
Intervistoi: Dashnim HEBIBI
Intervistë me Zeqë Gashin, kryetar i Ansamblit Kulturor „TROJET” me qendër në Winterthur të Zvicrës
Ka njerëz që për atdheun flasin me fjalë, por ka edhe të tillë që dashurinë për të e dëshmojnë çdo ditë me vepra. Zeqë Gashi i përket pikërisht kësaj kategorie njerëzish. Një veprimtar i përkushtuar kombëtar, organizator kulturor dhe humanist, ai prej vitesh është ndër zërat aktivë të jetës shqiptare në mërgatë, duke dëshmuar se largësia nga vendlindja nuk e zbeh dashurinë për rrënjët, por, përkundrazi, mund ta kthejë atë në një mision të përhershëm. Për të, atdhedashuria nuk është vetëm emocion që zgjohet në ditët festive, as një fjalë që përsëritet nëpër manifestime. Ajo është përgjegjësi, përkushtim, punë e palodhshme dhe gatishmëri për të dhënë nga vetja, pa kërkuar asgjë në këmbim. Këtë filozofi jetësore Zeqë Gashi e ka mishëruar në rrugëtimin e tij shumëvjeçar, veçanërisht përmes drejtimit të Ansamblit Kulturor „TROJET” në Winterthur të Zvicrës.
Nën udhëheqjen e tij, „TROJET” është shndërruar në shumë më tepër se një ansambël. Është bërë një vatër e gjallë shqiptarie, një shkollë e traditës, një hapësirë e edukimit kombëtar dhe një familje e madhe ku fëmijët dhe të rinjtë e mërgatës mësojnë të njohin, të duan dhe të ruajnë gjuhën, këngën, vallen dhe trashëgiminë e të parëve. Mbi 120 anëtarë aktivë, tri grupmosha, paraqitje të suksesshme në skena ndërkombëtare, çmime prestigjioze, bashkëpunime me komunitete shqiptare në Evropë dhe Amerikë, si dhe botimi i revistës themeltare „TROJET”, janë dëshmi e një pune që nuk është ndërtuar brenda natës, por mbi vite sakrifice, vullnetarizmi dhe besimi në një ideal të përbashkët. Por pas çdo suksesi qëndrojnë njerëzit. Prindërit që sakrifikojnë kohën e tyre, udhëheqësit artistikë që përçojnë dijen, të rinjtë që marrin përgjegjësi dhe fëmijët që, përmes një valleje, zbulojnë një pjesë të identitetit të tyre. Në këtë mozaik vlerash, Zeqë Gashi e sheh veten jo si një drejtues mbi të tjerët, por si një bashkudhëtar në shërbim të një misioni që i tejkalon individët.

Në prag të 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit dhe Pavarësisë së Shqipërisë, kjo bisedë merr një domethënie të veçantë. Përmes saj, ndalemi te përgatitjet e manifestimit festiv në Winterthur, rrugëtimi i Ansamblit „TROJET”, sukseset në skenat ndërkombëtare, rëndësia e ruajtjes së identitetit shqiptar në mërgatë, revista si dëshmi historike për brezat e ardhshëm, si dhe angazhimi atdhetar e humanitar.
Është një bisedë me një njeri që beson se kultura nuk është vetëm kujtim i së kaluarës, por përgjegjësi për të ardhmen; se flamuri nuk duhet të jetë vetëm simbol në festa, por bashkim në vepra; dhe se trashëgimia më e çmuar që mund t’u lëmë fëmijëve tanë është vetëdija për rrënjët, dashuria për gjuhën dhe krenaria për identitetin.
Në vijim, ju sjellim intervistën e plotë me kryetarin e Ansamblit Kulturor „TROJET”, z. Zeqë Gashi.
