Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, ka ftuar qytetarët që sot, më 27 nëntor, të vizitojnë kazermat e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), në kuadër të aktiviteteve për shënimin e Ditës së Forcës.
Përmes një njoftimi në rrjetin social Facebook, Maqedonci ka bërë të ditur se kazermat e FSK-së do të jenë të hapura për të gjithë qytetarët nga ora 10:00 deri në orën 13:30.
Gjatë kësaj vizite, qytetarët do të kenë mundësinë të njihen nga afër me kapacitetet ushtarake të FSK-së, pajisjet dhe mjetet që përdoren nga pjesëtarët e saj, si dhe profesionalizmin dhe përkushtimin e tyre në shërbim të vendit.
Ministri Maqedonci ka theksuar rëndësinë e pjesëmarrjes së qytetarëve në këtë ditë të veçantë, duke i ftuar ata që së bashku të shënojnë Ditën e Forcës dhe Ditën e Ushtrisë së Republikës së Kosovës.
“Ju mirëpresim që së bashku të shënojmë Ditën e Forcës, Ditën e Ushtrisë së Republikës së Kosovës!”, ka shkruar Maqedonci.









