibus distincata aquilis gerebat Scandebegus”, e shpalli para vetëdijes së shqiptarëve dhe, jo vetëm nuk e kundërshtoi variantin e shqiponjës së flamurit asnjëherë, por si ambasador, ka përdorur në selinë diplomatike në Uashington Distrikt Kolumbia, pikërisht këtë shqiponjë.
Ilirët e kanë njohur shqiponjën dykokëshe në Ballkan shekuj më parë, se sa të vinin sllavët. Thuhet se shqiponja është pellazgjike “proselenoi” (përpara Hënës) dhe se kemi shqiponjën më të vjetër të botës. Por duhet thënë se shqiponja (biqeale) është simbol edhe i Babilonisë, Persisë së Vjetër, i Perandorisë Bizantine, i Perandorisë Austro-Hungareze etj. Semantika e këtij simboli është pikërisht biqealizmi (dykokësia) çka është një koncept mitologjik i mbiforcës, i omniopotencës, si edhe për qënie të tjera biqefale të mitologjisë.
Shkenca e Heraldikës Shqiptare nuk ka vënë në dyshim faktin se Shteti i Arbërit, tre shekuj më i vjetër se i Skënderbeut, kishte simbol shqiponjën njëkokëshe, Muzakajt shqiponjën dykokëshe, që më vonë e patën Kastriotasit, që me këtë shqiponjë dykokëshe bënë një epokë të pashembullt, tronditëse, të paharruar.
Zbulimi i vulës së Skënderbeut zbulon një shqiponjë dykokëshe, por që ka sipër yllin e Solomonit, që e ka patur edhe heraldika e balshajve, etj. Libri i tretë i Marin Barletit, i botuar më 1555, ka një gravurë që tregon shqiponjën e Skënderbeut, por me krahë të ngritur.
Flamuri ynë kombëtar përfaqëson unitetin tonë. Dy kokat janë një metaforë ikonografike, e kuptueshme për vetëdijen shqiptare.
Faik Konica thoshte: Flamuri përmbledh kujtimet e shkuara të një kombi në një gjuhë të pashkruar, që mund ta kuptojë syri dhe zemra e cdo njeriu me ndjenja. Cilat janë kujtimet që shfaq duke kaluar flamuri ynë? Nuk janë goditje kundër fqinjëve, nuk janë kujtime lakmirash dhe rrëmbimesh, janë kujtime vetëmbrojtjeje me mundime të palodhura dhe me trimërira të gjata e të forta, që kanë lënë gjurmë në letërsitë e gjithë popujve të qytetëruar. Nga kjo pikëpamje mund të mburremi se Flamuri ynë, siç është nga më të vjetrit e botës, është edhe nga më të drejtët”.
Moikom Zeqo
(Ky shkrim botohet për herë të parë, dërguar në redaksinë e “Diellit” nga Arben Iliazi, mik i shkrimtarit dhe studiuesit Moikom Zeqo, i cili u nda nga jeta në vitin 2020) /GDielli