I nderuar z. Gashi, ju falënderoj për kohën që keni ndarë për këtë intervistë, në prag të festës sonë kombëtare, 28 Nëntorit. Kanë mbetur edhe pak ditë deri te manifestimi që Ansambli „Trojet” do të organizojë në Winterthur. Deri ku kanë arritur përgatitjet dhe organizimi i kësaj mbrëmjeje festive?
Fillimisht, ju falënderoj juve dhe redaksinë e portalit Half24.ch për interesimin dhe mundësinë që na jepni të flasim për punën dhe misionin kulturor të ansamblit tonë. Jemi në ditët e fundit të përgatitjeve. Valltarët dhe udhëheqësit artistikë po punojnë në përpunimin e detajeve të fundit të programit, ndërsa kryesia dhe grupi organizativ po kujdesen për të gjitha hollësitë e organizimit të kësaj mbrëmjeje festive. Në skenë do të dalin fëmijë që sapo kanë nisur hapat e parë të valles, por edhe valltarë që kanë vite përvojë në ansambël. Për ne është e rëndësishme që secili fëmijë ta ndiejë se ajo skenë është edhe e tija dhe se kontributi i tij ka vlerë. Pas çdo paraqitjeje që publiku sheh në skenë qëndrojnë shumë orë pune, përkushtimi dhe angazhimi vullnetar.

Më 28 nëntor, në Zentrum Töss të Winterthurit, dyert hapen në orën 18:30, ndërsa programi fillon në orën 19:00.
I ftojmë përzemërsisht bashkatdhetarët tanë të festojmë së bashku në një mbrëmje që na bashkon përmes tingujve të lahutës e çiftelisë, këngës, valles dhe trashëgimisë sonë të përbashkët kombëtare.
Sa do të zgjasë programi dhe çfarë mund të presë publiku nga kjo mbrëmje? A keni përgatitur ndonjë risi të veçantë për bashkatdhetarët tanë?
Programi artistik parashihet të zgjasë rreth një orë e 45 minuta. Kemi përzgjedhur me kujdes një repertor të pasur, duke pasur gjithmonë parasysh respektin që kemi për publikun tonë. Publiku do të ketë mundësi të shijojë këngë, tingujt e lahutës dhe çiftelisë, recitime dhe valle nga krahina të ndryshme shqiptare. Ansambli “TROJET” ka përgatitur një udhëtim të veçantë artistik nëpër pesë treva shqiptare, ku vallet tradicionale ndërthuren me histori dashurie, duke sjellë në skenë bukurinë e traditave, zakoneve dhe botës shpirtërore të popullit tonë. Një vend të veçantë do të zërë edhe kostumografia jonë kombëtare. Nga madhështia e xhubletës deri te veshjet tradicionale të Jugut, Dukagjinit e Drenicës, secila prej tyre sjell në skenë një pjesë të historisë dhe identitetit të krahinës nga e cila vjen. Këtë vit kemi kënaqësinë të mirëpresim si të ftuar speciale këngëtaren e nderuar, znj. Fatime Kalomashi.
Seniori i ansamblit tonë, Baca Shaq, do ta pasurojë programin me këngë kreshnikësh nën tingujt e lahutës, duke sjellë para publikut madhështinë e epikës sonë legjendare dhe frymën e një trashëgimie të çmuar shpirtërore shqiptare.
Nuk do të mungojnë as interpretimet e dy këngëtareve tona të talentuara, Marisa Murtezi dhe Eliza Zeqiri, të cilat, me zërat e tyre brilantë, ndjeshmërinë artistike dhe interpretimet plot emocion, do t’i dhurojnë publikut çaste të veçanta muzikore. Gjithashtu, vëllezërit Arbnor dhe Rezart Kuqi, përveç paraqitjes në programin artistik, do të kujdesen që, me repertorin e tyre muzikor, të krijojnë një atmosferë të bukur në pjesën festive të mbrëmjes. Megjithatë, nuk do të dëshiroja t’i zbuloja të gjitha hollësitë e programit, sepse duam që disa nga emocionet dhe surprizat artistike të përjetohen drejtpërdrejt në sallë. Natyrisht, nuk do të mungojnë as mikpritja bujare shqiptare dhe ushqimet tona tradicionale, të përgatitura me dashuri e përkushtim nga familjet e ansamblit. Dëshirojmë që bashkatdhetarët tanë jo vetëm të ndjekin një koncert, por të përjetojnë një mbrëmje të mirëfilltë shqiptare, të pasur me art, traditë, emocione dhe krenari kombëtare, kujtimet e së cilës do t’i shoqërojnë gjatë.

28 Nëntori është më shumë se një festë. Është histori, identitet, krenari dhe bashkim kombëtar. Çfarë mesazhi dëshironi t’ua përcillni shqiptarëve përmes këtij manifestimi?
Këtë vit kemi zgjedhur moton “Një zë, një flamur, një komb!”. Për mua, kjo moto merr kuptimin e saj të vërtetë kur shoh në të njëjtën sallë familje shqiptare nga treva të ndryshme, secila me historinë, traditat dhe kujtimet e vendlindjes së vet, por që bashkohen për të festuar nën të njëjtin flamur. Nëntori zë një vend të veçantë në kujtesën tonë kombëtare. Kujtojmë shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, daljen publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, datëlindjen e komandantit legjendar Adem Jashari dhe nderojmë sakrificat e brezave që punuan për lirinë tonë. Por nderimi ndaj së kaluarës nuk duhet të mbetet vetëm në fjalë e përkujtime. Ai duhet të dëshmohet edhe përmes punës sonë për të ardhmen. Mesazhi ynë është që të vlerësojmë gjuhën, kulturën dhe identitetin që kemi trashëguar nga të parët tanë, të punojmë për edukimin e brezave të rinj dhe t’i mbështesim ata në rrugëtimin e tyre drejt dijes dhe suksesit. Të jemi mirënjohës ndaj Zvicrës, vendit ku jetojmë, të integrohemi me dinjitet në shoqërinë zvicerane, por njëkohësisht të mos harrojmë kurrë rrënjët tona shqiptare. Një popull jeton për aq kohë sa jetojnë gjuha, kultura dhe kujtesa e tij.
Ansambli „Trojet” është mjaft aktiv. Ju shohim në manifestime të shumta, në Zvicër dhe jashtë saj. Nga buron gjithë kjo energji dhe përkushtim? A është kjo një përgjegjësi që e ndieni ndaj kombit dhe brezave të rinj?
Burimin e kësaj energjie e shoh çdo të premte në provat tona. E shoh në buzëqeshjet e fëmijëve, në entuziazmin e tyre, te fëmija që mezi pret të mësojë vallen e radhës, te valltari me përvojë që ndihmon më të vegjlit dhe te prindërit që, pas një dite të lodhshme pune, gjejnë kohë t’i sjellin fëmijët në ushtrime. Për mua, përgjegjësia ndaj brezit të ri është një mision fisnik që e kemi marrë përsipër me vullnet dhe dashuri. Përpiqemi t’u krijojmë kushte anëtarëve të të tri grupmoshave që ta njohin nga afër kulturën, gjuhën, këngën dhe vallen shqiptare, në mënyrë që këto vlera të bëhen pjesë e natyrshme e përditshmërisë së tyre. Kryesia, udhëheqësit artistikë, grupi organizativ, Forumi i Gruas dhe prindërit kontribuojnë në forma të ndryshme, duke dhuruar orë të tëra nga koha e tyre, tërësisht në baza vullnetare. Qoftë organizimi i provave, koncerteve, pjesëmarrja në festivale apo takimet e përbashkëta të anëtarëve, të gjitha realizohen me përgjegjësi, harmoni dhe respekt të ndërsjellë. Kur sheh kaq shumë njerëz që punojnë me zemër për të njëjtin qëllim, edhe lodhja merr një kuptim tjetër. Aty e gjej edhe unë vullnetin dhe forcën për të vazhduar.

Së fundmi ishit edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku morët pjesë në një festival. Si u prit Ansambli „Trojet” atje dhe çfarë përfaqëson për ju prezantimi i kulturës shqiptare përtej oqeanit?
Udhëtimi ynë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në korrik të këtij viti, nuk ishte vetëm një pjesëmarrje artistike. Ishte një përvojë që do të mbetet gjatë në historinë e Ansamblit “TROJET”. Nga New Yorku deri në Detroit, u pritëm me një ngrohtësi, bujari dhe mikpritje të jashtëzakonshme nga bashkatdhetarët tanë. Një emocion të veçantë na dhuroi vizita në Federatën Panshqiptare “Vatra”, ku patëm mundësinë të njiheshim nga afër me trashëgiminë atdhetare të Fan Nolit, Faik Konicës dhe brezave të veprimtarëve që kanë kontribuar ndër dekada për çështjen shqiptare. Në festivalin “Lahuta 35” në Detroit ishim ansambli i vetëm pjesëmarrës nga Evropa, gjë që për ne përbënte një përgjegjësi dhe një krenari të veçantë. Në skenë sollëm epikën shqiptare përmes lahutarit tonë Shaqir Dema, bukurinë e këngës shqiptare përmes Marisa Murtezit dhe pasurinë e valleve tona përmes koreografisë “Suita Dardane”. Një vend të rëndësishëm zuri edhe kostumografia tradicionale, e cila pasqyroi larminë e trashëgimisë sonë kombëtare. Paraqitjet tona u pritën me duartrokitje të vazhdueshme, ndërsa fjalët e mira dhe përgëzimet nga organizatorët e festivalit dhe bashkatdhetarët na dhanë kurajë dhe energji të re. Megjithatë, përtej suksesit artistik, ajo që vlerësoj më së shumti është ura e bashkëpunimit që u krijua ndërmjet të rinjve tanë në Zvicër dhe bashkëmoshatarëve të tyre në Amerikë. Ata krijuan miqësi, shkëmbyen përvoja dhe kuptuan se, pavarësisht se janë rritur në dy anë të oqeanit, i bashkojnë gjuha, kultura dhe dashuria për atdheun. Ne nuk udhëtuam në Amerikë vetëm me valixhe e kostume popullore. Udhëtuam me kujtesën e brezave, me këngët që janë kënduar ndër mote dhe me vallet që na janë trashëguar si amanet. Oqeani mund të ndajë brigjet, por jo zemrat e njerëzve që i bashkojnë rrënjët dhe kultura e përbashkët.
Në Lozanë keni arritur të zini vendin e parë. Çfarë domethënie ka ky sukses për ansamblin, për valltarët dhe për gjithë ata që qëndrojnë prapa kësaj pune?
Me kënaqësi do t’i përmendja të dyja paraqitjet tona, sepse bëhet fjalë për dy festivale të ndryshme. Në vitin 2025, në festivalin “Ilirët Jehojnë” në Lozanë, u vlerësuam me vendin e tretë për koreografi, ndërsa Marisa Murtezi mori çmimin si këngëtarja më e mirë. Në shtator të këtij viti, në festivalin “Diaspora Jehon” në Renens, pranë Lozanës, fituam Çmimin e Festivalit, çmimin për valltarin më të mirë, me të cilin u vlerësua Betim Hajrizi, si dhe çmimin për kostumin më të mirë. Për valltarët tanë, këto vlerësime janë një shpërblim për orët e shumta të provave, disiplinën dhe kujdesin që i kushtojnë çdo detaji artistik. Për mua, si kryetar, janë gjithashtu një mundësi për t’i falënderuar ata që publiku nuk i sheh gjithmonë në skenë. Udhëheqësit artistikë, përgjegjësit e kostumografisë, bashkëpunëtorët, prindërit dhe të gjithë ata që na qëndrojnë pranë në çdo aktivitet. Kur vlerësimet vijnë nga një juri profesionale, ato na japin sigurinë se puna jonë po ecën në drejtimin e duhur. Por çmimet nuk duhet të na bëjnë të vetëkënaqur. Përkundrazi, ato na shtojnë përgjegjësinë për të punuar edhe më shumë dhe për të ngritur më tej nivelin tonë artistik. Çmimet janë nderim për punën e djeshme, por edhe përgjegjësi për punën e së nesërmes.

Sot Ansambli „Trojet” gëzon respekt në mesin e komunitetit shqiptar. Sa punë, sakrificë dhe përkushtim fshihen prapa këtij emri? Cilat kanë qenë sfidat më të mëdha që nga themelimi e deri më sot?
Rrugëtimin tonë e nisëm më 17 prill 2013, në kuadër të degës “Vatra” në Winterthur. Në audicionin e parë erdhën 16 fëmijë. Më 5 nëntor 2014 u pavarësuam me emrin “TROJET”. Sot numërojmë mbi 120 anëtarë aktivë dhe punojmë me tri grupmosha. Në fillim, sfidat ishin shumë konkrete. Na duheshin hapësira për prova, veshje tradicionale për fëmijët, mjete financiare dhe njerëz që ishin të gatshëm t’i përkushtoheshin ansamblit çdo javë. Me rritjen e numrit të anëtarëve u shtuan edhe përgjegjësitë organizative dhe artistike. Kur mendoj për këtë rrugëtim, kujtoj me mirënjohje të gjithë ata që kanë dhënë nga koha, mundi dhe dija e tyre, edhe në periudhat kur mundësitë tona ishin të kufizuara. Një nga krenaritë e mia më të mëdha është se disa nga valltarët që dikur hodhën hapat e parë të valles në ansambël, sot janë vetë udhëheqës artistikë. Donjeta Gashi, Ensar Morina dhe Leotrim Gashi janë dëshmi e vazhdimësisë së kësaj pune. Me përkushtimin e tyre artistik, së bashku me disiplinën e valltarëve, po kontribuojnë në ngritjen e vazhdueshme të nivelit të ansamblit. Kemi një brez të ri të shkëlqyer, që na bën krenarë jo vetëm me rrugëtimin artistik, por edhe me arritjet në arsimim dhe në jetën profesionale. Pas emrit “TROJET” qëndrojnë më shumë se trembëdhjetë vjet punë vullnetare, sakrifica, miqësi dhe besim në një mision të përbashkët. Për mua, suksesi më i madh është kur shoh se brezi që dikur edukonim, sot po merr përgjegjësinë për të edukuar brezin që vjen.
Po shohim se dita-ditës po afrohen gjithnjë e më shumë të rinj në ansambël. Si po arrini t’i motivoni ata që të jenë pjesë e aktiviteteve kulturore dhe ta ruajnë lidhjen me rrënjët shqiptare?
Shpesh një fëmijë vjen në provën e parë sepse e ka sjellë prindi. Në provën tjetër vjen sepse ka krijuar një miqësi të re ose sepse mezi pret ta mësojë hapin e valles që i ka mbetur përgjysmë. Kështu fillon lidhja e tij me ansamblin. Punojmë me tri grupmosha, në mënyrë që secili të zhvillohet sipas moshës dhe mundësive të veta. Të rinjve u japim gjithashtu mundësi të marrin përgjegjësi, duke ndihmuar grupet e vogla gjatë provave, duke kontribuar në organizimin e aktiviteteve, koordinimin dhe promovimin e punës së ansamblit. Kur një i ri e kupton se ka diçka për t’u mësuar të tjerëve, ai bëhet edhe më i vetëdijshëm për vlerën e asaj që ka mësuar vetë. Një rol të rëndësishëm luan edhe ana njerëzore. Përpiqemi që çdo anëtar dhe çdo prind të ndihet i respektuar, i mirëpritur dhe i vlerësuar për kontributin e tij. Të rinjtë nuk duhet t’i afrojmë pranë kulturës vetëm përmes detyrimeve, por duke u krijuar një mjedis ku ata ndihen mirë, krijojnë miqësi dhe zhvillojnë talentin e tyre. Ne udhëhiqemi edhe nga një parim i thjeshtë njerëzor: për të qenë i respektuar, duhet të dish ta respektosh dhe ta vlerësosh tjetrin.

Ju shpesh e përshkruani ansamblin si një familje. Sa është e rëndësishme që përveç ushtrimeve, valleve dhe paraqitjeve skenike, të krijohet edhe një atmosferë miqësie, respekti dhe solidariteti ndërmjet anëtarëve?
Këtë frymë familjare e shoh më së miri në prapaskenë, aty ku publiku nuk ka gjithmonë mundësi të na shohë. Pavarësisht se nga cilat treva shqiptare vijmë, misioni kulturor i ansamblit na ka afruar dhe na ka bërë të ndihemi pjesë e një familjeje të madhe. Në çdo aktivitet, anëtarët dhe prindërit marrin përsipër përgjegjësi të ndryshme. Zonjat tona organizohen mes tyre për përgatitjen e ushqimeve tradicionale, kujdesin ndaj veshjeve, mikpritjen dhe shumë punë të tjera. Një valltar më i madh ndihmon një fëmijë të vogël të veshë kostumin. Dikush i jep kurajë atij që del për herë të parë para publikut. Pas koncertit, prindërit dhe anëtarët qëndrojnë për të ndihmuar derisa të përfundojë e gjithë puna. Pikërisht nga këto gjeste të vogla ndërtohet besimi i madh mes nesh. Kur një fëmijë ndihet i mirëpritur, ai ka më shumë guxim të provojë, të gabojë, të mësojë dhe të zhvillohet. Për mua, një ansambël nuk matet vetëm me cilësinë e paraqitjes së tij në skenë, por edhe me cilësinë e marrëdhënieve njerëzore që ndërton jashtë saj. Ndihem i bekuar që jam pjesë e kësaj familjeje të madhe, të respektuar dhe të përkushtuar, që quhet “TROJET”.

Të rritesh në Zvicër dhe të ruash gjuhën, traditat dhe kulturën shqiptare nuk është gjithmonë e lehtë. Çfarë roli mendoni se duhet të kenë ansamblet kulturore në edukimin kombëtar të fëmijëve dhe të rinjve të mërgatës?
Ansamblet kulturore kanë një përgjegjësi që shkon përtej përgatitjes së një programi artistik. Ne mund t’u ofrojmë fëmijëve një mjedis ku gjuha shqipe dëgjohet mes bashkëmoshatarëve, ku një këngë mësohet së bashku dhe ku një veshje tradicionale mund ta prekin, ta veshin dhe ta njohin nga afër. Kur mësojmë një valle, përpiqemi t’u tregojmë edhe prejardhjen e saj, krahinën nga e cila vjen dhe rastet në të cilat është vallëzuar ndër breza. Për ne, veshjet kombëtare nuk janë vetëm rroba festive. Ato janë dëshmi e rrugëtimit historik të popullit tonë. Këngët nuk janë vetëm melodi, por kujtesë e brezave. Vallet janë histori të gjalla që flasin pa fjalë për identitetin tonë. Për shumë familje shqiptare në mërgatë, Ansambli “TROJET” është bërë një vatër e ngrohtë e kulturës, miqësisë dhe edukimit kombëtar. Është vendi ku fëmijët njohin rrënjët e tyre, ku të rinjtë krijojnë miqësi dhe ku familjet gjejnë një pjesë të atdheut larg atdheut. Me këtë rast, dëshiroj të shpreh mirënjohjen tonë ndaj Konfederatës Zvicerane dhe popullit zviceran, që ndër dekada i kanë krijuar komunitetit shqiptar mundësi për t’u arsimuar, për të punuar dhe për të ndërtuar një të ardhme me dinjitet. Zvicra është bërë atdheu ynë i dytë, një vend që na ka dhënë siguri, mundësi dhe hapësirë për të ruajtur e zhvilluar identitetin tonë kulturor. Integrimi i suksesshëm dhe ruajtja e identitetit kombëtar nuk e përjashtojnë njëri-tjetrin. Përkundrazi, ato mund ta pasurojnë njëri-tjetrin. Dëshirojmë që fëmijët tanë të bëhen profesionistë të suksesshëm, qytetarë të denjë të vendit ku jetojnë dhe njerëz krenarë për prejardhjen e tyre shqiptare.
Ansambli „Trojet” tashmë ka edhe revistën e vet themeltare periodike. Si lindi ideja për këtë botim dhe çfarë synoni të dokumentoni përmes saj?
Për më shumë se trembëdhjetë vjet kemi zhvilluar aktivitete të shumta, kemi grumbulluar fotografi, programe koncertesh, dokumente dhe kujtime nga anëtarët që kanë qenë me ne që në fillim. E kuptuam se, nëse këto materiale do të mbeteshin të shpërndara, pas disa vitesh do të ishte e vështirë të rindërtonim historinë e plotë të ansamblit. Kështu lindi ideja e revistës “TROJET”, numri i parë i së cilës iu kushtua edhe pjesëmarrjes sonë në festivalin në Detroit. Në këtë numër, të botuar në 1 000 kopje, kemi përfshirë historikun e ansamblit, intervista, fotografi, vlerësime dhe kontribute nga miq, diplomatë, veprimtarë dhe bashkëpunëtorë të ansamblit. Për punën e çmuar redaktoriale i jam veçanërisht mirënjohës mikut tonë, Prof. Dr. Dashnim Hebibit, redaktorit përgjegjës të revistës, si dhe mikut Berat Thaqi për kontributin e tij në përgatitjen e botimit. Falënderoj gjithashtu të gjithë miqtë, anëtarët dhe prindërit që, përmes prononcimeve, intervistave dhe kujtimeve të tyre, e pasuruan përmbajtjen e revistës. Një mirënjohje e veçantë u takon sponsorëve, të cilët, me mbështetjen e tyre financiare, na ndihmuan ta realizojmë këtë projekt. Dëshira jonë është që numrat e ardhshëm të dokumentojnë jo vetëm rrugëtimin e ansamblit, por edhe jetën kulturore shqiptare në mërgatë, të cilën e njohim përmes bashkëpunimeve tona. Revista “TROJET” është më shumë se një botim kulturor. Ajo është një dëshmi e shkruar e punës, historisë dhe misionit tonë, që dëshirojmë t’ua lëmë brezave të ardhshëm.
Si është pritur revista nga lexuesit, veprimtarët dhe krijuesit shqiptarë, por edhe nga miqtë tuaj italianë, me të cilët keni ndarë këtë botim? A mendoni se një revistë e tillë do të shërbejë edhe si dëshmi historike për brezat që vijnë?
Na kanë gëzuar shumë fjalët dhe vlerësimet e lexuesve, veprimtarëve, krijuesve dhe miqve që e kanë marrë në dorë revistën.
Një nga vlerësimet që na është përsëritur shpesh ka qenë se kjo revistë nuk ka vetëm vlerë për të sotmen, por do të mbetet një dëshmi e rëndësishme edhe për të ardhmen. Revista ka gjetur jehonë kudo ku kemi pasur mundësi ta prezantojmë, në Amerikë, në atdhe dhe këtu në Zvicër, ku jetojmë dhe veprojmë. Më gëzoi veçanërisht kur pashë se ju, miku ynë Dashnim, ua kishit dhuruar disa kopje të revistës miqve tuaj italianë në Firence. Përmes fotografive dhe bashkëbisedimeve me ju, edhe ata patën mundësinë të njiheshin me punën dhe misionin e një ansambli shqiptar që vepron në Zvicër. Kjo dëshmon se kultura ka aftësinë të krijojë ura miqësie edhe përtej kufijve gjuhësorë dhe kombëtarë. Emri “TROJET” për ne nuk është vetëm një emër artistik. Ai është kujtesë e rrënjëve tona, simbol i përkatësisë sonë kombëtare dhe përgjegjësi për të mbajtur gjallë lidhjen me çdo cep të trojeve shqiptare. Pikërisht këtë frymë kemi dashur ta pasqyrojmë edhe në revistë. Besoj se vlerën e këtij botimi do ta kuptojmë edhe më mirë pas disa vitesh, kur një fëmijë që sot vallëzon me ne ta hapë revistën dhe të gjejë aty fotografinë e vet, emrat e bashkëmoshatarëve dhe rrëfimet e njerëzve me të cilët nisi rrugëtimin artistik. Sepse ajo që sot e jetojmë me emocion, nesër do të lexohet si histori. Dhe është përgjegjësia jonë që kjo histori të mos humbasë, por t’u mbetet brezave si dëshmi dhe amanet.
Përveç aktiviteteve kulturore, ju jeni i njohur edhe për angazhimin tuaj atdhetar dhe humanitar. Sa rëndësi ka që një udhëheqës i një ansambli të mos kufizohet vetëm në organizimin e aktiviteteve artistike, por të jetë i pranishëm edhe në jetën shoqërore të komunitetit?
Për mua, kjo është pjesë e përgjegjësisë që merr kur njerëzit të besojnë drejtimin e një shoqate. Përmes ansamblit njihemi me shumë familje dhe, nga këto takime, kuptojmë më mirë gëzimet, shqetësimet dhe nevojat e tyre. Jo gjithmonë ndihma duhet të jetë materiale. Ndonjëherë mjafton një fjalë e mirë, një këshillë apo prania pranë dikujt në një ditë të vështirë. Në jetën time jam përpjekur të udhëhiqem nga një parim i thjeshtë: kur ndihmon me njërën dorë, le të mos e dijë dora tjetër. Besoj se modestia është një nga virtytet më të çmuara njerëzore dhe se një vepër e mirë nuk ka nevojë gjithmonë për publicitet. Si kryetar i një ansambli apolitik, e çmoj mundësinë që kultura na jep për t’i afruar njerëzit, pavarësisht dallimeve, dhe për të kontribuar në të mirën e përbashkët. Për mua, udhëheqja nuk është privilegj për të qenë mbi të tjerët, por përgjegjësi për të qenë pranë tyre.
Sa e vështirë është të bashkërendoni angazhimet familjare, profesionale dhe ato kulturore? A keni pasur momente kur keni menduar se barra është tepër e madhe?
Natyrisht që ka pasur momente të vështira. Për shkak të kufizimeve shëndetësore, sidomos në prag të koncerteve dhe aktiviteteve të mëdha, ka pasur ditë kur janë grumbulluar shumë përgjegjësi njëherësh dhe e kam ndier lodhjen. Ju falënderoj shumë për mbështetjen dhe bashkëpunimin tuaj të vazhdueshëm. Padyshim që presim një numër sa më të madh bashkatdhetarësh në mesin tonë, për ta festuar së bashku këtë ditë të madhe kombëtare. I ftoj përzemërsisht të gjithë bashkatdhetarët tanë që të na bashkohen më 28 Nëntor në Winterthur, për të kaluar së bashku një mbrëmje të paharrueshme festive, të mbushur me këngë, valle, traditë, emocione dhe krenari kombëtare. Ju mirëpresim me zemër të hapur! Gëzuar 28 Nëntorin, festa e flamurit dhe e gjithë shqiptarëve!
- HALF24.ch









